Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së 3-të gjatë vitit ‘B’
R.SH. - Vatikan
Në Ungjillin sipas Markut, në të Dielën III të vitit liturgjik, ciklit të dytë 'B', sipas kalendari kishtar, gjejmë predikimin e parë të Jezu Krishtit. Është tejet i shkurtër, por përmbledh mirë temat bazë, të cilat do t’i përmendë gjithmonë më vonë: plotësimin e kohrave, Mbretërinë e Zotit, kthimin në udhën e Hyjit, fenë dhe Ungjillin. E pastaj, gjejmë edhe thirrjen për dishepujt e parë: paradigmë konkrete për çdo njeri, që dëshiron të ndjekë Krishtin. Të ndjekim një pjesë nga Ungjilli i kësaj së diele:
14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besojini Ungjillit!” 16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk - ishin peshkatarë. 17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” 18 Ata, aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllanë e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. 20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij.
Të lutemi së bashku:
Ka një lajm të mirë
për të gjithë njerëzit,
një kumtim, që më në fund, do t’ua ndryshojë jetën.
Zoti vepron në historinë tonë:
kush dëshiron mund ta takojë
e jeta e tij nuk do të jetë si më parë,
sepse Ai na bën të shijojmë
një liri e një paqe të panjohur më parë
dhe na shkëput nga pushteti i së keqes dhe i mëkatit.
Nuk ka ndonjë kusht tejet të rëndë
për ta marrë këtë dhuratë:
mjafton të kthehemi kah Ti, o Jezus,
me gjithë zemrën e me gjithë mendjen,
me gjithë vullnetin e me gjithçka kemi,
gati për t’i lënë udhët e mirënjohura
për të të ndjekur Ty, deri në fund.
Sigurisht që Ti nuk dëshiron ta bësh gjithçka vetë:
kërkon bashkëpunëtorë, që i përgjigjen
me bujari thirrjes Tënde,
që lënë gjithçka për një aventurë
në të cilën peshkatarë të përvuajtur kthehen
në shpëtimtarë të vëllezërve,
njerëz të brishtë si ne bëhen dëshmitarë të guximshëm
të një plani të madh dashurie.
Është histori që na kalon para syve
prej dymijë vitesh,
sepse Ti, o Jezus, vazhdon të thërrasësh
njerëz të thjeshtë, të zakonshëm,
për t’i kthyer në protagonistë
të një plani të jashtëzakonshëm.