Nga e majta Don Michał Rapacz, Martir; i Nderuari Sebastián Gili Vives; e Lumja Maria Leonia Paradis dhe i Nderuari Cirillo Giovanni Zohrabian; Magdalena e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë dhe Gianfranco Maria Chiti Nga e majta Don Michał Rapacz, Martir; i Nderuari Sebastián Gili Vives; e Lumja Maria Leonia Paradis dhe i Nderuari Cirillo Giovanni Zohrabian; Magdalena e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë dhe Gianfranco Maria Chiti 

Në Kishë, një shenjte e re dhe një prift polak martir i regjimit komunist

Papa Françesku autorizoi shpalljen e Dekreteve të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, të cilat njohin një mrekulli ndodhur përmes ndërmjetësimit të së Lumes Maria Leonia Paradis, kanadeze, themeluese e Institutit të Motrave të Vogla të Familjes Shenjte; vrasjen nga urrejtja për fenë e Don Michał Rapacz-it, që do të shpallet i lum dhe virtytet heroike të dy rregulltarëve kapuçinë, një meshtari spanjoll dhe një murgeshe, që gjithë jetën ia kushtoi lutjes për unitetin e të krishterëve.

R.SH. - Vatikan

Maria Leonia Paradis, themeluese e Institutit të Motrave të Vogla të Familjes Shenjte, e cila jetoi në Kanada në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë, do të shpallet shenjtore. Gjatë audiencës me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Papa Françesku autorizoi shpalljen e Dekretit që njeh një mrekulli ndodhur me ndërmjetësimin e murgeshës si dhe Dekretet lidhur me martirizimin e Michał Rapacz, prift i vrarë nga urrejtja për fenë, më 12 maj 1946, në Krakov, që do të shpallet i Lum, si dhe virtytet heroike të shërbëtorëve të Zotit, tani të nderuar, Cyril Giovanni Zohrabian, ipeshkëv titullar i Acilisene dhe Giovanni Maria Chiti, rregulltarë kapuçinë; Sebastián Gili Vives, prift, themelues i Kongregatës së Bijave Agustiniane të Ndihmës dhe Magdalena e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, rregulltare e Kongregatës së Bijave të Kishës.

Grua kushtuar ndihmës së priftërinjve

Shpallur “e Lume” nga Gjon Pali II, më 11 shtator 1984, në Montreal, Maria Leonia Paradis do të rradhitet ndërmjet shenjtorëve, sepse me  ndërmjetësimin e saj u shërua mrekullisht nga "asfiksia e zgjatur perinatale me mungesë funksionimi të shumë organeve dhe nga encefalopatia" një foshnje e porsalindur në Saint-Jean-sur-Richelieu, në Quebec, në vitin 1986. Maria Leonia, e lindur më 12 maj 1840 në L'Acadie, Kanada, hyri në Kongregacionin e Motrave Marianite të Kryqit të Shenjtë në moshën trembëdhjetë vjeçare. Iu kushtua shërbimit në Shtëpitë e Priftërinjve të Kryqit të Shenjtë dhe edukimit të të rinjve. U dërgua në shtëpi të ndryshme, në Kanada dhe, më 1862, në Shtetet e Bashkuara, ku shtatë vjet më vonë përjetoi ndarjen e murgeshave të Provincës së Indianës nga shtëpia mëmë franceze, me të cilën u bashkua. Pasi u kthye në Kanada me ftesë të Atë Camillo Lefebvre, për të formar disa të reja në jetën rregulltare, që të mund të kryenin punën e tyre në Kolegjin e Shën Jozefit, motra Maria Leonia pranoi këshillën e Kryeipeshkvit të Montrealit që të krijonte një bashkësi të re për nevojat e kolegjeve të tij. Më 31 maj 1880 u themelua Kongregata e "Motrave të Vogla të Familjes Shenjte" për shërbimin në bashkësitë fetare, kolegjet dhe seminaret. U hapën bashkësi të reja, përmes të cilave Nënë Maria Leonia u jepte ndihmë materiale dhe shpirtërore priftërinjve, duke krijuar, kështu, në strehë e seminare, atmosferën tipike të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, plot transparencë e paqe, rregull e maturi. Nënë Maria Leonia vdiq më 3 maj 1912, në Sherbrooke, në moshën 72-vjeçare. Instituti që themeloi u përhap jo vetëm në Kanada, por edhe në Honduras, Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Maria Leonia Paradis
Maria Leonia Paradis

