Procesioni tradicional “Rroftë Befana” 2014

Ati i Shenjtë përshëndeti edhe procesionin tradicional ‘Rroftë Befana 2014” , sivjet nga Morlupo e Valle del Tevere, që gjallëroi edhe sivjet Solemnitetin e Dëftimit të Zotit në Romë e në Vatikan. Procesioni “Rroftë Befana”, manifestim historik, lindi në vitin 1986, për të kërkuar rikthimin e festës së Ujit të Bekuar, që ishte shlyer nga kalendari civil.

R.SH. / Vatikan

Ati i Shenjtë gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, sot në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, përshëndeti edhe procesionin tradicional ‘Rroftë Befana 2014”, sivjet nga Morlupo  e Valle del Tevere, që  gjallëroi edhe sivjet festën e Epifanisë të Zotit në Romë e në Vatikan. Procesioni “Rroftë Befana”, një manifestim historik, lindi në vitin 1986, për të kërkuar rikthimin e festës së Ujit të Bekuar, që ishte shlyer nga kalendari civil në Itali.

Kështu, sot më 6 janar, në Via della Conciliazione (Rruga e Pajtimit) në Romë, procesioni “Rroftë Befana” kujton rishas aspektin kulturor e historiko-fetar për të ripohuar dhe për t’u lënë trashëgim pasardhësve vlerat e Solemnitetit të Tre Mbretërve, që shtegtojnë shteg më shteg, derisa mbërrijnë tek Jezusi Foshnje në Shpellën e Betlhemit. Procesioni “Rroftë Befana” u dorëzon kështu, breznive të reja, vlerat shumëshekullore të Epifanisë së Zotit".

Ngjarja e organizuar nga Europae Fami.li.a. nëpërmjet një komiteti vullnetarësh, ka si protagonistë kryesorë Luginën e Tiberit dhe Bashkinë Morlupo, afër Romës, bashkëorganizatore të këtij edicioni XXXVII. Në kortezhin shumëngjyrësh, të veçantë, Morlupo do të përfaqësojë me qytetarët e vet historinë, kulturën, traditat, prodhimet dhe burimet e territorit të saj. Është dhurata më e bukur e familjeve për festën e Tre Mbretërve, edhe ata të pranishëm hipur madhërisht mbi kuaj, në kërkim shekullor të Shpellës – këtë ditë, në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit – ku i pret Ferishtja hyjnore, ndërmjet Shën Jozefit e Marisë, në krahët e Shën Françeskut të Asizit.

Grupe solidariteti të rikujtimit historik, të ardhura nga pjesë të ndryshme të Italisë, do të marrin pjesë për të ringjallur një traditë tejet të dëshiruar për organizatorët: "vëllazërinë ndërmjet popujve" që, së bashku me paqen dhe solidaritetin, do të jetë sërish tema kryesore e kësaj ngjarjeje të madhe në kryeqytetin e Romës.

I pasur me alegori, kortezhi dëshiron të ripohojë, sipas traditës së krishterë, universalitetin e festës fetare me pjesëmarrjen e Tre Mbretërve, të ardhur nga vise të ndryshme, që i shoqërojnë çdo vit;  me dhuratat për Papën, pasardhësin e Pjetrit, Mëkëmbësin e atij Krishtit, që mori dhuratat e Mbretërve ungjillorë dhe i bëri ata dëshmitarë të Tij, duke i drejtuar në shtigje dhe mendime shumë të ndryshme nga ato të Herodit.

 Tre Mbretërve u paraprijnë qindra figura, grupe që u ngacmojnë fantazinë mijëra shikuesve, duke i kthyer disa shekuj pas në udhët e historisë, valëvitje flamujsh, skena të jetës fshatare, orkestra e banda muzikore, kuaj, grupe të sajuara nga imagjinata e pasur popullore, fanfara ushtarake, kuaj betejash, që të çojnë në thellësitë e lashtësisë,….  Gjithë këto figura do të krijojnë një skenë në lëvizje, tejet tërheqëse dhe plot ngjyra, që të bën të prekesh a të qeshësh deri në  lot, duke krijuar një gëzim madhështor, “simbolik” në zemrat e  dhjetëra mijëra spektatorëve të ardhur nga shumë vende të Italisë dhe të botës, të pranishëm në këtë ngjarje të paharrueshme, që u krijon mundësinë të jetojnë disa çaste në epoka nga më të ndryshmet, të cilat janë e s’janë më! E sidomos, të marrin pjesë në Engjëllin e Tënzot më të jashtëzakonshëm të  fillimit të vitit,  në ditën kur Tre Mbretërit e ardhur nga një shtegtim “prej më se dymijë vjetësh”, takohen me mëkëmbësin e Krishtit mbi tokë, Papën e Romës, duke i dhënë kësaj dite ngjyrime sa legjendare, aq edhe hirplote, që të fton ta adhurosh me gjithë zemër Foshnjën e Grazhdit!

06 janar 2024, 13:47