Locandina Settimana preghiera per l'unità dei cristiani 2024 Locandina Settimana preghiera per l'unità dei cristiani 2024

Java e Lutjes për Unitetin e Krishterë 2024: duaje Zotin e duaje të afërmin!

Në hemisferën veriore Java kremtohet nga 18 deri më 25 janar, ndërsa në hemisferën jugore, shpesh herë në prag të Rrëshajëve. Po tema është e njëjtë e sivjet bazohet mbi Ungjillin e Lukës: "Duaje Zotin, Hyjin tënd... dhe të afërmin tënd si vetveten". Materialet për kremtimin e saj, të botuara nga Dikasteri për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve dhe Këshilli Botëror i Kishave, u përgatitën nga një grup nga Burkina Faso, së bashku me komunitetin Chemin Neuf

R.SH. / Vatikan

“Mësues, çfarë duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. “Ç’është shkruar në ligjin e Moisiut?”. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, (...) e duaje të afërmin tënd si vetveten”. Jezusi i tha: “U përgjigje Mirë!” (Luka 10, 25-28)]

"Duaje Zotin, Hyjin tënd... e duaje të afërmin tënd si vetveten". Këto fjalë, që Jezusi ia tha një mësuesi të Ligjit, të ndjekura nga shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, që shpjegon kush është i afërmi, sivjet janë tema e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Tekstet e komentit, lutjet dhe shpjegimet lidhur me mënyrën si duhet të jetohet ky çast, i përgatiti  një grup ekumenik nga Burkina Faso, i koordinuar nga bashkësia vendase e Chemin Neuf. Të jetuarit e kësaj përvoje të punës së bashku, njoftojnë anëtarët, ishte rrugë e vërtetë kthese ekumenike, e cila i bëri ata të kuptonin se dashuria e Krishtit i bashkon të gjithë të krishterët dhe është më e fortë se ndarjet e tyre. "Jezusi pyeti: "Sipas mendimit tuaj, cili nga këta të tre veproi si fqinj i Samaritanit, që u takua me banditët?". Njeriu i ligjit u përgjigj: "Ai që pati dhembshuri për të". Atëherë Jezusi i tha: "Shko dhe bëj po ashtu".

Të krishterët e Burkina Fasos

Bashkëjetesa sociale nuk është e lehtë në Burkina Faso, një vend i Afrikës Perëndimore i banuar nga 21 milionë njerëz që i përkasin rreth gjashtëdhjetë grupeve etnike, ku afërsisht 64% e popullsisë është myslimane, 9%, e feve tradicionale afrikane dhe 26% është e krishterë (20 % katolikë, 6% protestantë). Pas sulmit të rëndë xhihadist në vitin 2016, kushtet e sigurisë dhe situata sociale në vend u keqësuan në mënyrë dramatike. Përhapja e sulmeve terroriste, paligjshmëria dhe trafikimi i qenieve njerëzore shkaktuan tri mijë vdekje dhe pothuajse dy milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit; mijëra shkolla dhe qendra shëndetësore u mbyllën dhe një pjesë e madhe e infrastrukturës socio-ekonomike u shkatërrua. Kishat e krishtera, në veçanti, qenë objekt i sulmeve të armatosura: priftërinjtë, pastorët dhe katekistët u vranë, të tjerë u rrëmbyen. Për shkak të terrorizmit, shumica e vendeve të adhurimit të krishterë në veri, lindje dhe veriperëndim të vendit u mbyllën. Kremtimet janë ende të mundshme vetëm në qytetet e mëdha dhe nën mbrojtjen e policisë.

Kremtimi i Krishtlindjes në Koudougou në qendrën perëndimore të vendit, 2022
Kremtimi i Krishtlindjes në Koudougou në qendrën perëndimore të vendit, 2022

Përpjekje për pajtim dhe paqe

Pavarësisht nga këto rrethana, ndërmjet feve ndjehet njëfarë solidariteti dhe krerët e tyre po shkojnë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit social. Një shembull është Komisioni për dialogun kristian-mysliman i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Burkina Faso-Nigerit, që po bën përpjekje të dukshme për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme etnike. Dashuria për të afërmin përtej çdo përkatësie, e urdhëruar nga Jezusi, vihet në provë, por dëshmia e të krishterëve duket edhe më e nevojshme në atë vend. Ndër të krishterët e Burkina Fasos ka dëshirë dhe vetëdije të gjallë - lexojmë në tekstin e paraqitjes të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve - për të rizbuluar unitetin e tyre në Krishtin. Bashkësitë janë të vetëdijshme se ndarjet ndërmjet të krishterëve dëmtojnë jo vetëm Kishën, por edhe Krishtin, dhe për këtë arsye ndërtuan ura duke vendosur "në mënyrë të pakthyeshme, për të ndjekur rrugën e kërkimit ekumenik, e duke dëgjuar kështu Shpirtin e Zotit".

