Java për bashkimin e të krishterëve, lutja ekumenike në Kishën e Shën Gasprit
R.SH. – Vatikan
Dashuria për Zotin e për të tjerët do të jetë në qendër të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2024, e cila ka për temë frazën e marrë nga Ungjilli sipas Lukës: "Duaje Zotin, Hyjin tënd... dhe duaje të afërmin tënd si vetveten" (Lk 10, 27). Java mbahet nga dita e enjte, 18 janar, deri më 25 janar. Në këtë datë të fundit, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit apostull, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Papa Françesku do ta mbyllë Javën me kremtimin e Mbrëmësores.
Ndër ngjarjet e ndryshme në program, njofton Vikariati i Romës, qendrore, lutja ekumenike dioqezane, që do të kremtohet të premten, më 19 janar, në orën 19, në famullinë e Shën Gasprit të Bufalos, me përfaqësues të emërtimeve të ndryshme të krishtera. Do të kryesohet nga ipeshkvi, imzot Riccardo Lamba, delegat dioqezan për Ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar, ndërsa predikimin do ta mbajë pastori i Kishës Luterane, Micheal Jonas. Gjatë lutjes do të këndojnë koret rumuno-ortodokse, metodiste dhe valdeze, së bashku me koret katolike.
Nismat ekumenike
Gjatë javës do të ketë nisma të ndryshme me temë ekumenike, organizuar nga famullitë dhe bashkësitë. Ndër to, lutja në famullinë e Zotit Atë i Mëshirshëm, të enjten, në orën 20.30, me pjesëmarrjen e pastorit të Kishës Baptiste, Andrea Aprile. Të martën më 23 janar, në orën 19.00, lutje ekumenike në kishën metodiste pranë bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve e të Martirëve. Sipas traditës, mesha në ritet e ndryshme katolike të Lindjes dhe të Perëndimit do të kremtohet solemnisht në Qendrën Eukaristike Ekumenike të Shën Marisë në Via Lata, duke filluar nga ora 20.00. Do të marrin pjesë edhe kolegjet e ndryshme papnore të pranishme në Romë.
Solidariteti me Burkina Fason
Doracaku i Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2024 u përgatit nga një grup ekumenik në Burkina Faso, i koordinuar nga bashkësia lokale e Chemin Neuf. Që nga viti 2016, vendi afrikan po përjeton një krizë serioze, me sulme terroriste, të cilat kanë shkaktuar mbi tre mijë viktima dhe rreth dy milionë të shpërngulur brenda vendit. Edhe Kishat e krishtera janë në shënjestër të terroristëve: janë vrarë meshtarë, pastorë dhe katekistë e shumë janë ende në duart e rrëmbyesve. Mbi 22% e territorit kombëtar është jashtë kontrollit të autoriteteve.
“Në dritën e ngjarjeve tragjike të luftës, të cilat nuk kursejnë më asnjë kontinent, duke parë edhe luftën e të krishterëve kundër të krishterëve - reflekton imzot Lamba, delegat i dioqezës së Romës për Ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar - është urgjente të nënvizohet se dashuria për Zotin dhe për vëllezërit nuk është dëshirë apo utopi, por 'urdhërim' i vërtetë, i zbatueshëm vetëm në masën me të cilën çdo dishepull i Jezu Krishtit, në një udhëtim të vazhdueshëm kthese dhe çdo bashkësi e krishterë, purifikohet nga Dashuria e Hyjit për t'u bërë gjithnjë e më e aftë për të dashur siç bëri Jezusi”.