Një prift martir, në Poloninë komuniste

Don Michał Rapacz lindi më 14 shtator 1904 në Tenczyn, Poloni. Hyri në Seminarin e Krakovit në vitin 1926 dhe u shugurua prift pesë vjet më vonë. I dërguar në Płoki si ndihmës famullitar i famullisë së Lindjes së Zojës së Bekuar, më pas shërbeu në Rajcza. Në vitin 1937 u kthye në Płoki si administrator i famullisë. Pas pushtimit gjerman u detyrua të reduktonte veprimtarinë e tij baritore, pasi mësimi i fesë katolike, martesat mes polakëve dhe gjermanëve, të gjitha festimet dhe aktivitetet e pasdites në famulli dhe institucionet katolike ishin të ndaluara. Pas luftës në Poloni u vendos regjimi komunist nën sundimin e Bashkimit Sovjetik të Stalinit, që i shpalli hapur luftë fesë dhe kishës. Natën e 11 majit 1946, një grup burrash të armatosur hynë në rektoratin e Plokit: e rrëmbyen Atë Michał-in dhe e vranë në një pyll aty pranë. Prifti, i vetëdijshëm për rrezikun që e kërcënonte, ishte i gatshëm të përballonte torturat dhe të jepte jetën për t'i qëndruar besnik Krishtit dhe Kishës. E vranë për shkak të veprimtarisë së tij baritore, të papëlqyer nga regjimi. Ekzekutimi i tij nuk është ngjarje e izoluar, por pjesë e veprimtarisë së qeverisë, që synonte “çlirimin” e Polonisë nga ndikimi i Kishës dhe përfaqësuesve të saj më domethënës.

Don Michał Rapacz
Don Michał Rapacz

Një rregulltar përkrah popullit armen

Me origjinë nga Erzerumi i Turqisë, Cirillo Giovanni Zohrabian është një personalitet i shumanshëm: njeri me humor, përvujtëri, shpirt shërbimi dhe ndjenjë të thellë drejtësie. Mendohet se lindi më 25 qershor 1881 në një familje të varfër dhe thellësisht të krishterë, që më vonë u shfaros në gjenocidin armen. Hyri në kapuçinët e manastirit në Stamboll, në vitin 1894. I shuguruar meshtar, dhjetë vjet më vonë u caktua për në misionin e Trebizondit, në Erzerum, ku iu kushtua shërbesës baritore, drejtimit shpirtëror, mësimdhënies dhe të sëmurëve. Me shpërthimin e Luftës I Botërore, ndërsa ndodhej në Stamboll, me që nuk mundi të kthehej në misionin e tij, u vendos në manastirin e Shën Luigjit. Pas përfundimit të luftës, rregulltari u kujdes për qindra vajza armene të mbetura jetime nga gjenocidi dhe, në vitin 1920, në Trebizon, e vuri kishën dhe kuvendin në dispozicion të grekëve nga rajoni Ponto, të dëbuar nga toka e tyre, nga kisha e kuvendi. Për këtë arsye u dëbua nga qyteti dhe më pas u arrestua në Stamboll. I nënshtruar torturave për tri ditë, u dënua me vdekje me një akuzë të rreme, por, në çastin e fundit, u lirua dhe u largua nga Turqia. Kështu ai mbërriti në Greqi, ku nisi të kujdesej për mijëra refugjatë armenë. I pranuar në Provincën fetare të Kapuçinëve të Palermos, më 21 nëntor 1938, u emërua vikar patriarkal i Alta Gezira, në Siri dhe, më 8 qershor 1940, u zgjodh ipeshkëv titullar i Acilisene. Veprimtaria e tij nisi t’i shqetësojë autoritetet greke, të cilat vendosën ta kontrollojnë dhe ta pengojnë në kryerjen e apostullimit të tij deri në atë pikë, sa t'i mohojnë vizën për të hyrë dhe për të qëndruar në Greqi. Cirillo Giovanni arrin kështu në Siri, ku  kryen veprimtari intensive baritore, duke ndërtuar shkolla, kisha dhe shtëpi për priftërinjtë dhe duke dhënë mësime private për studentë të shumtë. Për shkak të vështirësive shëndetësore, dha dorëheqjen nga ipeshkvija e Alta Gezira dhe u vendos në Romë, duke vazhduar veprimtarinë bamirëse dhe apostolike në favor të armenëve. Vdiq më 20 shtator 1972.

 