Propozimi i teksteve për kremtim të përbashkët

Pas procesit fillestar të hartimit, një grup ndërkombëtar i emëruar bashkërisht për anën katolike nga Dikasteri për Nxitjen e Bashkimit të Krishterë dhe Komisioni i Fesë e i Kushtetutës i Këshillit Botëror të Kishave, u mblodhën në Romë, në shtator 2022, dhe shqyrtuan e hartuan, së bashku me organet lokale, përgatitjen përfundimtare të teksteve kushtuar Javës së lutjes për bashkimin e të Krishterëve,  tashmë të botuara dhe në përdorim në mbarë botën. Në to, propozimi i tetë skemave për kremtimin e Fjalës së Zotit, të krijuara për të nxitur lutjen e përbashkët me vëllezërit dhe motrat e Konfesioneve të ndryshme, të pranishme në territore të ndryshme.

Të krishterët protestantë të zhvendosur, të ikur nga Dablo, ndjekin një kremtim në qytetin e Kajës
Të krishterët protestantë të zhvendosur, të ikur nga Dablo, ndjekin një kremtim në qytetin e Kajës

Një rrugë jo e lehtë

Jezusi u lut që dishepujt e tij të ishin të gjithë një gjë e vetme, por rruga nuk është e lehtë: "mungesa e anasjelltë e njohurive ndërmjet Kishave - lexojmë në tekstin e përgatitur me rastin e kremtimit të Javës së Lutjes për Bashkim - dhe dyshimet reciproke dobësojnë angazhimin për nisjen e rrugës ekumenike. Disa mund të kenë frikë se ekumenizmi çon në humbjen e identitetit konfesional dhe pengon 'rritjen' e Kishës së tyre". Për të ecur në rrugën e ekumenizmit, duhet besim dhe shpresë. Dhe është e nevojshme - lexojmë më tej - “që Kishat të përfshijnë gjithnjë e më shumë iniciativa ekumenike në planet e tyre baritore dhe të nxisin formimin ekumenik të punonjësve baritorë e të gjithë besimtarëve. Një kthesë e vërtetë shpirtërore, baritore dhe kishtare pa prozelitizëm, është themelor për dialogun e vërtetë ekumenik. E uniteti i të krishterëve, hir për t'ia kërkuar Hyjit në lutje".

Kërkimi i unitetit: themelore lutja

Data tradicionale, në lidhje me hemisferën veriore, për kremtimin e Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve, e cila zgjat nga 18 deri më 25 janar, u propozua në vitin 1908 nga Atë Paul Wattson - i cili në atë datë festoi për herë të parë në Graymoor, "Tetëditshen e lutjes për bashkim" - sepse bie ndërmjet festës së katedrës së Shën Pjetrit dhe asaj të kthimit të Shën Palit dhe për këtë arsye ka kuptim simbolik. Në vitin 1935, Abati Paul Couturier, në Francë, organizoi "Javën universale të lutjes për unitetin e krishterë", bazuar në lutjen për "unitetin e dëshiruar nga Krishti".

Më 1964, në Jerusalem, Papa Pali VI dhe Patriarku Athenagora I do të shqiptonin së bashku lutjen e Jezusit "që të gjithë të jenë një" dhe, në të njëjtin vit, Dekreti mbi Ekumenizmin i Koncilit II të Vatikanit do të nënvizonte se lutja është shpirti i Lëvizjes Ekumenike, duke inkurajuar respektimin e Javës. Në 2021 Papa Françesku ftoi të gjithë të pagëzuarit të nisin një udhëtim së bashku, për të ndërtuar Kishën sinodale, ndërsa në vigjiljen ekumenike të 30 shtatorit, në prag të fazës së parë të Asamblesë së XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, Papa vëren: "Heshtja është themelore në udhën e unitetit të të krishterëve Themelore për lutjen, prej së cilës nis ekumenizmi dhe pa të cilën është steril”.

Udhëheqësit e Kishave të Krishtera me Papën në Vigjiljen Ekumenike më 30 shtator 2023
Udhëheqësit e Kishave të Krishtera me Papën në Vigjiljen Ekumenike më 30 shtator 2023

Chemin Neuf: ta bëjmë së bashku gjithçka mundemi

Bashkësia Katolike Chemin Neuf, e përbërë nga laikë dhe rregulltarë, u themelua në vitin 1973 në Lyon (Francë), nga ati jezuit Laurent Fabre. Sot ka rreth 2000 vëllezër dhe motra, në rreth tridhjetë vende. Është realitet kishtar me thirrje të fortë ekumenike. “Ne guxojmë të besojmë në unitetin e dukshëm të Kishës - shkruhet në kushtetutat e saj - dhe kemi si mision, të punojmë për të me të gjitha forcat, me dëshirën për ta bërë tonën lutjen e Jezusit, i pari që u lut për bashkim”. Grupi lokal Chemin Neuf mbështeti të krishterët e Burkina Fasos në përgatitjen e teksteve të këtij viti, kushtuar kremtimit të Javës së Lutjes për Bashkim.

15 janar 2024, 15:25