Kërko

 100 anni dello Studium Biblicum Franciscanum, 2024.01.17 100 anni dello Studium Biblicum Franciscanum, 2024.01.17

Festimet në Romë për njëqindvjetorin e Studium Biblicum Franciscanum

Audienca me Papën, një konferencë me kardinalin de Mendonça dhe një ekspozitë deri më 27 janar, për të festuar 100-vjetorin e institucionit akademik me qendër në Jerusalem e pjesë përbërëse e Universitetit Antonianum. Eprori i françeskanëve Fusarelli: "Ky universitet është perla jonë"

"Puna juaj e matur dhe e pasionuar, është më e çmuar se kurrë". Me këto fjalë Papa Françesku vlerësoi punën e Studium Biblicum Franciscanum,  institucion akademik i kryesuar nga familja françeskane me qendër në Jerusalem dhe pjesë përbërëse e Universitetit Papnor Antonianum të Romës, i lidhur me Fakultetin e Shkencave Biblike dhe të Arkeologjisë. Sivjet “Franciscanum”, siç njihet më shumë, feston njëqindvjetorin e krijimit.

 Në Romë, ndërmjet 15 dhe 16 janarit, u organizuan veprimtari të shumta për ta kremtuar përvjetorin, me një gamë të gjerë studimesh biblike - nga diploma në doktoraturë - por edhe me kurse në arkeologjinë, historinë dhe gjeografinë e Tokës Shenjte, e edhe me vizita në viset biblike. Ngjarja e parë për 100 vjetorin ishte audienca e të gjithë anëtarëve me Papën në Pallatin Apostolik më 15 janarin e kaluar. Gjatë këtij takimi, Papa Françesku vlerësoi punën e Studimit Biblik Françeskan dhe nënvizoi se studimi, meditimi e reflektimi mbi tekstet biblike, duhet të jenë "në zemër të Kishës, popull shenjt dhe besnik i Perëndisë”.

Atë Fusarelli: Instituti është "perlë"

Këto fjalë të Papës na i kujton vëllai Massimo Fusarelli, epror i përgjithshëm, apo, siç thirret zakonisht, gjeneral i françeskanëve, i cili nënvizon, për Vatican News, se Studium Biblicum Francescanum ekziston pikërisht për popullin e Zotit. "Studentët njohin vendet biblike, mësojnë gjuhët origjinale, për t’u shërbyer pastaj njerëzve në vendet e tyre" - shpjegon Atë Fusarelli, gjeneral i françeskanëve - "sepse kthehen me një përvojë, që mund ta fitojnë vetëm në Tokën e Shenjtë. Ja pse ky universitet është perla jonë".

Kujtojmë këtu se në këtë “perlë” studioi edhe françeskani shqiptar, atë Gazmend Tinaj i cili, veç njohurive që mori, si u kthye rishtas në Shkodër, e lidhi popullsinë e Qytetit të Veriut me Tokën Shenjte.

Konferencë në Antonianum me kardinalin de Mendonça

Më 16 janar, në Antonianum u mbajt një konferencë me kardinalin José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin. Në fjalën e tij, kardinali nënvizoi se studentët e universitetit po i kuptojnë gjithnjë e më të thellë Shkrimet e Shenjta, sepse studimet e tyre pasurohen nga kontakti i drejtpërdrejtë me Tokën Shenjte. Ky, nënvizoi ai, është “karakteri dallues” i universitetit i cili “si institucion i kualifikuar shkencor mund të japë një kontribut me shumë vlerë”.

Dekani Pierri: prani përvoje shekullore

Në përfundim të konferencës, vëlla Rosario Pierri, dekan i Studimit Biblik Françeskan, nënvizoi, për Vatican News, se Universiteti bazohet në  traditën 800-vjeçare të pranisë së françeskanëve në Tokën e Shenjtë dhe në kërkimet historike e gjeografike të kryera ndër shekuj: "Kjo është përvoja që ne ua kalojmë studentëve tanë dhe ata më pas e mbartin në vendet e tyre".

Ekspozitë kushtuar universitetit

Me rastin e festimeve të njëqindvjetorit u përurua ekspozita me titull “Çka dëgjuam, pamë dhe prekëm”. Është një shprehje e shkëputur nga Ungjilli i Shën Gjonit, që nxjerr në pah karakteristikat e universitetit. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 27 janar në kriptën e Bazilikës së Sh’na Ndout, në Lateran, në Via Merulana, 124.

17 janar 2024, 15:51