Fjala e Zotit e solemnitetit të Epifanisë - Dëftimit të Zotit
R.SH. / Vatikan
Më 6 janar Kisha katolike romake kremton festën e Dëftimit të Zotit, e cila ndër shqiptarë njihet edhe si e kremtja e Ujit të Bekuar. Me festën e Dëftimit të Zotit, Kisha përkujton ardhjen e tre Dijetarëve nga Linjda në Shpellën e Betlehemit,e pikërisht momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.
Liturgjia e Fjalës e festës së Dëftimit të Zotit
Ungjilli i solemnitetit tё Dëftimit të Zotit nga Mateu na flet për tre Mbretërit Dijetarë, njerëz të shkencës, kërkues të së vërtetës, model i unitetit ndërmjet arsyes e fesë. Drita e madhe, që rrezaton nga Shpella e Betlehemit, përmes Mbretërve Dijetarë, ardhur nga Lindja, përhapet në mbarë botën, ndriçon mbarë njerëzimin. Nё Leximin I Izaia Profet, në një çast të vetëm, vëren një realitet të paracaktuar të ndryshojë krejt rrjedhën e historisë së njerëzimit. Po kështu edhe Mbretërit Dijetarë, për të cilët na flet Mateu Ungjilltar, i prijnë procesionit të atyre të cilët, duke ecur në udhët pa fund të historisë, dinë të kuptojnë mesazhin e një Ylli dhe të gjejnë, kështu, Atë, që në dukje është i ligshtë e i brishtë. Por pikërisht Ai ka pushtetin t’i japë zemrës njerëzore gëzimin më të thellë, që ka provuar ndonjëherë.
Në të dëftohet realiteti mahnitës se Zoti na njeh, se është pranë nesh, se madhështia dhe pushteti i tij nuk shprehen në logjikën e botës, por në logjikën e një foshnje të pambrojtur, forca e vetme e të cilit është ajo e dashurisë, që na besohet. Kështu dhurata që sjellin Mbretërit Dijetarë: kemi, mirra dhe ari, nuk kanë të bëjnë me nevojat e ngutshme e të përditshme të Familjes Shenjte, por janë një ‘akt drejtësie’, janë shenjë nënshtrimi; që nga ky çast dhuruesit i përkasin Sovranit dhe e pranojnë autoritetin e tij si Zot e si Mbret. Mbretërit nuk mund ta vijojnë më rrugën e tyre, nuk mund të rikthehen tek Herodi, nuk mund të bëhen aleatë të këtij sundimtari të fuqishëm e mizor. Morën përgjithmonë udhën e Foshnjes, atë udhë që do t’i bëjë t’i shpërfillin të mëdhenjtë e të pushtetshmit e kësaj bote e do t’i çojë tek Ai, që na pret në mes të të varfërve, udhën e dashurisë, e vetmja, që mund ta shndërrojë botën.
U hap një rrugë e re, zbriti nga qielli një dritë e re, që nuk u shua, një dritë që nuk mund të mos shihet nga të gjithë e përgjithnjë. Drita e Betlehemit vijon të ndriçojë në mbarë botën!. Ajo që përpiqemi të rikrijojmë në Shpellën e Betlehemit nuk është ëndërr, as lojë e kotë ndjesish a emocionesh, pa forcë e pa jetë, por është e Vërteta, që përhap rrezet e veta në mbarë botën, ndonëse Herodi duket gjithnjë më i fortë e Fëmija, si i dëbuar ndërmjet atyre, që s’kanë pikë vlere, madje i vënë nën thembër.
Megjithatë, ndonëse të paktët e Betlehemit u bënë të shumtë, besimtarët në Jezusin duken ende pak. Shumë e panë yllin, por pak e kuptuan lajmin. E për ç’arsye disa shohin dhe gjejnë e të tjerët jo? Kush ua hap sytë e zemrës? Ç’u mungon atyre, që vijojnë të mbeten indiferentë, atyre që tregojnë rrugën, por nuk luajnë nga vendi?
