Kërko

Shn Tereza e  Lisieux - Karmeli - Francë Shn Tereza e Lisieux - Karmeli - Francë  (Caroline Dreier)

Kard. Semeraro: nga Tereza e Lisieux, një mesazh shprese për njerëzimin e sotëm

Me kremtimin solemn eukaristik kryesuar në Lisieux nga prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, përfundoi Viti jubilar kushtuar 150-vjetorit të lindjes dhe 100-vjetorit të lumnimit të shenjtores së mirënjohur franceze. Në qendër të predikimit, pohimi i Jezusit: "Emrat tuaj janë të shkruar në qiell”, rrënjë e gëzimit dhe e fesë së krishterë, që Tereza e vogël e zbaton në jetë.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, kryesoi, në shenjtëroren franceze të Lisieux, Meshën që mbylli vitin jubilar kushtuar Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, 150 vjet pas lindjes dhe 100 vjet pas lumnimit. Shën Piu X - kujtoi - e pati quajtur “Shenjtorja më e madhe e kohëve moderne”. Mesha, e kremtuar një ditë pas solemnitetit të Dëftimit të Zotit, kur shfaqet si Shëlbuesi i të gjithë popujve, prefekti e nisi predikimin duke kujtuar Tre Mbretërit, në shtegtim drejt Betlehemit.

Tre Mbretërit dhe Tereza e vogël

"Tre Mbretërit - kujtoi Kardinali Semeraro - erdhën nga skajet e tokës për të adhuruar mbretin e posalindur të hebrenjve dhe, pasi hapën peshtafet, i  vunë pranë grazhdit dhuratat e tyre mistike. Dishepujt, përkundrazi, do të dërgoheshin në kufijtë e botës për t’u çuar të gjithëve dhuratën e jetës së re dhe shpalljen e një Zoti, që është gjithnjë pranë nesh”.

Tereza e Lisieux
Tereza e Lisieux

Shën Tereza dhe shtegtarët e shpresës

Prefekti nënvizon më tej dëshirën e Terezës, që ishte e bindur se Jezusi donte ndihmën tonë në veprën e tij të shpëtimit. E ndërsa jubileu kushtuar Shën Terezës mbyllet me kremtimin e kësaj Meshe, kardinali Semeraro kujtoi se së shpejti do të hapet një tjetër jubile, ai i Kishës universale, motoja e të cilit do të jetë: “Shtegtarët e shpresës”. “Në këto rrethana - vëren ai - sigurisht që do të mund të kthehemi për të medituar për Terezën tonë, e cila ishte grua e shpresës.

Gëzim në Parriz për një mëkatar të penduar

"Kontributi më i dukshëm dhe origjinal i Terezës ka të bëjë me shpresën, me horizontet e reja dhe perspektivat e reja - kujtoi Semeraro - duke cituar fjalët e teologut francez Atë François-Marie Léthel. E është edhe "mesazhi i saj më aktual në një çast vuajtjeje të madhe për Kishën dhe mbarë njerëzimin". Mesazh shprese për të gjithë - përfundoi kardinali - mbasi Shën Tereza "jo vetëm e kuptoi se emri i saj ishte shkruar në parriz, por edhe se "në parriz do të ketë më shumë gëzim vetëm për një mëkatar të  penduar, sesa për 99 vetë, që nuk kanë nevojë për pendesë!”.

08 janar 2024, 10:39