Kard. Pizzaballa, fola me Papën sesi të ndalet tmerri në Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
Me Papën Françesku "folëm për situatën humanitare të komunitetit të krishterë në Gazë, por, edhe në përgjithësi, në Tokën e Shenjtë dhe për perspektivat e mundshme, për të parë nëse ekziston mundësia e kanaleve të dialogut për të parë se si ta ndalojmë këtë situatë gjithnjë e më shqetësuese". Dialogu për armëpushimin “vazhdon. Besoj se duhet të punojmë në një mënyrë jo shumë publike, përndryshe gjërat nuk funksionojnë”. Kështu tha Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, në kuadrin e inaugurimit të Vitit Akademik 2023/2024 të Universitetit Katolik në Romë.
Gjetja e kanaleve të komunikimit midis Izraelit dhe Hamasit
Natyrisht, gjetja e një zgjidhjeje të konfliktit nuk është e lehtë, shton kardinali, prandaj “duhet të mendojmë faza faza, hap pasnhapi, nuk do të ketë zgjidhje të menjëhershme. Ajo që është e rëndësishme tani është gjetja e kanaleve të komunikimit mes dy palëve. Mes Izraelit dhe Hamasit. Është e qartë - shton kardinali Pizzaballa - se ata nuk po flasin drejtpërdrejt, por duhet të gjejmë kanale për të identifikuar zgjidhjet e mundshme, në radhë të parë lirimin e pengjeve nga njëra anë e armëpushimin nga ana tjetër dhe sjelljen e një minimumi të normalitet aq sa mund të flitet për normalitet në Gaza”. Kisha Katolike, dhe jo vetëm ajo, por të gjitha institucionet, "mund të angazhohen në këtë".