Mund të përgjigjemi: besimi i tepruar në vetvete, pretendimi se e njohin përsosurisht realitetin; pandehma se janë në gjendje tashmë të japin gjykimin përfundimtar mbi të gjitha sendet, i bëjnë zemrat e tyre të mbyllen e të mos e ndjejnë të renë, që sjell Zoti. Pra, ajo që mungon, është përvujtëria e vërtetë, e cila di t’i nënshtrohet asaj, që është më e madhe, por edhe guximi i vërtetë, që të nxit t’i besosh asaj që është me të vërtetë madhështore, edhe në se dëftohet në një Foshnje të pambrojtur. Mungon aftësia ungjillore për të pasur zemër fëmije, për t’u mahnitur, për të dalë nga vetvetja e për të ecur në udhën, që tregon ylli, udhë e Zotit. Por Zoti ka pushtet të na bëjë të aftë për të parë e për të shpëtuar e, prej këndej, duhet t’i lutemi të na japë një zemër të urtë e të pafajshme, na kujton Fjala e Zotit e kёtij solemniteti.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Is 60, 1-6)
Lexim prej Izaisë profet
Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd.
Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin. Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit. Fjala e Zotit!
Psalmi 72 (71)
Ref: Do të lavdërojnë, o Zot, të gjithë popujt e botës
_________________
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
_________________
Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.
Do të sundojë prej detit në det,
prej lumit e deri në skajin e botës...
_________________
Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin,
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien,
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
_________________
Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfërin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
_________________
Leximi i dytë (Ef 3, 2-3. 5-6)
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, se me zbulesë qesh vënë në njohuri të misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni.
Misteri i Krishtit nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirtin Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit. Fjala e Zotit!
ALELUJA, Aleluja.
E pamë yllin e tij duke lindur,
dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.
Aleluja.
Ungjilli (Mt 2, 1-12)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”
Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia. Ata i përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:
‘E ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin’ ”.
Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.”
Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet. Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
Homelia nga dom Dritan Ndoci: DËFTIMI I ZOTIT: KU ËSHTË FOSHNJA E LINDUR?
(Is 60, 1-6; Ps 72 (71); Ef 3, 2-3. 5-6; Mt 2, 1-12)
«Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve?» – pyesin dijetarët kur hyjnë në Jerusalem dhe kjo pyetje e tyre shkaktoi një zinxhir reagimesh e turbullirash në mbarë qytetin. E pra, këtë pyetje ata e bënin pa të keq. Thjesht bazoheshin në disa të dhëna që studimet e tyre astrologjike u kishin furnizuar. Tani donin thjesht të ndihmoheshin nga vendasit, nëse ata mund të dinin ndonjë gjë më shumë rreth kësaj lindjeje kaq të veçantë, lindje e cila kishte vënë në lëvizje edhe një yll në qiell: «E pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona», kishin saktësuar ata.
Madje edhe ky saktësim ngjalli edhe më shumë turbullim tek dëgjuesit. Të dhëna jashtë Biblës tregojnë se, aso kohe, në vende të ndryshme të botës, deri edhe në Romë, kishte poetë e falltarë që ndikoheshin nga disa ëndrra që u flisnin për një ndryshim epokal. Çfarë po ndodhte, pra, në Jerusalem, përderisa pikërisht për aty ishte drejtuar deri edhe një yll?
Kjo e sotmja quhet e kremtja e Dëftimit të Zotit, në kuptimin që Jezusi ua dëftoi mbarë kombeve Hyjninë e Tij. Në liturgjinë e Kishës në këtë ditë përkujtohen edhe disa episode të tjera të jetës së Jezusit e jo vetëm vizita e këtyre Dijetarëve që vijnë nga lindja për të takuar Jezusin Foshnje. Përkujtohet edhe Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan, ku Ati dëshmoi, në Shpirtin Shenjt, se Jezusi është Biri i Tij. Prej kësaj vjen tradita që sot të bekohet uji, në përkujtim të ujërave që u shenjtëruan nga Jezusi kur Ai u zhyt në lumin Jordan. Gjithashtu përkujtohet edhe shndërrimi i ujit në verë që Jezusi bën gjatë dasmës në Kanë, mrekulli me të cilën Jezusi «e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të». Janë disa episode, pra, të cilat Kisha i ka bashkuar në një ditë të vetme për të treguar këtë të vërtetë të madhe: Jezusi ka ardhur për të gjithë popujt e botës.