Cirillo Giovanni Zohrabian
Cirillo Giovanni Zohrabian

Një ushtarak me shpirt françeskan

Një tjetër rregulltar kapuçin, të cilit i njihen virtytet heroike, është Gianfranco Maria Chiti, burrë me fe të gjallë, me përkushtim të thellë Marian dhe Eukaristik, i lindur më 6 maj 1921 në Gignese, në provincën e Novarës. Që i vogël e tërhoqi jeta dhe përshpirtëria françeskane, por iu desh të niste karrierën ushtarake. Në vitin 1942 dërgohet në frontin slloveno-kroat. Më pas u nis vullnetar në frontin rus, ku mori pjesë në Betejën e Donit, u plagos dhe qe i pranishëm në tërheqjen dramatike të Rusisë. Në kuadrin e luftës tragjike dhe ngjarjeve politike pas 8 shtatorit 1943, Gianfranco Maria, ndonëse nuk e honepste ideologjinë fashiste, hyri në Republikën Sociale Italiane, ku bëri të pamundurën për të shpëtuar hebrenjtë dhe partizanët. U arrestua, u lirua dhe më vonë u rikthye në ushtri. Gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak ndjente gjithnjë shqetësim ndërgjegjeje, punonte me bujari në kryerjen e akteve të bamirësisë në mbrojtje të jetës njerëzore dhe tregonte respekt për armikun e dashamirësi për të përndjekurit politikë; i dashur dhe i gatshëm për të falur, ai nuk e la pas dore lutjen për ushtarët, që i vdisnin në prehër. Në vitin 1950 doli vullnetar për misionin ushtarak italian në Somali, prej nga u kthye në Itali katër vjet më vonë dhe vazhdoi karrierën e tij ushtarake deri në pension, më 1978-tën. Atëhere vendosi të bashkohej me Fretërit e Vegjël Kapuçinë në Manastirin e Rietit. U shugurua meshtar më 12 shtator 1982. Fillimisht u kujdes për novicët, më pas ishte atë shpirtëror i Shoqatës Kombëtare të Granatierëve të Sardenjës. Së fundi iu besua detyra e restaurimit të Manastirit të Orvietos, i cili, falë tij, u bë vend mikpritës dhe pikë referimi për ata që kërkonin paqe dhe meditim. I mbylli sytë për dritën e kësaj bote më 20 nëntor 2004, në Spitalin Ushtarak Celio në Romë, pas një aksidenti automobilistik.

Gianfranco Maria Chiti
Gianfranco Maria Chiti

Një prift pranë fëmijëve dhe të varfërve

Sebastián Gili Vives, spanjoll i lindur më 16 janar 1811 në Artà, komuna e Mallorca-s, u shugurua prift në 1835 në Ibiza. Iu kushtua veçanërisht fëmijëve të braktisur dhe, për shkak të ndjeshmërisë së tij, u emërua epror i një shtëpie, që strehonte 250 deri në 500 fëmijë. Për t'u garantuar atyre një ndihmë gjithnjë e më të mirë, Atë Sebastián themeloi Kongregatën e Bijave Augustiniane të Ndihmës e, më pas, më 1860-tën, u emërua drejtor i Spitalit së Palmës. U shqua veçanërisht gjatë një epidemie të rëndë kolere më 1865, për kontributin e çmuar që dha së bashku me kongregacionin e tij në  ndihmë të më të varfërve. I kushtoi shumë kohë lutjes dhe kujdesit për gjendjen e grave, të cilat në atë kohë ishin subjekt i diskriminimeve të shumta. Si kanonik i Katedrales së Palma di Mallorca, nga viti 1883, iu kushtua kryesisht kultit të Zemrës së Krishtit. I detyruar ta lërë rolin e tij si epror e drejtor i murgeshave, për arsye shëndetësore, vdiq më 11 shtator 1894, në moshën 83 vjeçe.

Sebastián Gili Vives
Sebastián Gili Vives

Një jetë e kaluar në lutje

Maddalena e Shën Terezinës së Krishtit Fëmijë, Maddalena Rosa Volpato para hyrjes në kuvend, lindi më 24 korrik 1918 në Sant'Alberto di Zero Branco, në provincën e Trevisos, ku Krishti e thirri që nga adoleshenca. Pas përvojave në dy familje fetare, kaloi një periudhë si laike e shuguruar e, më pas, në vitin 1943, hyri në Institutin e Bijave të Kishës. Më 18 janar 1945, në fillim të tetëditshes së lutjes për bashkimin e të krishterëve, i premtoi Zotit se do të dhuronte jetën "për bashkimin e vëllezërve të ndarë". Shtatë ditë më vonë, më 25 janar, mbeti e mbërthyer në shtrat dhe u diagnostikua me një absces ossifluent në rruazën e pestë të qafës së mitrës për shkak të sëmundjes së Pott, që zakonisht quhet spondilit tuberkuloz. E shtruar në spitalin Lido të Venecias, e jetoi sëmundjen e saj të dhimbshme me qetësi shembullore, duke përsëritur vazhdimisht dëshirën për të dhuruar jetën e saj për unitetin e të krishterëve. Më 18 maj 1945 u lejua të bënte kushtet. Vdiq një vit më vonë, më 28 maj 1946, në moshën njëzet e shtatë vjeçare. Jeta e saj ishte e thjeshtë, e kaluar në vuajtje. Veçanërisht e përkushtuar ndaj Virgjërës Mari dhe Shën Terezës së Krishti Fëmijë, shenjtëria e saj u njoh shumë shpejt pas vdekjes, e shoqëruar me famë shenjash.​

24 janar 2024, 16:47