Kërko

Una processione di fedeli ad Haiti (foto d'archivio) Una processione di fedeli ad Haiti (foto d'archivio)

Haiti, u liruan gjashtë murgeshat e rrëmbyera në Port-au-Prince

Motrat Rregulltare të Kongregatës së Shën Anës u morën peng nga njerëz të armatosur më 19 janarin e kaluar, teksa po udhëtonin me autobus. Me ratë rast qenë sekuestruar edhe dy persona të tjerë. Të gjithë janë liruar, siç ka konfirmuar kryeipeshkvi i kryeqytetit të Haitit, imzot Mesidor. Të dielën e kaluar thirrja e Papës gjatë lutjes së Engjëllit Zotit për lirimin e pengjeve dhe për paqen sociale në ishull

R.SH. / Vatikan

Gjashtë Motrat rregulltare të Kongregatës së Shën Anës, të rrëmbyera 19 janarin e kaluar në Port-au-Prince, Haiti, janë liruar. U liruan Edhe personat e tjerë që i shoqëronin dhe u morën peng nga persona të armatosur që kishin bllokuar autobusin me të cilin po udhëtonin dhe të cilët, siç njoftojnë mediat vendase, kishin kërkuar një shumë të barabartë me 3 milionë e gjysmë si shpërblim.

Konfirmimi i lirimit arrin në mediat e Vatikanit nga kryeipeshkvi metropolit i kryeqytetit të Haitit, imzot Max Leroys Mesidor, president i Konferencës Episkopale lokale, i cili shpreh gëzimin e tij për lajmin dhe falënderon të gjithë ata që i kanë kushtuar vëmendje dhe kanë ofruar mbështetje në këtë situatë: “ Falënderojmë Zotin! Faleminderit për mbështetjen tuaj".

Thirrja e Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit

Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, të dielën e kaluar më 21 janar, kërkoi lirimin e Motrave rregulltare dhe u lutë për tragjedinë që po përjeton ishulli nga dhuna dhe rrëmbimet: “Lutem për harmoni sociale në vend dhe i ftoj të gjithë t'i japin fund dhunës që i shkakton kaq shumë vuajtje asaj popullsie të dashur”.

Kisha haitiane në lutje

Vetë Kisha katolike haitiane pikërisht dje, më 24 janar, pati organizuar një ditë lutjeje, meditimi dhe Adhurimi Eukaristik për motrat rregulltare dhe të gjithë të rrëmbyerit. "Autorët e këtyre akteve duhet të ndalojnë së shkeluri mbi dinjitetin e patjetërsueshëm të bijve të Zotit!", shkruanin në një deklaratë të përbashkët Kryeipeshkvi imzot Mesidor dhe At Morachel Bonhomme, president i Konferencës së Rregulltarëve të Haitit, duke ftuar të gjithë besimtarët haitian të "organizojnë një zinxhir lutjesh të pandërprera “për lirimin e të rrëmbyerve. Sot, pra, lajmi i mirë i lirimit.

25 janar 2024, 10:27