Çelësi i fjalëve të Kishës: “fake news”

Jo më larg se dje (24 janar), Papa Françesku bëri të ditur Mesazhin e tij për Ditën e 58-të Botërore të Komunikimit Shoqëror, kushtuar Inteligjencës Artificiale dhe përdorimit të saj. Pikërisht në të, Ati i Shenjtë përdor një sërë fjalësh relativisht të reja, që kanë të bëjnë me përdorimin negativ të Inteligjencës Artificiale, e cila mund të prodhojë lajme të rreme, manipulime e dezinformim. Një nga këto fjalë është “fake news” apo lajme të rreme, të cilën do ta shqyrtojmë sot

R.SH. – Vatikan

 “Fake news”, pra, lajmet e rreme apo pseudolajmet s’janë tjetër veçse informacione të gënjeshtërta, që përhapen përmes mediave me qëllimin për të prodhuar dezinformim. Në shqip do t’u shkonte për shtat fjala “shpifje”. Ato mund të jenë artikuj, ose publikime në rrjetet shoqërore, hartuar me informacione të shpikura, ose të shtrembëruara, për të krijuar shkandull, ose për të tërhequr sa më shumë njerëz në internet, që klikojnë mbi këto informacione, duke shtuar numrin e përdoruesve të asaj faqeje me qëllim fitimi. Por mund të përhapen edhe përmes televizionit, gazetave, përmes personazheve të spektaklit e madje, edhe politikanëve, për të mos folur për “influencer”, pra, për personat që kanë një farë publiku në internet.

 Kush mendon se “fake news” është fenomen i ditëve të sotme, pa dyshim, gabon. Lajmet e rreme janë përdorur që në fillimin e kohrave. Në librin e parë të "Luftës së Peloponezit", historiani grek Tukididi publikon një letër në të cilën ushtaraku spartan Pausanias shprehte synimin për të tradhtuar grekët e për t'iu nënshtruar mbretit persian Kserksi. Letra ishte e rreme, por Pausanias u muros i gjallë. Edhe Themistokliu ka qenë viktimë e së njëjtës letër, por arriti të arratisej para se të kapej. Në Romën e lashtë, në shekullin I para Krishtit, perandori August nisi një fushatë masive dezinformimi kundër rivalit të tij Mark Antonit, duke e akuzuar atë si alkoolist, si njeri që shkonte pas grave, si buratin i Kleopatrës. Përhapi edhe një testament të Mark Antonit, ku ai deklaronte se donte të varrosej në Aleksandri të Egjiptit, konsideruar që nga romakët e lashtë si falsifikim.

Bashkësitë e para të krishtera u persekutuan, për shkak të shpifjeve

 Edhe bashkësitë e para të krishtera u persekutuan për shkak të shpifjeve kundër tyre, sipas të cilave ato bënin "praktika të neveritshme" si inçesti, kanibalizmi dhe vrisnin fëmijët. Por pikërisht këto “fake news” e ndihmuan Neronin në vitin 64 pas Krishtit t'i fajësonte ata për Zjarrin e Madh të Romës, autor i të cilit ishte vetë perandori.

Në Evropë, gjatë mesjetës, ndodhën disa episode dhune, të cilat e kishin origjinën nga të ashtuquajturat “akuza gjaku”, teori konspirative judeofobike, sipas të cilave hebrenjtë pinin gjak njeriu, sidomos fëmijësh, gjatë Pashkëve hebraike. Një nga rastet më famëkeqe dhe më të diskutueshme, që patën të bënin me akuzat e gjakut, ndodhi në vitin 1475, në Trento, ku disa hebrenj u përfshinë në një hetim për vrasjen e një fëmije vendas të quajtur Simon. Judenjtë në bankën e të akuzuarve u bënë përgjegjës për vrasjen e foshnjës, që besohej të ishte kulmi i një flijimi ritual dhe për këtë arsye, disa prej tyre u ekzekutuan.

Qytete të shpikura

Pas zbulimit të Amerikës nga evropianët, në kontinentin e vjetër u përhapën histori vendesh me pasuri të pamasë, si El Dorado, Toka e Kokanjës, Qyteti i Cezarëve, që i shtynë njerëzit në ekspedita të rrezikshme. Këto histori u përdorën edhe për të justifikuar veprimet, nganjëherë të përgjakshme, të kolonizatorëve. Rreth shekullit XVII, në Francë, u përhap praktika e shtypjes së pamfleteve në format të vogël për të sharë kundërshtarët politikë. Në vitin 1809, Heinrich von Kleist botoi “Manualin e gazetarisë franceze”, ku për herë të parë, nxirret në pah qartësisht procesi me të cilën mediat prodhojnë dhe përhapin lajme të rreme.

