Fëmijë që përgatit Shpellën e Betlehemit Fëmijë që përgatit Shpellën e Betlehemit

Fëmijë, që ndihmojnë fëmijë: prej 73 vitesh, të vegjlit në qendër të misionit

Edhe sot, Vepra Papnore e Fëmijërisë Misionare vijon punën e filluar nga ipeshkvi i Nancy, imzot Charles de Forbin-Janson, që, i prekur nga lajmet e misionarëve francezë në Kinë, të cilët flisnin për fëmijët e shumtë, që vdisnin pa u pagëzuar, pati një ide: të impenjonte fëmijët e Francës për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre, përmes lutjes dhe kontributit material

R.SH. – Vatikan

Më 6 janar 2024, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Kisha Katolike kremton edhe Ditën e Fëmijërisë Misionare, themeluar nga Papa Piu XII më 4 dhjetor 1950 dhe organizuar, edhe sot, nga Vepra Papnore e Fëmijërisë Misionare. Gjithçka filloi në Francë, nga mesi i shekullit XIX, kur ipeshkvi i Nancy, imzot Charles de Forbin-Janson, i prekur nga lajmet që sillnin misionarët francezë në Kinë, të cilët flisnin për fëmijët e shumtë, vdekur pa u pagëzuar, pati një ide: të impenjonte fëmijët e Francës për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre, përmes lutjes dhe kontributit material.

Papa Piu XI e njohu vlerën e kësaj nisme, e cila, për herë të parë, i përfshinte fëmijët në veprimtarinë misionare të Kishës. Kështu, më 3 maj 1922, ai themeloi Veprën Papnore të Fëmijërisë Misionare, e cila i dha dhe i jep botës këtë mesazh: fëmijët ndihmojnë fëmijët. Shumë vende u bashkuan me nismën. Doli në pah dhe u kuptua nga të gjithë forca misionare e fëmijëve, të cilët i befasuan meshtarët dhe ipeshkvijtë me impenjimin e tyre, që i vendosi në qendër të Kishës dhe të botës.

Fëmijë në shkollë katolike në Tanzani
Fëmijë në shkollë katolike në Tanzani

Shpesh mendojmë se të vegjlit kanë nevojë vetëm për kujdesin tonë, por ata janë në gjendje të aktivizohen edhe në veprimtari të ndryshme. Le të mendojmë, për shembull, për ata fëmijë, të cilët, të nxitur nga feja e bashkëmoshatarëve, kërkojnë të marrin pagëzimin, duke pasuruar rrugën e grupit të tyre me dhurata e krijimtari. Çdo i krishterë është misionar. Edhe fëmijët mund ta dëshmojnë, ta jetojnë dhe ta kumtojnë dashurinë për Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës.

 E ne mund t'i ndihmojmë duke i edukuar, që në moshë të vogël, për ta kthyer vështrimin drejt fëmijëve në nevojë, sidomos drejt më të largtëve, për të cilët mund të luten e të shprehin solidaritetin, edhe me sakrifica të vogla. Siç thoshte imzot Forbin-Janson: "Një Falemi Mari në ditë, një monedhë në muaj".

05 janar 2024, 10:52