Çelësi i fjalëve të Kishës: ekumenizmi
R.SH. / Vatikan
Fillon sot 18 e deri më 25 janar Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2024, me temën marrë nga Ungjilli sipas Lukës: "Duaje Zotin, Hyjin tënd... dhe duaje të afërmin tënd si vetveten" (Lk 10, 27).:
Kremtimi i përvitshëm i kësaj Jave, na kujton detyrën urgjente të rivendosjes së unitetit ndërmjet gjithë ndjekësve e besimtarëve të Krishtit dhe propozon, në liturgjitë e përditshme, lutje e meditime, një ndihmesë në rrugëtimin e dialogut dhe ecjes ekumenike drejt dhuratës së bashkimit të plotë e të dukshëm të të krishterëve.
Por ç’është “ekumenizmi”? Ekumenizmi është lëvizja, që synon afrimin dhe bashkimin e të gjithë besimtarëve të krishterë, pavarësisht se cilës Kishë i përkasin, asaj katolike, asaj ortodokse, apo protestante. E rëndësishme është feja e përbashkët në Trininë e Shenjtë: në Hyjin Atë, në Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe në Shpirtin Shenjt. Fjala “ekumenizëm” rrjedh nga termi grek “oikouméne”, që fillimisht tregonte pjesën e banuar të Tokës e më pas, u përdor nga Kishat e krishtera për të shprehur synimin e lëvizjes, pra, bashkëpunimin dhe bashkimin gjithnjë e më të madh të të gjithë besimtarëve, që banojnë në botë.
Lëvizja ekumenike u bë e nevojshme për shkak të ndarjeve ndërmjet të krishterëve. Elementë kundërshtie vihen në dukje që në bashkësitë e para të krishtera, siç dëshmojnë Veprat e Apostujve dhe disa letra të Shën Palit Apostull. Megjithatë, ndarjet e vërteta, me pasoja që ndihen edhe sot, filluan rreth 400 vjet pas vdekjes së Jezusit, mbi çështje bazë, si natyra e Tij si Zot i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Në veçanti, disa Kisha, si ajo siro-lindore dhe kopte (e më vonë edhe ajo armene e etiope), nuk e pranuan rezultatin e punimeve të Koncilit Kishtar të Kalcedonisë, në vitin 451, sipas të cilit natyra hyjnore dhe ajo njerëzore e Jezu Krishtit janë të bashkuara “pa konfuzion e pa ndarje”. Ndërkaq, Kisha asire u nda nga të krishterët e tjerë që në Koncilin e Efesit, në vitin 431.
Por përçarja më e madhe është pa dyshim ajo ndërmjet Kishës së Kostandinopojës dhe Kishës së Romës, me skizmën e vitit 1054, si edhe ajo ndërmjet Katolicizmit e Protestantizmit, duke filluar nga shekulli XVI. Të dyja, për shkaqe politike e fetare, kanë sjellë ndryshime në interpretimin e mësimeve të fesë dhe në praktika të ndryshme të jetës së krishterë.
Natyrisht, ekziston një trashëgimi e përbashkët feje, e pranuar nga të gjithë të krishterët para ndarjeve. Për shembull, Pagëzimi dhe, me disa interpretime të ndryshme, Eukaristia, pranohen si sakramentet kryesore për shpëtimin e shpirtit; feja në Trininë e Shenjtë është e përbashkët; të gjithë të krishterët vendosin në qendër të reflektimeve e të jetës së tyre Biblën e kështu me radhë.
Kishat e kuptuan shpejt se “të krishterët janë më bindës, nëse bashkohen”. Përpjekjet e para u bënë që në vitin 1274, me Koncilin e Lionit e më pas, në vitin 1439, me Koncilin e Firences, ku pavarësisht nga mosarritja e qëllimit, u bënë propozime për bashkimin ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit. Në shekullin XIX, duhet kujtuar impenjimi i veçantë i Kishës Anglikane, që gati një shekull më vonë, në vitin 1910, bëri të fillonte zyrtarisht lëvizja ekumenike. Vërtet, në Konferencën Botërore të Shoqërive Misionare protestante dhe anglikane iu kërkua misionarëve të predikonin Ungjillin e jo dallimet ndërmjet Kishave. Kisha Katolike mori pjesë në një dialog të rëndësishëm me anglikanët në Bisedimet e Malines (1921-1925) e po në atë periudhë, i bashkangjitet lëvizjes edhe Kisha Ortodokse.
Pjesëmarrja e katolicizmit merr hov të jashtëzakonshëm me Papën shenjt Gjoni XXIII, i cili, në vitin 1959, thirri Koncilin II Ekumenik të Vatikanit, që filloi më 11 tetor 1962. Gjatë Koncilit, i cili përfundoi në vitin 1965, kur ishte Papë, shën Pali VI, u ftuan “delegatë vëllezër”: ortodoksët, luteranët, anglikanët, evangjelistët, kuakerët, metodistët… madje edhe dy vëzhgues të Kishës së Moskës. Është takimi i parë që prej shekujsh skizme! Bazilika e Shën Pjetrit nuk kishte parë kurrë asgjë të ngjashme! U anulluan shkishërimet e shpallura pas skizmës dhe iu kushtua një dokument i Koncilit pikërisht ekumenizmit. Fjala është për “Unitatis Redintegratio” (Rivendosja e bashkimit). Është shenja e dukshme e një Kishe që me të vërtetë dëshiron të kapërcejë armiqësitë e lashta, ndarjet, keqkuptimet.
Një ngjarje historike tejet e rëndësishme është takimi historik i mbajtur më 5 e 6 janar të vitit 1964, në Jeruzalem, ndërmjet Papës së Romës, Palit VI dhe Atenagorës I, Patriarkun ekumenik të Kostandinopojës, Primat nderi ndër nëntë Patrikët e Kishës Ortodokse. Sivjet bie 60-vjetori i e atij takimi historik, i cili ka qenë vërtet një hap themelor në shembjen e barrierës së keqkuptimit, mosbesimit e madje edhe armiqësisë që ekzistonte për pothuajse një mijëvjeçar, ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishës së Kostandinopojës.
Në hyrje të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, sipër derës së shenjtë të hapur nga Papa për kremtimet e jubileut, një mbishkrim në mermer, i cili shpesh kalon pa u vënë re nga shtegtarët, thotë në greqisht e latinisht: "Për pajtimin e bashkimit të plotë ndërmjet Kishës ortodokse dhe Kishës katolike romake, në këtë bazilikë u zhvillua një takim lutjeje midis Papa Palit VI dhe Patriarkut Athenagoras I më 26 tetor 1967”.
Kështu marrëdhënien ekumenike, rifillojnë pas gati njëmijë vjetësh! Është edhe fillimi i një dialogu me 450 milion vëllezër të ndarë! Atenagora I, Patriarku ekumenik i Kostandinopojës pranon se: “Prej shekujsh bota e krishterë jeton natën e ndarjes. Sytë e saj janë lodhur së shikuari errësirën”.
Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar në dialogun ekumenik, rruga ekumenike drejt bashkimit të të krishterëve vazhdon, duke pasur parasysh atë bashkim, për të cilin vetë Krishti është lutur: “Nuk lutem vetëm për këta, por edhe për ata që nëpërmjet fjalës së këtyre do të besojnë në mua, që të gjithë të jenë një gjë e vetme, ashtu si ti o Atë je në mua e unë në ty, të jenë edhe ata në ne një gjë e vetme, që bota të besojë se ti më ke dërguar” (Gjn 17,20-21).