The Economy of Francesco The Economy of Francesco

Ipeshkvi i Asizit caktohet përsëri nga Papa në krye të The Economy of Francesco

Letër e Papës drejtuar Imzot Sorrentino-s dhe anëtarëve të Komitetit The Economy of Francesco: “Ju lutem të jeni interpretues të asaj, që të rinjtë e ëndërrojnë dhe e çojnë përpara"

R.SH. / Vatikan

Me një letër të datës 5 dhjetor, Papa Françesku e caktoi përsëri Imzot Domenico Sorrentinon, ipeshkëv i Dioqezës Assisi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino dhe Foligno, në krye të The Economy of Francesco (Ekonomia e Françeskut), lëvizje ndërkombëtare e ekonomistëve, sipërmarrësve, aktivistëve dhe promovuesve të ekonomisë së qëndrueshme, nën 35 vjeç, për të rifilluar zhvillimin e ekonomisë së paqes, me "fytyrë njerëzore", të përqendruar në mësimet e Shën Françeskut të Asizit.

Papa ua drejton letrën edhe anëtarëve të tjerë të komitetit organizativ të Ekonomisë së Françeskut, ekonomistit Luigino Bruni dhe presidentes së Institutit Serafik, Francesca di Maolo. E rifillon, kështu, projektin që dëshironte, duke ia besuar vetë ipeshkvit të Asizit detyrën të sigurojë përcaktimin e linjave organizative të saj në marrëveshje me Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit  të Gjithanshëm Njerëzor.

Letra e Papës

“Duke pasur parasysh lidhjen e krijuar me Kishën e veçantë, që e priti me entuziazëm nismën e Ekonomisë së Françeskut që nga zanafilla - lexojmë në letrën e Papës - ia besoj të gjithë projektin kujdesit baritor të ipeshkvit të Asizi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino, me qëllim që, si autoritet kompetent, të sigurojë gjithçka të nevojshme për t'i dhënë statusin e duhur ligjor, duke shpallur, nëse duhet, dispozitat dhe rregulloret e caktuara. I njëjti Ipeshkëv do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e Ekonomisë së Françeskut, në përkim me ligjin kanonik. Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, që ju shoqëroi deri në këtë pikë të rrugëtimit, do të vazhdojë të jetë pranë jush për pyetje lidhur me Magjisterin Papnor dhe Doktrinën Shoqërore të Kishës”.

"E di - vijon Papa në tekst - se të rinjtë aktivë në rajone të ndryshme të botës u përfshinë për të marrë ide mbi zhvillimin organizativ dhe qeverisjen e ardhshme. Prandaj ju kërkoj të jeni interpretues të asaj që të rinjtë e ëndërrojnë dhe e çojnë përpara. I dashur vëlla, të nderuar anëtarë të Komitetit Organizativ, ju përsëris mirënjohjen time për çka keni arritur e për çka jeni ende të gatshëm të bëni. Ju bekoj nga zemra, duke ju kërkuar edhe që të vazhdoni të luteni për mua".

Mirënjohja e Ipeshkvit

Imzot Sorrentino, edhe në emër të anëtarëve të tjerë të Komitetit, e falënderoi Françeskun për besimin e ripërtërirë. “Shpresoj se në kohën e duhur - kujtoi ipeshkvi - do të siguroj që ky proces, me të cilin angazhohen plot entuziazëm dhe aftësi shumë të rinj në botë, të ketë suksesin që meriton në përtëritjen e ekonomisë, në emër të solidaritetit e të drejtësisë.

08 janar 2024, 15:29