Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Pagëzimit të Zotit
R.SH. - Vatikan
Sot është e Diela e Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krisht. Një ditë më parë Jezusin e lamë në Shpellë të Betlehemit, të rrethuar nga Tre Mbretërit, tani e gjejmë të rritur, në brigjet e Lumit Jordan. Një kapërcim prej tridhjetë vjetësh, për të cilin dimë një gjë të vetme: ishin vjet jete të fshehur, të cilat Jezusi i kaloi në familje të Narazetit, duke iu bindur prindërve, Marisë e Jozefit, duke mësuar e duke punuar.
Ungjilli i kësaj feste, marrë nga kreu i parë i Shën Markut, na bën të kuptojmë kush ishte Biri i Hyjit. Vërtet, shkoi të pagëzohej te Gjon Pagëzuesi, që e dinte se nuk ishte i denjë për këtë. E, sapo u pagëzua, Shpirti Shenjt zbriti mbi kryet e Jezusit e Ati Qiellor e njohu si Birin e vet të dashur. Por le ta ndjekim një pjesë nga Ungjilli i Markut...
7 Në atë kohë, Gjoni predikonte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt”. 9 Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. 10 Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, 11 kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir - Djali i dishirit! Ty të miratova!”
Të lutemi së bashku:
Jo, askush s’mund të thotë më se qielli është i paarritshëm
e se kjo tokë është e destinuar të mbetet si gjithmonë,
e lagur nga djersa dhe gjaku,
e përshkelur nga ushtritë e fitimtarëve,
e plaçkitur nga dinakët dhe mashtruesit.
Qielli hapet dhe Shpirti Shenjt, o Zot Jezus,
zbret mbi Ty, në formën e pëllumbit,
e kështu, fillonin kohë të reja.
Përmes fjalëve dhe gjesteve të tua
Zoti bëhet i afërt me gjithë njerëzit
e dashuria e Tij i shkëput nga shtigjet e egoizmit,
nga pistat e skllavërisë së lashtë,
nga tmerret e keqdashjes,
nga udhët joshëse të një jete pa rregulla.
Përmes fjalëve dhe gjesteve të tua
Zoti vepron e na shndërron,
na e shuan falas urinë e shpirtit e na përtërin,
na shëron e na njeh me një energji të re
që secili të ndërmarrë
udhën e drejtësisë e të paqes,
të solidaritetit e të pajtimit.
Përmes fjalëve dhe gjesteve të tua
një shi i frytshëm lag
tokën tonë të etur
e i shndërron shkretëtirat në kopshte të lulëzuara,
zonat e shkreta në rajone të pasura me fryte,
pasi, nëse zemra e njeriut hapet për dashurinë tënde,
fiton dinjitet të ri e përjeton gjendje të reja,
që mbajnë vulën e Hirit Tënd.