Shembuj me “fake news”

Një nga shembujt më të famshëm me “fake news” daton në vitin 1814, në mes të periudhës Napoleonike, kur një burrë i veshur si oficer u duk në një bujtinë në Dover dhe deklaroi se Napoleoni e kishte humbur betejën dhe kishte vdekur. Lajmi mbërriti shpejt në Londër, ku kushtëzoi investimet në bursë. Shumë shpejt u zbulua se gjithçka ishte rezultat i një gënjeshtre, të krijuar, me sa duket për arsye politike, nga Charles Random de Berenger. Por, ndërkaq, konfuzioni vuri në vështirësi bursën më të rëndësishme angleze.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë luftës hispano-amerikane, u shtuan rastet e shtypit skandalist antihispanik (yellow journalism) dhe disa gazetarë publikuan lajmin sipas të cilit shpërthimi i luftanijes USS Maine në portin e Havanës ishte shkaktuar nga një sulm spanjoll, ndërsa ata e dinin se shkaku i vërtetë ishte një shpërthim i brendshëm.

 Më 1835, u publikuan në gazetën “New York Sun” një sërë artikujsh nga një astronom që nuk ekzistonte, Andrew Grant, i cili pretendonte se ishte mik i astronomit dhe matematicienti britanik John Herschel. Siç shkruante ky “miku”, Herschel kishte zbuluar ekzistencën e bimëve, të lumenjve e madje, edhe të disa kafshëve në Hënë. Këto artikuj imagjinarë tërhoqën me sukses abonentë të rinj dhe vetëm muajin vijues ekipi editorial pranoi se e kishte mashtruar publikun e vet.

Rasti i “Luftës ndërmjet botëve”

 Një shembull tjetër historik lajmi të rremë – aq sa të studiohet në kurset universitare të gazetarisë për psikologjinë e panikut - është rasti i transmetimit radiofonik “The War of the Worlds” (Lufta ndërmjet botëve), ideuar nga regjisori i famshëm amerikan Orson Welles, në vitin 1938. Transmetimi, brenda programit radiofonik të Welles “Mercury Theater on the Air”, përbëhej nga një sërë deklaratash për shtyp, që dukeshin si të dhëna nga autoritetet amerikane (përfshirë shkencëtarë, profesorë dhe funksionarë), por nuk kishte për qëllim përhapjen e ndonjë lajmi të rremë. Si në në fillim, ashtu dhe në fund të transmetimit, bëhej e qartë se ishte një përshtatje e romanit fantastiko-shkencor të H. G. Wells, “The War of the Worlds” për natën e Halloween, por shumë dëgjues e besuan si të vërtetë dhe menduan se Toka po pushtohej nga alienët.

Propaganda dhe përfitimi politik

Ndërkaq, dihet nga të gjitha përdorimi i gjerë i lajmeve të rreme për propagandë, sidomos nga nazifashistët, komunistët e nga diktaturat në përgjithësi. Shembulli më i fundit ka të bëjë me dhunën ne Kajro, më 2013. Gjatë grushtit të shtetit në Egjipt, u postua një video në YouTube në gusht të atij viti, ku tregoheshin protestuesit duke hedhur një makinë policie nga një urë. Videoja u analizua nga organizata të rëndësishme si Amnesty International e gjëja e parë, që u ra në sy studiuesve dhe gazetarëve (nga të cilët u dallua Christoph Koettl), ishte fakti se në asnjë moment nuk shiheshin protestues duke e shtyrë makinën e lartpërmendur. Më vonë, falë kërkimeve të mëtejshme, gazetarët zbuluan një video, e cila e tregonte skenën nga një këndvështrim tjetër më të gjerë, ku shihej qartë se makina kishte rënë nga ura, për shkak të përplasjes me një automjet tjetër. Ngjarjet e filmuara në video kishin ndodhur vërtet, por ishin manipuluar qëllimisht për të krijuar një lajm të rremë.

Këta shembuj mjaftojnë për të na bërë të kuptojmë pse Papa Françesku, në Mesazhin për Ditën e sivjetme të Komunikimit, ngul këmbë në etikën e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, e cila, siç nënvizon ai, mund të sjellë një skllavëri të re, ose një fitore të re lirie për njerëzimin. “I takon njeriut të vendosë nëse do të bëhet ushqim për algoritmet, apo do ta ushqejë zemrën e vet me liri”, nënvizon Ati i Shenjtë, që kërkon të zhvillohet aftësia për mendim kritik ndaj informacionit të marrë përmes mediave.

25 janar 2024, 08:42