Kërko

 Imzot Fisichella në Brasilia në takimin përgatitor për jubileun 2025 Imzot Fisichella në Brasilia në takimin përgatitor për jubileun 2025 

Imzot Fisichella: Jubileu 2025, rast i madh baritor

Pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin, Imzot Rino Fisichela, është në Brasilia për takimin kombëtar titulluar "Duke u përgatitur për Jubileun e Shpresës", organizuar më 29 dhe 30 janar nga Konferenca Ipeshkvnore Braziliane. Prelati foli për shpresën në botën bashkëkohore dhe shpjegoi kalendarin e përgjithshëm të Vitit të Shenjtë, duke i nxitur të pranishmit kenë kujdes për të rinjtë dhe grupet e ndryshme, ftuar në Romë.

R. SH. - Vatikan

Bota sot ka nevojë për një fjalë shprese e motoja e Jubileut 2025, “Shtegtarët e shpresës”, i përgjigjet një nevoje, që është në zemrën e të gjithëve pa asnjë dallim: këtë vuri në dukje Imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, në takimin kombëtar “Preparando o Jubileu da Esperanca”(Duke u përgatitur për Jubileun e Shpresës) organizuar më 29 dhe 30 janar nga Konferenca Ipeshkvnore Braziliane në Brasilia, në Casa Dom Luciano, nën kujdesin e Equipe de Animação do Jubileu, ekip i krijuar nga ipeshkvia për të mbështetur organizimin e vitit jubilar në kishat e vendit.

Në ngjarjen e madhe nga dioqezat e ndryshme braziliane morën pjesë mbi treqind delegatë, duke përfshirë ipeshkvij, laikë, përfaqësues të lëvizjeve dhe organizatave. I pranishëm, edhe nunci apostolik, Imzot Giambattista Diquattro, i cili në ditën e parë të punës, përqendruar mbi "Panoramën e veprimit ungjillëzues të CNBB" (Conferência Nacional dos Bispos do Brasil), mbi "Sfidat e veprimit ungjillëzues të Kishës në Brazil", mbi “Jubileun në Shkrimet e Shenjta” dhe mbi temën e zgjedhur nga Papa Françesku për takimin e vitit 2025, nënvizoi se "Kisha e Brazilit e pret me zjarr, me entuziazëm dhe me dëshirën për të ndjekur të vetmen rrugë, që është Krishti Jezus".

Sot, në rendin e ditës ishin “Kremtimi i Jubileut” dhe “Propozimet për realizimin e Jubileut të Shpresës”, shoqëruar nga një tryezë e rrumbullakët me temë “Perspektivat e Jubileut në Brazil”. Në fund përmbyllja, me kremtimin eukaristik në Bazilikën Shën Françeskut të Asizit.

Bota e sotme ka nevojë për shpresë

Në fjalimin e tij të djeshëm, imzot Fisichella shpjegoi se Jubileu i zakonshëm i vitit 2025 "është pjesë e një tradite, që nis nga viti 1300, kur Kisha e Romës mirëpriti për herë të parë një mori shtegtarësh, që u dyndën në qytetin e Pjetrit dhe të Palit për të kaluar Portën Shenjte". Theksoi edhe se Viti i Hirit "është para së gjithash përvojë feje" që i krijon njeriut mundësinë "ta jetojë plotësisht mëshirën e Atit", si dhe "propozim baritor, i cili nuk duhet nënvlerësuar".

Për këtë arsye tema e shpresës duhet të konsiderohet "përmbajtje e privilegjuar e ungjillëzimit". E pikërisht kur po flitej për shpresën, pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin nxiti për ta hapur “vështrimin drejt një horizonti me kuptim të ndryshëm, i cili nuk kufizohet në “tani” dhe “menjëherë”, por është i aftë të vendoset në gjendjen e pritur me vigjilencën e duhur”, duke vënë në dukje se mendësia shkencore e ka “zbutur ndjeshëm nevojën për shpresë”, ndërsa “populli ynë bashkëkohor ka më shumë se kurrë nevojë për të shpresuar”. "Mbajtja gjallë e shpresës nuk është vetëm mision, që të krishterët e morën nga Zoti kur ai i dërgoi për të shpallur Ungjillin e tij në të katër anët e botës" - kujtoi Prelati - duke shtuar se "sot është mbi të gjitha bëhet përgjegjësi sepse, në dekadencën që vërehet ndër sektorët e ndryshëm të ekzistencës personale dhe shoqërore, është urgjente dhe e nevojshme të ngrihen zërat e atyre, që sjellin një fjalë a një shenjë të aftë për ta parë të tashmen me sy të tjerë!

Jubileu, etapë e udhës së jetës

Përfaqësuesve të dioqezave të Brazilit, imzot Fisichella u kujtoi se shpresa "vjen të ndihmojë të tashmen, duke i ofruar kuptimin, që nevojitet" dhe se i  shoqëron "zgjedhjet që të gjithë janë të thirrur t’i bëjnë me përgjegjësi". “Shpresojmë t’i japim kuptim të tashmes, që imponon zgjedhje lirie për të ndërtuar një jetë personale mbi themelet e së vërtetës, mbi veten dhe botën”, sqaroi ai, duke saktësuar se “shpresa e bën udhëtimin e jetës shtegtim të mirëfilltë, sepse mbështet lodhjen, keqkuptim, dhimbjen... dhe ngjall ndjenjën e gëzimit e të qetësisë, që lindin pikërisht nga aftësia për të parë të tashmen si parakusht të vërtetë të ardhmërisë së vërtetë të jetës së përjetshme”.

Sot në mëngjes, proprefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin komentoi kalendarin e përgjithshëm të Vitit Jubilar dhe mënyrat e pjesëmarrjes. “Le të mendojmë për të gjitha grupet që do të jenë atje, si për shembull të rinjtë. T'i inkurajojmë të marrin pjesë dhe të përgatiten - ftoi - Parashikojmë praninë e 1.5 milionë të rinjve”. Shifra të ngjashme hamendësohen edhe për ngjarje të tjera - përfundoi imzot Fisichella, duke përsëritur bindjen se jubileu do të jetë një rast i madh baritor.

31 janar 2024, 13:55