Homs, Siri Homs, Siri

Imzot Jacques Mourad: bota po e lë të vdesë popullin sirian

Kryeipeshkvi i Homsit, në Siri, bën një thirrje dramatike në përgjigje të ndërprerjes së planit të ndihmave të Programit Ushqimor Botëror, duke filluar nga 1 janari: “Familjet siriane hanë një herë në ditë, kanë harruar ç’është ngrohja, uji i nxehtë, shoqëria. E, jetojmë në errësirë, pa drita"

R.SH. – Vatikan

Gjashtë muaj më parë e përgjysmuan, që nga 1 janari e eliminuan plotësisht. U ndërpre kështu për Sirinë plani i ndihmave i Programit Ushqimor Botëror - agjencia e OKB-së për ndihmën ushqimore në botë. Më se pesë milionë njerëz vareshin nga shpërndarja e ushqimit dhe e sendeve me të nevojshme për jetesën, në një vend që po i afrohet vitit të 13-të të luftës (mars 2024), ligështuar edhe më në shkurt 2023, nga një tërmet dramatik në zonat kufitare me Turqinë. Siç shpjegon organizata ndërkombëtare, vendimi u mor për mungesë fondesh, vënë në rrezik nga epidemia e Covid-it, nga lufta në Ukrainë e tani, edhe nga ajo në Gazë, e cila ka marrë mjaft prej buxhetit në dispozicion. Vlerësohet se njerëzit, që tani do të vuajnë nga pasiguria e rëndë ushqimore, do ta kapërcejnë 12 milionëshin.

Vendim i padrejtë

“Populli sirian është i dënuar të vdesë pa mundur të thotë asgjë”: ky është mendimi i kryeipeshkvit të Homsit, qytetit të tretë më të madh në Siri, imzot Jacques Mourad, në mikrofonin e Radio Vatikanit/Vatican News. “Është vendim i tmerrshëm dhe i padrejtë,” vazhdon kryeipeshkvi, i cili pyet përse u arrit deri në këtë pikë. “Për ne është sikur bota t'i thoshte popullit sirian 'ju jeni të dënuar të vdisni, pa e ngritur zërin, pa thënë asgjë'. Po për çfarë? Cili është faji i popullit sirian?”

Imzot Jacques Mourad
Imzot Jacques Mourad

Kisha nuk mund t’i mbulojë të gjitha nevojat

Fjalët e tij janë plot zjarr, pasi mendon për mundimet, që ka vuajtur dhe do të vazhdojë të vuajë populli gjatë këtyre viteve të kaluara në një luftë, e cila duket sikur nuk ka fund dhe shuan çdo shpresë. “Ky vendim - vijon prelati - u mor për ta çuar popullin sirian drejt dëshpërimit të plotë, për të shuar çdo dritë, që mund të mbetej e ndezur falë fesë e shpresës sonë. Por në këtë situatë, ne marrim vërtet fund”. Organizatat joqeveritare dhe Kisha Katolike kanë bërë mrekulli në Siri vitet e fundit, duke e mbështetur popullatën me çdo mënyrë. Sot, pas ndërprerjes së ndihmave humanitare, të cilat furnizonin pothuajse 2/3 e popullsisë, njerëzit mund edhe të vdesin nga uria.

"Kisha, si edhe organizatat joqeveritare, nuk mund t’i mbulojnë të gjitha nevojat e popullit sirian – nënvizon imzot Mourad - kapaciteti i tyre financiar është i kufizuar. Për më tepër, mbërritja e fondeve në Siri është e pamundur, për shkak të sanksioneve të SHBA-ve dhe të OKB-së. Atëherë, çfarë të bëjmë? Si mund të jetojë populli sirian? Tashmë, shumë familje siriane hanë vetëm një herë në ditë. Kemi harruar ç’do të thotë ngrohje, sepse nuk blejmë dot naftë apo dru, kemi harruar ç’është uji i nxehtë, kemi harruar ç’është shoqëria. Jetojmë në errësirë ​​të plotë, qytetet në Siri janë pa dritë, sigurisht që lagjet e pasura, të cilat përbëjnë vetëm 5% të popullsisë, nuk e përfaqësojnë situatën e popullit sirian”.

Sirianët dënohen me vdekje

Për imzot Mourad, zgjidhja e vetme mund të vijë jo vetëm nga Kisha Katolike, por edhe nga Bashkimi Evropian. Ai shpreson që Brukseli të mbajë qëndrim të qartë, të diktuar nga "ndjeshmëria e sinqertë dhe njerëzore". Thirrja e kryeipeshkvit të Homsit është mallëngjyese. "Pse doni t'i lini këta njerëz të vdesin?", i shtron ai botës këtë pyetje mizore: "Nuk është e mundur që e gjithë bota ta braktisë popullin sirian, çfarë të keqe kemi bërë që të dënohemi kështu me vdekje?"

03 janar 2024, 12:18