Lutje në Haiti Lutje në Haiti

Në Haiti, ditë lutjeje për lirimin e gjithë njerëzve të rrëmbyer

Kryedioqeza e Port-au-Prince dhe Konferenca e rregulltarëve të ishullit njoftojnë se dita e nesërme, e mërkurë, 24 janar, do t'i kushtohet lutjes, meditimit dhe adhurimit eukaristik. Të gjithë besimtarët haitianë ftohen të "organizojnë një zinxhir lutjesh të pandërprera" për lirimin e tetë vetëve, përfshirë gjashtë murgesha, rrëmbyer të premten e kaluar

R.SH. – Vatikan

"Duhet të reshtin së shkeluri mbi dinjitetin e patjetërsueshëm të bijve të Zotit!" Kjo është britma, që i del nga zemra kryeipeshkvit të Port-Au Prince dhe kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Haitit, imzot Max Leroys Mesidor dhe Át Morachel Bonhomme, kryetar i Konferencës së rregulltarëve të vendit. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, bërë të ditur dje, më 22 janar, të dy rregulltarët dënojnë "me forcë dhe vendosmëri" rrëmbimin e tetë vetëve, të premten më 19 janar, përfshirë gjashtë murgesha nga Kongregata e Motrave të Shën Anës, së bashku me shoferin dhe me një pasagjer të minibusit, që i transportonte.

Plaga e rrëmbimeve

Duke shprehur solidaritetin me familjet e gjithë njerëzve të marrë peng, të dy liderët u bënë thirrje përfaqësuesve politikë të Haitit të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre: "Është koha për të marrë masat e nevojshme që të zhduket plaga e rrëmbimeve dhe e dhunës nga grupet e armatosura, të cilët po e zhysin vendin në një gjendje gjithnjë e më konfuze dhe kaotike”.

Ditë lutjeje për lirimin e pengjeve

Më pas, deklarata u flet drejtpërdrejt rrëmbyesve, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve. "Në emër të Zotit, të cilit duhet t'ia keni frikën, ndalojini këto praktika të poshtra dhe kriminale, të cilat e ndyejnë këtë tokë të shenjtë, që na ka dhënë Hyji!" Së fundi, imzot Mesidor dhe Át Bonhomme njoftojnë se dita e nesërme - e mërkurë, 24 janar - do t'i kushtohet lutjes, meditimit dhe adhurimit eukaristik. Ata i ftojnë të gjithë meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët laikë të organizojnë "në të gjitha famullitë dhe bashkësitë një zinxhir të pandërprerë lutjesh për lirimin e të rrëmbyerve dhe të familjeve të tyre".

23 janar 2024, 11:47