Kërko

 Battesimo di Gesù Battesimo di Gesù

Mësimi Kishës mbi Dëftimin e Zotit e mbi Pagëzimin e Jezusit

Sivjet vetёm Një ditë ndajnë festën e Dëftimit të Zotit dhe atë të Pagëzimit të Jezusit. Magjisteri specifik i Kishës për këto festa – solemniteti i Dëftimit të Zotit më 6 janar dhe Pagëzimi Zotit Jezus mё 7 janar, që mbyll festat e Krishtlindjes – ofron një reflektim të pasur me përshpirtëri.

R.SH. - Vatikan

Sivjet vetёm një ditë e ndan festën e Dëftimit të Zotit dhe atë të Pagëzimit të Jezusit. Magjisteri specifik i Kishës katolike për këto festa – solemniteti i Dëftimit të Zotit më 6 janar dhe Pagëzimi Zotit Jezus mё 7 janar, që mbyll festat e kohës së Krishtlindjes – ofron një reflektim të pasur me përshpirtëri.

Solemniteti Dëftimit të Zotit

Me zanafillë nga Lindja, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, që Kisha Katolike kremton më 6 janar, pra, nesër, e merr kuptimin nga vetë emri: “epifani”, ose “dëftim”, zbulim. Latinët e quanin “festivitas declarationis”, ose “apparitio”, pikërisht për të theksuar dëftimin e hyjnisë së Krishtit para botës pagane përmes adhurimit të Dijetarëve, para judejve përmes pagëzimit në ujrat e lumit Jordan dhe para dishepujve përmes mrekullisë së shumëfishimit të bukës e të peshqve në dasmën e Kanës.

Në ciklin e vitit liturgjik të Kishës, Dëftimi i Zotit, apo Epifania, ka një vend të rëndësishëm. Vërtet, nëse Krishtlindja mund të konsiderohet si Dëftimi i parë i Jezusit, që duket para krejt popullit të Izraelit, simbolizuar nga barinjtë, festa e Epifanisë, që kremtohet më 6 janar, është zbulimi i hyjnisë së Krishtit, i cili njihet nga popujt paganë, simbolizuar nga Mbretërit Dijetarë të Lindjes së Mesme. Prandaj, ka rëndësi të veçantë, sepse Zoti ynë Jezu Krisht nuk ka ardhur vetëm për popullin e Izraelit, por për krejt njerëzimin, që sheh në atë Fëmijë, Birin e Hyjit. Vërtet, dhuratat e Mbretërve Dijetarë janë simbolike: ar, kem e mirrë. Ari, për të treguar faktin, që Jezusi është mbret; kemi, për të treguar hyjninë e Tij; mirra për të na thënë se Ai është edhe njeri: Fjala u bë njeri.

Pra, Drita që në Krishtlindje shkëlqeu gjatë natës, duke ndriçuar Shpellën e Betlehemit, ku qëndrojnë në adhurim të heshtur Maria, Jozefi e barinjtë, shkëlqen sërish e u dëftohet të gjithë njerëzve, këtë na kujton festa e Dëftimit të Zotit. Njerëzimi, pra ne, simbolizohemi nga tre Dijetarët që arrijnë te Krishti Fëmijë pas një shtegtimi të gjatë. Vezullimi i Krishtit arrin së fundi te Dijetarët, që janë të parët e popujve paganë. Qëndrojnë në hije pallatet e pushtetit në Jerusalem, ku lajmi për lindjen e Mesisë jepet paradoksalisht pikërisht nga Dijetarët, e nuk ndjell gëzim, por frikë e reagime armiqësore.

Ardhjen e Dijetarëve, pavarësisht nga përpjekjet për gjetjen e bazës historike, mund ta konsiderojmë, së bashku me Etërit e Kishës, simbol dhe manifestim i thirrjes për shëlbimin e popujve paganë. Mbretërit Dijetarë tregojnë se Ungjilli, vërtet u duhet predikuar të gjithë njerëzve. Sipas traditës, ata, duke ndjekur yllin kometë, vijnë nga Lindja, ku Epifania konsiderohet “festë e dritave”, për t’i bërë dhurata Foshnjës Hyjnore. Pikërisht atyre që nuk ditën ta mirëpresin Hyjin, Kisha u shpall këtë Lajm të Mirë, këtë dritë që do të ndryshonte historinë e njerëzimit. Kisha e shpall këtë Lajm në të gjitha fushat e jetës shoqërore. 

Solemniteti Pagëzimit të Zotit

Në lumin Jordan, misioni publik i Jezu Krishtit fillon nën shenjën e ujit. Aty fillon ajo që ndodh që mase prej 2 mijë vjetësh me të krishterët, kur me ujin dhe zjarrin e Sakramentit të Pagëzimit i tregojnë botës përkatësinë e tyre. E gjithsesi, siç shpjegon Kisha, duke u pagëzuar, natyrisht, Zoti nuk vepron me shkopin “magjik”; vepron nё jetёn tonё vetëm nëse e lejojmë. Nuk mund të heqim dorë nga liria. Është Zoti, që e shkakton lirinë, na fton të bashkëpunojmë me zjarrin e Shpirtit të Shenjtë: këto dy gjëra duhet të ecin së bashku. Pagëzimi mbetet për gjithë njerëzit jetën dhuratë e Zotit, i cili na ka vënë vulën e vet në shpirt, me bashkëpunimin e lirinë tonë që i thonë “po” këtij veprimi hyjnor.
Pas këtij veprimi, pranimi i jetës që prindërit e bëjnë përmes Pagëzimit, kthehet në impenjim për të mohuar gjithçka e kërcënon jetën njerëzore.

Në Solemnitetin e Pagëzimit të Zotit, me Kishën mund të themi se edhe në kohën tonë është e nevojshme t’i themi “jo” kulturës dominuese të vdekjes, një antikulturë që shfaqet për shembull në largimin nga realiteti, tek droga. Largim nga realiteti në një botë iluzore, në një lumturi të rreme që shfaqet tek gënjeshtra, tek mashtrimi, tek padrejtësia, tek përbuzja e të tjerëve, tek përçmimi i solidaritetit, i përgjegjësisë për të varfrit e të vuajturit; që shfaqet në një seksualitet thjesht për t’u dëfryer, pa përgjegjësi… Këtij premtimi të jashtëm besnikërie, kësaj jete në dukje, që në të vërtetë është vetëm mjet vdekjeje, kësaj “antikulture” i themi “jo”, për të kultivuar kulturën e jetës e të vëllazërimit solidarë, sipas planit Hyjnor.

06 janar 2024, 14:46