Me kalimin e shekujve, pastaj, ritet e ndryshme liturgjike janë ripërtërirë dhe, me qëllim që të kundrohen më nga afër këta episode të rëndësishme të jetës së Jezusit, Kisha i ka theksuar ata me të kremte e festa të posaçme. Pagëzimin e Jezusit do ta kremtojmë në mënyrë më të veçantë të dielën që vjen, ndërsa mrekullinë e shndërrimit të ujit në verë do ta kundrojmë përsëri në të dielat në vazhdim më nga afër. Prandaj, pra, në liturgjinë latine, përgjithësisht sot i është dhënë më shumë hapësirë vizitës së këtyre dijetarëve nga lindja.
Jemi mësuar t’i mendojmë të vetëm këta tre dijetarë, duke u nisur nga fakti se tri ishin dhuratat që ata i lanë Jezusit, por është e vështirë që të ishin vetëm tre: zakonisht njerëz të tillë nuk lëviznin vetëm, por me karvane, për të përballuar kështu vështirësitë e udhëtimeve. E kjo s’ka përse ta përjashtojë faktin që këta tre karvane të ndryshme të kenë lënë secili nga një dhuratë. Por le t’i kthehemi pjesës ungjillore, sepse ka disa detaje të cilat vërtetë të bëjnë të mendosh.
Në radhë të parë, të bën të mendosh ai rreshti që thotë: «Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi.» Shqetësimi i Herodit hyn ndër ato shqetësimet e zakonshme që kanë Mbretërit kur dëgjojnë se dikush po ua kërcënon fronin. Dëshmitë historike flasin për Herodin si për një Mbret vërtet shumë të aftë, i cili i solli shumë begati e paqe vendit të vet gjatë tridhjetë viteve që sundoi, aq sa thuhet se, si ai, nuk do të arrinte ta bënte askush tjetër për një kohë shumë të gjatë pas tij. Por burimet historike flasin edhe për një anë tjetër të këtij njeriu, i cili, kur kishte zbuluar komplotin që po i bënin dy bijtë e tij për ta rrëzuar nga froni, i kishte vrarë që të dy. Prandaj «u shqetësua» kur dëgjoi se një tjetër komplot mund të ishte duke shpërthyer. «U shqetësua edhe mbarë Jerusalemi», sepse shpërthimi i ndonjë komploti gjithnjë merrte me vete edhe shumë viktima të pafajshme.
Pastaj të bën të mendosh fakti se «kryepriftërinjtë e skribët e popullit» e dinin se çfarë thoshin Shkrimet e Shenjta të profetëve në lidhje me Mesinë, por që nuk kishin bërë asgjë për ta hetuar kohën kur këto profeci mund të ishin duke u realizuar. Përkundrazi, Dijetarët ishin vënë në lëvizje me sinjalet e para që kishin vënë re në qiell, edhe pse këta sinjale ishin shumë të përgjithshme. Kjo na tregon se nuk mjafton ta njohim Shkrimin e Shenjt, por duhet edhe që të vihemi në lëvizje për ta kërkuar Zotin me jetën tonë. Përndryshe kushedi sa herë Zoti na kalon pranë dhe ne do të vazhdojmë të mbetemi në indiferencën tonë.
