Re Magi Re Magi

Çelësi i fjalëve të Kishës: Mbretërit Dijetarë

Të udhëhequr nga ylli, Mbretërit Dijetarë arritën në Betlehem, në vendin ku lindi Jezusi, e adhuruan dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. Dijetarët që vijnë nga larg përfaqësojnë të gjithë njerëzit, që vijnë nga larg. Ungjilli sipas Mateut (2,1-12) është i vetmi burim kanonik, që e përshkruan episodin e vizitës së tyre tek Foshnja Hyjnore.

R.SH. / Vatikan

Pasnesër, më 6 janar Kisha Katolike romake kremton Festën e Dëftimit të Zotit e ndër Shpellat e Betlehemit, që paraqesin lindjen e Jezusit, vendosur në çdo shtëpi, së paku që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar, ose sipas traditës së çdo vendi, hyjnë tre Mbretërit Dijetarë: Melkiorri, Baldasari e Gaspri. I sjellin si dhuratë Krishtit Fëmijë, ar, kem (temjan) e mirrë.

Por a janë vërtet tre këta dijetarë, a ishin mbretër e nga e dimë se quheshin ashtu siç i thërrasim sot? Ungjilli sipas Mateut (2,1-12) është i vetmi burim kanonik, që e përshkruan episodin e vizitës së tyre tek Foshnja Hyjnore. Së pari, Mbretërit Dijetarë mbërrijnë në Jeruzalem dhe i bëjnë një vizitë Herodit, mbretit të Judesë romake, duke e pyetur ku ishte “mbreti i sapolindur”, sepse kishin parë “yllin e tij”. Herodi, duke dëshmuar se nuk e njihte aspak profecinë e Besëlidhjes së Vjetër (Mikea 5,1), u shqetësua dhe pyeti skribët ku duhej të lindte Mesia. Pasi mësoi se ishte fjala për Betlehemin, i drejtoi për në atë qytet, duke u kërkuar t’i tregonin më pas edhe atij, në mënyrë që të shkonte për ta adhuruar.

Të udhëhequr nga ylli, Mbretërit Dijetarë arritën në Betlehem, në vendin ku lindi Jezusi, e adhuruan dhe i dhuruan ar, kem e mirrë. Të lajmëruar në ëndërr të mos ktheheshin te Herodi, morën një rrugë tjetër për në vendin nga kishin ardhur. Me ta zbuluar këtë, Herodi u tërbua dhe dha urdhër të vriten të gjithë fëmijët e Betlehemit nën dy vjeç. Ndodhi kështu masakra apo ploja e të pafajshmëve, por shën Jozefi, i paralajmëruar në ëndërr, iku në Egjipt, së bashku me familjen, duke e shpëtuar kështu Jezusin.

Kjo pjesë e Ungjillit sipas Mateut  (2,1-12) nuk na jep numrin e saktë të dijetarëve, por tradita më e përhapur, bazuar në citimin e tri dhuratave, flet për tre burra. Në të vërtetë, teksti grek përmend “disa Dijetarë nga Lindja” (μαγοι απο ανατολων, magoi apo anatolōn), pra, thjesht, ishin më shumë se një. Teksti nuk specifikon as intervalin kohor ndërmjet lindjes së Jezusit dhe mbërritjes së Dijetarëve në Betlehem.

Nga Ungjilli sipas Lukës dimë se Jozefi, Maria e Jezusi qëndruan në Betlehem së paku për 40 ditë, pra, deri në Paraqitjen në Tempull. Sipas disa autorëve, që propozojnë harmonizimin e ngjarjeve të treguara nga Ungjijtë, vizita e Dijetarëve dhe ikja e mëpasme në Egjipt duhet të kenë ndodhur pas Paraqitjes në Tempull e jo siç thotë tradita liturgjike, e cila lë vetëm 12 ditë ndërmjet Krishtlindjes dhe Epifanisë. E nëse bazohemi mbi pjesën e Ungjillit sipas Mateut, ku flitet për masakrimin e të pafajshëmve (2,16), mund të jemi të sigurtë se vizita e Dijetarëve është bërë brenda dy vjetëve nga lindja e Jezusit. Ka edhe supozime të tjera.

Ekzegjeza historiko-kritike, duke filluar nga shekulli XIX, propozon disa kritere për të dalluar faktet historike nga tregimet e krijuara nga bashkësitë e para të krishtera, ose nga vetë ungjilltarët. Një numër i madh biblistësh nënvizojnë se në rastin e kapitullit të dytë të Ungjillit sipas Mateut nuk jemi përpara një kronike, por para një kompozimi didaskalik midrashik (Midrashi është teksti i interpretimit të Shkrimit Shenjt për hebrenjtë): pra, një kompozim letrar i menduar për të dhënë një mësim të caktuar.

