Kërko

Java e lutjes per bashkimin e të krishterëve 2024 Java e lutjes per bashkimin e të krishterëve 2024

Çelësi i fjalëve të Kishës: Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve

Tema Javës së lutjes për Bashkimin e të krishterëve 2024, nga 18 deri më 25 janar - “Duaje Zotin, Hyjin tënd… e duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” - u zgjodh nga një grup ekumenik i Burkina Fasos, i cili përfaqëson traditat e ndryshme të krishtera të vendit afrikan, në bashkëpunim me bashkësinë lokale të lëvizjes “Chemin Neuf”, e cila punon për unitetin e krishterë. Nëse Zoti është Ati dhe Nëna e të gjithëve, atëherë mund të dëshmohet dashuria për të tjerët brenda dhe përtej çdo besimi fetar

R.SH. – Vatikan

 “Duaje Zotin, Hyjin tënd… e duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”: ky është verseti i Ungjillit sipas Lukës (10,27), që do të jetë boshti i Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve 2024, e cila, si zakonisht, do të mbahet nga 18 deri më 25 janar.

Tema u zgjodh nga një grup ekumenik i Burkina Fasos, i cili përfaqëson traditat e ndryshme të krishtera të vendit afrikan, në bashkëpunim me bashkësinë lokale të lëvizjes “Chemin Neuf”, anëtarët e së cilës impenjohen veçanërisht për unitetin e krishterë. Në paraqitjen e doracakut të këshillave për kremtimin e kësaj Jave në Itali, përgatitur nga Këshilli Rajonal i Kishave të Krishtera të Kampanies, shpjegohet:

“Themeli i dashurisë vëllazërore është vetë Zoti: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, dhe vëllazërimi universal mbetet ëndrra e hapur e të Amshuarit, që na jepet si “dhuratë” për t’u ruajtur dhe si "detyrë" për t’u realizuar. Është ëndërr e ditës për diell, e rrezeve të para të agimit, pra, profetike dhe plot shpresë, që ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh dhe për atë të Kishave e të bashkësive tona të krishtera. Nëse Zoti është Ati dhe Nëna e të gjithëve e nëse ne jemi të gjithë vëllezër e motra dhe popujt e kombet janë gjithnjë e më të ndërvarur nga njëri-tjetri, atëherë është e mundur të jetohet, të realizohet dhe të dëshmohet dashuria për të tjerët brenda dhe përtej çdo besimi fetar”.

Edhe uniteti është karakteristikë e Hyjit, i cili nuk është shumë zota, por një Zot i vetëm, që ka lindur një Bir të vetëm, duke e ruajtur njëninë e vet. Uniteti duhet të jetë si rrjedhojë, edhe shenja dalluese e bashkësisë së besimtarëve. Nuk është unitet për qëllime strategjike, por bashkim i vërtetë, dhuratë hyjnore, që i ka rrënjët te Krishti e te Zoti: “Unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju…Banoni në mua sikurse edhe unë në ju… Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt” (Gjoni 14,20; 15,4-5). E lutja që Jezusi i bën Atit në mbrëmjen e fundit të jetës së tij tokësore vë në pah dëshirën e Krishtit që të gjithë ata që besojnë në Të të jenë një gjë e vetme, si Ati me Birin.

Shën Pali Apostull, duke kritikuar përçarjen e Kishës së Korintit, i fton besimtarët të flasin njëlloj, duke marrë shembull Krishtin, të cilin e gjejmë në Eukaristi. Në fakt në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, shën Pali nënvizon: “Pasi është një bukë e vetme, ne edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjestarë të një buke” (10,17).

E Apostulli i Popujve e shtrin këtë koncept edhe mbi jetën e Kishës. Ajo është korpi i Krishtit, pra prania e tij shëlbuese e aktive në histori. Kisha përmban në vetvete dy përmasa të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Është unitet në veprim, por edhe shumëllojshmëri organike, pasi të shumta janë gjymtyrët e saj. Shën Pali fton që të ndërtohet uniteti, pa krijuar një bllok monolit, që do të kishte natyrën e një guri të ftohtë e jo të një krijese të gjallë. Për këtë, ai ngre në qiell dashurinë, si burim i unitetit dhe i pluralizmit. Vetëm kështu, Kisha nuk kalon në anarkinë e individualiteteve e të egoizmave, por edhe nuk bllokohet në një bashkim mbytës, pa jetë, karakteristik për diktaturën.

Kur flasim për një Kishë të vetme, ky është kuptimi i unitetit të saj. Është dhurata e dashurisë së Zotit, që e bën Kishën një, pavarësisht nga shumëllojshmëria e karizmave dhe e popujve që e përbëjnë. Prandaj, të meditojmë para fjalëve të Letrës drejtuar Efesianëve: “S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, një shpresë të vetme, një fe, një pagëzim, një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve”.

11 janar 2024, 09:27