"Growing Together", takim ekumenik i ipeshkvijve anglikanë dhe katolikë
R. SH. - Vatikan
Gjatë Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, ipeshkvijtë e traditës anglikane dhe katolike romake do të mblidhen për të marrë pjesë në takimin titulluar “Duke u rritur së bashku”, samit njëjavor diskutimi dhe shtegtimit ekumenik, që do të mbahet në Romë dhe Canterbury ndërmjet 22 dhe 29 janarit 2024.
Për të përfaqësuar botën…
Ipeshkvijtë do të vijnë në çifte - anglikanë dhe katolikë - duke përfaqësuar vende të ndryshme anembanë botës. Do të marrin pjesë mbi 50 ipeshkvij nga 27 vende. Duke vizituar vendet e shenjta të Romës dhe të Canterbury-t, ipeshkvijtë do të luten, do të reflektojnë dhe do të mësojnë nga njëri-tjetri. Qëllimi është të diskutojnë mënyrat për t'u rritur së bashku në dëshmi dhe mision, në mbarë botën.
Çast i rëndësishëm
Më 25 janar, pranë Varrit të Shën Palit Apostull, Papa Françesku dhe Kryeipeshkvi i Canterbury-t do t'i ngarkojnë ipeshkvijtë, duke i dërguar në çifte, për të qenë dëshmitarë të unitetit të krishterë. Do të jetë një çast domethënës, simbolik për lidhjet anglikano-katolike dhe përparimin e mëtejshëm të dialogut ekumenik, nënvizon një shënim nga IARCCUM, Komisioni Ndërkombëtar Anglikano-Katolik për Unitetin dhe Misionin, i krijuar për të mbështetur dialogun ekumenik ndërmjet traditave, organizator i veprimtarisë.