Fjala e Zotit, e diela 2-të gjate vitit kishtar 'B'
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojë së bashku leximet biblike të Dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Fjala e Zotit e dielës së 2të gjatë vitit kishtar ‘B’
Me përfundimin e festave të Krishtlindjes e Vitit të Ri, Kisha katolike e ritet latin kthehet në kohën e zakonshme të vitit liturgjik. Kështu, Kisha na fton tё kthehemi në jetën e përditshme, ashtu siç bёn secili qё shkon sërish në punë pas pushimeve e vazhdon gjërat e zakonshme. Por, vetëm në dukje, çdo gjë është “e zakonshme” a ma mirë të themi e "jashtëzakonshme", pasi për të krishterin, normaliteti i jetës së përditshme nuk do të thotë kurrë banalitet. Shpesh, pikërisht në jetën e përditshme, atë pa shumë zhurmë e bujë, vendoset fati i shpirtit të njeriut. Bukuria e kësaj kohe tё zakonshme të vitit liturgjik qëndron në faktin se Kisha na fton ta jetojmë realitetin e përditshëm si rrugë drejt Zotit, do të thotë i udhë shenjtërimi, pra, si rrugë feje e miqësie me Jezusin, i cili zbulohet e rizbulohet vazhdimisht si Mësues e Zot, Rruga, e Vërteta dhe Jeta e njeriut.
Leximet biblike tё Dielёs sё Dytё gjatё vitit kishtar, ciklit të dytë, reflektojnë mbi temën e thirrjes. Ungjilli i kësaj të diele të parë të kohës së Zakonshme na ofron thirrjen e dishepujve të parë, një fragment që kujton edhe shumë faqe të Besëlidhjes së Vjetër. Gjon Pagëzuesi u tregon dishepujve kë duhet vërtet të dëgjojnë e të ndjekin pas: Zotin Jezus. Kështu, në Ungjillin e Gjonit, ndjekim Jezusin në çastet kur i pyet dishepujt e parë se çfarë kërkojnë; ndërsa në Leximin e parë, prej Librit të parë të Samuelit, dëgjojmë thirrjen e Samuelit profet. Në të dy leximet, vihet theksi mbi figurën e ndërmjetësuesit, që i ndihmon njerëzit e thirrur ta njohin zërin e Zotit dhe ta ndjekin.
Në rastin e Samuelit, këtë rol e luan Heliu, prifti i tempullit të Silo-s. Ndërsa në rastin e dishepujve të Jezusit, figura ndërmjetësuese është Gjon Pagëzuesi. Nënvizohet, kështu, roli vendimtar i udhëheqësit shpirtëror në rrugën e fesë e, posaçërisht, në përgjigjen ndaj thirrjes për ta vënë gjithë jetën në shërbim të Zotit e të popullit të Tij. Fjala e Zotit, pra, na fton të rimarrim, në fillim të çdo viti të ri, rrugën e fesë, që s’përfundon kurrë. “Mësues, ku banon?”, me dishepujt edhe ne e pyesim Jezusin e Ai na përgjigjet: “Ejani e do ta shihni”. Tё mos ngurrojmë tё ecim pas Tij.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 1 Sam 3, 3-10.19
Lexim prej Librit të parë të Samuelit
Në ato ditë, Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. Zoti e thirri Samuelin. Ai iu përgjigj: “Urdhëro!” U lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre.” Heliu i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli!” Ai shkoi e ra të flinte. Zoti përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi te Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse më thirre.” Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli!” Samueli ende nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar. Por Zoti e thirri përsëri Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi te Heliu e i tha: “Urdhëro, sepse më ke thirrur!” Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt!’” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet të rëndomtë. Zoti erdhi e qëndroi pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel!” E Samueli u përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon.” Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 40
Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,
dhe ai u prirë drejt meje, e vështroi britmën time. Në gojë më vuri një këngë të re, himnin e Zotit, Hyjit tonë.
Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd: fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, atëherë thashë: ‘Ja, po vij unë’.
Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
“Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di
Leximi i dytë 1 Kor 6, 13-15.17-20
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, trupi nuk është për fëlligështi, por për Zotin, e Zoti për trupin. Tani, Hyji që e ngjalli Zotërinë me fuqinë e vet, edhe ne do të na ngjallë.
A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A do t’i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e do t’i bëj gjymtyrë të një lavireje? Mos e thashtë Zoti! Kurse ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt. Ikni prej fëlligështisë! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, kurse ai njeri që bën fëlligështi, mëkaton kundër trupit të vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmimin! Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Aleluja. Aleluja.
Fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon. Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.
Ungjilli Gjn 1, 35-42
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata i përgjigjën:“Rabbi (që do të thotë: Mësues), ku banon?” “Ejani e shihni!” – u përgjigji. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës katër pasdite.
Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky më të parin gjeti vëllain e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë (që do të thotë: të Shuguruarin)!” Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” (që do të thotë: Pjetër-Shkëmb). Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Dritan Ndoci: TË NDJEKIM JEZUSIN! 1 Sam 3, 3-10.19; Ps 40 (39); 1 Kor 6, 13c-15. 17-20; Gj 1, 3
Një herë, në kohën e etërve të shkretëtirës – njerëz të cilët, në shekullin e dytë tërhiqeshin në shkretëtirë për t’u lutur, për të lexuar e medituar më thellë mbi Fjalën e Zotit – thuhet se një djalosh i ri vendosi të shkonte e të takonte njërin prej tyre. Kur e takoi, i tha: «Edhe unë dëshiroj t’i kushtohem Zotit sikurse i jeni përkushtuar ju.» Plaku i urtë e ftoi që ta ndiqte dhe, së bashku, shkuan pranë një lumi, hynë në ujërat e tij dhe njeriu i Hyjit e ftoi djaloshin të zhyste kokën në ujë. Ai ashtu bëri dhe plaku i vendosi dorën mbi kokë duke e mbajtur të zhytur.
Pas pak djaloshi filloi të jepte shenja se donte të dilte, por ai vazhdonte ta mbante nën ujë. Djaloshi edhe më fort i bën me shenjë se dëshironte të dilte, por plaku nuk ia lejonte. Pasi djaloshi vërtet filloi me dhunë të dëshironte të nxirrte kokën, njeriu i urtë e lëshoi. Kur doli iu drejtua me habi: «Ç’bëre? Gati sa s’vdiqa.» Ai ia ktheu: «Desha vetëm të të tregoj se, deri sa të mos e kesh dëshiruar Zotin aq sa dëshirove ajrin kur ishe nën ujë, nuk do të mund ta ndjekësh Atë.»
E Shkrimi i Shenjtë sot na paraqet disa personazhe që vërtet e kanë dashur Hyjin me gjithë forcën e tyre dhe e kanë dëshiruar atë më fort se ajrin.
Dy personazhet e para i gjejmë në leximin e parë që dëgjuam, i cili është marrë nga libri i parë i Samuelit profet.
I pari është vetë Samueli, të cilin e shohim se sa i gatshëm u tregua qysh i vogël që t’ia hapte zemrën Hyjit kur Ai hyri në jetën e tij.
I dyti është Heliu, prifti që shërbente në tempull. Samueli kishte qenë kushtuar në tempull nga e ëma qysh se ishte i njomë e prandaj flinte në ndonjërën prej atyre ndërtesave ngjitur me tempullin, ku flinin priftërinjtë që kishin turnin të kryenin ritet e shenjta. Me sa duket, Samueli nuk do të kishte arritur ta njihte zërin e Zotit, sikur të mos kishte pasur pranë këtë njeri, priftin Heli, njeri i cili ishte në gjendje ta dallonte zërin e Hyjit në jetën e tjetrit.