Kush e shkroi tregimin e vizitës së Dijetarëve në Betlehem njihte mirë histori të ngjashme të letërsisë fetare të kohës dhe e dinte mirë se Jezusi, i konsideruar i dërguar prej Zotit, u kundërshtua fuqishëm nga pushteti politik e fetar, por u mirëprit nga njerëzit e thjeshtë. Kështu, sipas këtij interpretimi, Herodi dhe ambienti i Jeruzalemit shihet si simbol i pushtetit politik e fetar të kohës, ndërsa Dijetarët që vijnë nga larg përfaqësojnë të gjithë njerëzit, që vijnë nga larg, të cilët shikoheshin me dyshim. Teksti ungjillor lë të kuptohet qartë se Dijetarët nuk ishin hebrenj e nuk e njihnin Shkrimin Shenjt hebraik.

Studiuesit më të lidhur me traditën mendojnë se ngjarja e vizitës së Mbretërve Dijetarë ka ndodhur edhe historikisht, por vënë në dukje se nuk është qëndrore për fenë e krishterë, pra, edhe nëse është legjendë, nuk do të ndryshonte gjë për besimtarin.

Termi që në shqip është përkthyer si “dijetar” vjen nga persishtja e në greqisht quhet “màgos” (në shumës “màgoi”). Është titull, që u referohet specifikisht meshtarëve të Zoroastrizmit, tipikë në Perandorinë persiane. Nuk ishin magjistarë, siç mund të mendohet duke parë termin në persisht e në greqisht, por astrologë të shquar, në të njëjtin nivel me ata, që hebrenjtë i quanin “skribë”, grekët “filozofë” e latinët “të urtë”. Kujtojmë se astronomia e astrologjia nuk ishin akoma të ndara.

Në disa versione më të lashta të Shkrimit Shenjt, si për shembull, në Biblën e Jakut mbret, Dijetarët konsiderohen “njerëz të urtë”, në kuptimin e filozofëve, shkencëtarëve apo të njerëzve të rëndësishëm, term që i afrohet më shumë përkthimit shqip. Fakti që vinin nga Lindja i identifikon si astrologë të Perandorisë persiane, pavarësisht se Ungjilli nuk e thotë këtë shprehimisht. E as nuk thotë askund se ishin mbretër, por ata bëhen të tillë në traditën liturgjike të krishterë, sepse festa e Dëftimit të Zotit është e lidhur me Psalmin 72/71: “Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve dhurata do të sjellin, mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat” (10). Ka edhe interpretime, sipas të cilave titulli “mbret” iu dha Dijetarëve për të ndjekur shembullin e mbretërve të krishterë të kohës, pas Kostandinit.

Ungjilli sipas Mateut nuk e thotë numrin e Dijetarëve, por tradita popullore e krishterë i konsideron shpesh si tre mbretër, duke u dhënë emrat: Melkiorr, Baldasar e Gaspër. Ekzistojnë edhe tradita, ku Dijetarët janë dy ose më shumë se tre, deri në 12 vetë. Zhvillime të mëvonshme i konsiderojnë Mbretërit Dijetarë si të ardhur nga tre kontinentet e njohura deri atëherë (Evropa, Azia dhe Afrika) e për këtë arsye paraqiten si një i bardhë, një arab e një i zi.

Që nga shekujt e parë të krishterimit, Dijetarët janë lidhur me qëndrime pozitive, në kërkim të një drite shpirtërore, madje, mendohej se kishin kontribuar në përzënien e demonëve e në ikjen e tyre drejt Ferrit. E meqë ishin meshtarë, megjithëse zoroastrianë, duke ndjekur yllin (që Ungjilli nuk thotë se ishte kometë) e duke i bërë vizitë mbretit të sapolindur të Izraelit, e njohën si zot, madje, si Zotin e vetëm, që adhurohej edhe nga zoroastrët. Pra, Dijetarët shkuan në grazhdin e Betlehemit të vetëdijshëm për rëndësinë fetare e kozmike të lindjes së Krishtit.

Megjithëse nuk citohet në Kuran, tregimi për Mbretërit Dijetarë ishte i mirënjohur në Arabi. Enciklopedisti arab al-Tabari, në shekullin IX, flet për dhuratat e Dijetarëve, duke u dhënë të njëjtin kuptim, që u japin të krishterët, pra ari shihet si simbol i mbretërisë, kemi si simbol i meshtarisë e mirra, që është bar i përdorur për ruajtjen e kufomave, si simbol i shlyerjes së mëkateve të njerëzve përmes vdekjes së Krishtit. Ai citon si burim për këtë, tradicionistin perso-arabo jemenit të shekullit VII, Wahb ibn Munabbih.

 

04 janar 2024, 09:48