Herodi i fiksuar pas fronit dhe kryepriftërinjtë e skribët dembelë, nuk do të arrijnë kurrë ta takojnë Jezusin. Madje Herodi bëri edhe plane për ta vrarë Atë. Për këtë arsye edhe i porosit Dijetarët: «Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës! Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia!». Ka njerëz që janë vërtet të aftë ta kuptojnë se si mbahen fijet e ngatërruara të drejtimit të popujve, por që nuk dijnë aspak ta shohin kohën kur Hyji i fton që t’i hapen veprimit të Tij. U desh ndërhyja e Zotit që Dijetarët t’i mësonte në ëndërr se si t’i shmangeshin këtij kurthi të tij kaq dinak.
Nuk mjafton, pra, të jemi dinakë e të zgjuar e nuk mjafton as që t’i njohim mirë Shkrimet e Shenjta, por na duhet hapja e zemrës për ta takuar Jezusin. E pikërisht këtë cilësi të fundit e kishin Dijetarët. Ungjilli thotë një shprehje vërtet prekëse kur përshkruan reagimin e tyre në çastin kur ylli «zuri vend aty ku ishte fëmija». Thotë Ungjilli: «Ata, kur panë yllin, u bënë shend e verë». Një gëzim i papërshkrueshëm ua përshkon shpirtin këtyre njerëz të çiltër kur kuptojnë se e gjetën atë që po kërkonin. Ky Fëmijë Hyjnor, të cilin ata po takonin ato ditë, më vonë do t’i thoshte botës: «Kërkoni e do të gjeni!» Këta Dijetarë kërkuan e prandaj edhe gjetën.
Edhe dy leximet e tjera të sotme flasin për takimin që të gjithë popujt mund të bëjnë me Zotin. Leximi i parë, madje, duket sikur përshkruan deri edhe detajet e vizitës se këtyre Dijetarëve kur thotë: «Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit». E, në fakt, Ungjilli tregon se dhuratat që Dijetarët i lanë Jezusit Foshnje ishin pikërisht ar, kem e mirrnë. Ari tregonte se Ai është Mbret, kemi tregonte se është Hyj dhe mirrna paralajmëronte Mundimet dhe Vdekjen e Tij. Do të mbretëronte shumë ndryshe ky Mbret.
Në leximin e dytë, është Shën Pali ai që thotë se «paganët, në Jezu Krishtin, janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup». Kisha e Krishtit do të quhej e Gjithëmbarshme, Katolike, pikërisht ngaqë të gjithë popujt do të mund të merrnin pjesë në bashkimin me Krishtin Zot.
Hyjin, pra, në Jezu Krishtin, mund ta takojnë të gjithë popujt. Por e gjejnë vetëm ata që e kërkojnë me zemër të thjeshtë. Libri i fjalëve të Urta shkruan: «Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve u jep Hirin» (3, 34). Duhet të ketë qenë shumë e dashur për të krishterët e parë ky rresht i Besëlidhjes së Vjetër, përderisa, si Shën Pjetri ashtu edhe Shën Jakobi, e citojnë në letrat e veta. Prandaj, nëse me përvujtëri popujt e kërkojnë të vërtetën, paqen, dashurinë dhe bashkimin, të shndritur nga Shpirti Shenjt, ata tashmë janë vënë në kërkim të Jezusit. Patjetër që një ditë edhe do ta takojnë Atë. Por, nëse do të jenë krenarë, nuk do të mund ta takojnë kurrë.
«Ku është Foshnja që do të bëhet mbreti i judenjve?» – kishin pyetur pa të keq Dijetarët, duke dëshmuar se ishin vënë në kërkim të së Vërtetës. Pyetja e tyre e pamë se zgjoi reagime të ndryshme, reagime të cilat po tregonin orientimin e zemrës së secilit. Po ne, a jemi në kërkim të së Vërtetës? Si reagojmë ne kur jemi të ftuar të vihemi në kërkim të Jezusit? A e kemi apo jo çiltërsinë e zemrës dhe hapjen ndaj të vërtetës, ndaj paqes, ndaj bashkimit dhe ndaj dashurisë? Është me shumë rëndësi përgjigjja që u japim këtyre pyetjeve, sepse pikërisht aty luhet takimi apo largimi ynë me Krishtin.
Dom Dritan Ndoci