Kemi nevojë të gjithë për dikë që të na e mësojë këtë “art” të shenjtë të dëgjimit të Hyjit. Sa bukur! Heliu duket si i shtëpisë me gjërat e Hyjit, me mënyrat e Tij të të vepruarit dhe e merr me mend kur Zoti po i kalon pranë. Sa bukur do të ishte sikur një prind – edhe pse Heliu nuk ishte prindi i Samuelit, por prifti që shërbente në Tempull – të dinte ta perceptonte kalimin dhe veprimin e Zotit në jetën e fëmijëve të vet dhe t’i mësonte ata që ta njihnin një veprim të tillë!
Persoazhi i tretë na paraqitet nga Ungjilli. Gjon Pagëzuesi përsërit në një farë mënyre veprimin e Heliut: i drejton nxënësit e vet kah Mësuesi i vërtetë: «Qe, Qengji i Hyjit!» Si të thoshte «Atë duhet të ndiqni tani, jo mua!»
Personazhi tjetër është Gjoni ungjilltar, emri i të cilit nuk përmendet në Ungjill, por mund ta marrim me mend, duke qenë se jemi duke lexuar pikërisht Ungjillin e shkruar nga ai. Ai dhe Andrea vihen në ndjekje të Jezusit dhe shkojnë të banojnë tek ai.
Por është një detaj që mbase na ikën nga vëmendja jonë, duke qenë se duket si i parëndësishëm: rreshti që thotë «Ishte rreth orës dhjetë.» Kur Shën Gjoni e ka shkruar këtë pjesë, patjetër që kishte filluar të ishte në moshë mjaft të shtyrë. Por gjëja befasuese është se ai mban mend deri edhe orën në të cilën Jezusi hyri në jetën e tij, çastin kur shikimi i tij u ndërthur për herë të parë me shikimin e Zotit të vet. I ngjan edhe atij e njëjta gjë që i ngjau edhe Samuelit profet. Në mos edhe më fort, duke qenë se jo vetëm që e dëgjon Zotin, por edhe e sheh atë.
Mban mend një detaj kaq të vogël. Si puna e dy të fejuarve që e duan fort njëri-tjetrin dhe janë në gjendje t’i kujtonë edhe pas shumë vitesh detajet e takimeve të para. Apo si puna e një nëne që mban mend vitin, muajin, datën dhe orën kur për herë të parë mori në krahë fëmijën e saj.
Përsonazhi i pestë është Andrea, vëllai i Pjetrit: ky, kur takon Jezusin, shkon e thërret edhe të vëllanë duke i thënë: «E gjetëm Mesinë» dhe e sjell tek Jezusi. Si Andrea bëjnë të gjithë ata që e takojnë Jezusin në jetën e tyre: kanë dëshirë t’ua mundësojnë edhe të tjerëve një takim të tillë. Pa imponim, pa interes, por vetëm ngaqë kanë zbuluar në Jezusin kuptimin e qenies së tyre.
I gjashti është Pjetri i cili, kur i vëllau e fton të takojë Jezusin, e lejon veten të vihet në ecje drejt Mesisë së shumëpritur nga Izraeli dhe e gjen. «Kërkoni e do të gjeni», do të thoshte Jezusi në predikimet e veta më vonë.
E personazhi i fundit, që Shkrimi Shenjt na vë në dukje, është pikërisht Shën Pali. Ai në letrën e tij shkruan me tone shumë të qarta: «A nuk e dini se trupat tuaj janë Tempulli i Shpirtit Shenjt?» Këtu Shën Pali nuk na flet për detajet e takimit të tij me Zotin e vet (këtë gjë ai do ta bëjë diku tjetër në letrat e tij), por na bën të shohim se sa thellë mund të prekë marrëdhënia e njeriut me Hyjin: jo thjesht të prekë shpirtin – term me të cilin ne gabimisht nënkuptojmë botën e mendimeve dhe diçka që është si dikush tjetër brenda nesh – por edhe trupin.
Nuk duhet t’i ndajmë trupin nga shpirti. Shkencat njerëzore me të drejtë tashmë pohojnë se njeriu gabon kur thotë se «unë kam një trup», thënie e cila duhet zëvendësuar me «unë jam një trup». Cili është dallimi? Është fakti se, trupi, nuk është diçka si peshë të cilën na ka rënë fati i mirë apo i keq ta mbartim, por trupi ynë është vendi ku uni (njeriu pra) komunikohet dhe realizohet.
Si pasojë, pra, nuk mund të justifikohemi, si shpesh bëjmë, se «me shpirt do ta ndiqja Zotin, por ç’t’i bëj trupit që ka dëshira e nevoja të tjera.» E vërteta, mbase, do të ishte një tjetër: fakti se Zoti nuk ka ende vend konkret në jetën time, se Atë ende nuk e vlerësoj si ajrin për mua.
Një i ri këtu mund të justifikohet duke thënë se e do Zotin, por pasionet e tija nuk arrin t’i kanalizojë e, si pasojë, del në përfundimin e çuditshëm: «S’bën për mua çështja e fesë.» Po kaq i çuditshëm është edhe përfundimi i ndokujt që për hiçgjë kultivon mllef e inat brenda vetes dhe justifikohet me fjalët «Ç’t’i bëjmë? Jemi në shekull.»
Mbase përfundime të tilla shprehin vetëm dëshirën për të mos ndryshuar e për të mos e ndjekur realisht Jezusin. Shën Pali e ka kuptuar mirë se besimi në Hyjin prek çdo aspekt të jetës së të krishterit ose përndryshe nuk mund të quhet i tillë.
Prandaj në fillim të leximeve të kësaj kohe «gjatë vitit B», Kisha na vë përpara një Ungjill që flet për ndjekjen e Jezusit nga ana e dy nxënësve të parë, për të na nxitur edhe ne në një ndjekje të tillë në jetën tonë.
E kur është e mundur që të ndiqet realisht Hyji? Kur i krishteri ka një përvojë të vërtetë dhe personale me Të, kur historia e tij dhe historia e Hyjit ndërthuren si dy shikime të ëmbla. Kur besimtari ia hap zemrën Hyjit (Samueli); kur është si i shtëpisë me zërin e Tij (Heliu); kur di t’i drejtojë të tjerët kah Ai e jo kah vetja (Gjon Pagëzuesi); kur takimi me Të lë gjurmë aq të ëmbla në jetën e tij, saqë i kujton me ëndjë edhe detajet e kësaj përvoje (Gjoni Ungjilltar); kur mbushet me zell për të mundësuar që Jezusin ta takojnë edhe të tjerët (Andrea); kur vihet në ecje për të kërkuar të vërtetën (Pjetri) dhe kur është i bindur se krejt qenia e tij – «trup e shpirt» – ka dinjitetin e pazëvendësueshëm të të qenit Tempull i Shpirtit Shenj (Pali). Pra, kur Zotin e kërkon më fort se ajrin.
Megjithatë, kurrë nuk duhet harruar se, Ai pa të cilin ndjekja e Hyjit do të ishte e pamundur, është pikërisht vetë Hyji. Pa Hirin e Tij, askush nuk do të mund t’i shkonte pas. Jezusi, diku në Ungjill, do t’u thotë nxënësve të vet: «Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju e ju caktova që të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë.» Është Hyji protagonisti i parë i çdo lloj thirrjeje në Kishë: është Ai që thërret e që garanton ndihmën e Tij. Pa Të, nuk mund të japim kurrë fryte. «Pa mua, nuk mund të bëni asgjë.» – thotë Jezusi përsëri diku tjetër në Ungjill. E ashtu është: pa Hirin e Tij, nuk do ta arrijmë kurrë përsosmërinë e ndjekjes
Dom Dritan Ndoci