Nikaragua, shugurohen meshtarë të rinj. Thirrje e re e OKB-së
R.SH. / Vatikan
Kryeidioqeza e Managuas ka nëntë meshtarë të rinj: u shuguruan dje, më 6 janar, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, nga Kryeipeshkvi, Kardinali Leopoldo José Brenes Solórzano. Shumë besimtarë morën pjesë, me gëzim dhe emocion, në ritin e kremtuar në Katedralen e Managua-s.
Imzot Brenes: priftërinjtë, dëshmitarë të vëllazërisë
Në predikimin e tij, kardinali Leopoldo José Brenes Solórzano falënderoi Zotin për "dhuratën e mrekullueshme" të priftërinjve të rinj, duke kujtuar se meshtaria "nuk është pushtet", por "mision e shërbim". Meshtarët - nënvizoi ai - janë "shërbëtorë" dhe "dëshmitarë", të thirrur "për të jetuar në bashkim dhe vëllazëri".
Valë arrestimesh
Meshtarët e rinj u shuguruan në një kohë të vështirë për Kishën e Nikaraguas. Që nga 20 dhjetori u arrestuan të paktën 14 meshtarë, dy seminaristë dhe ipeshkvi i Siunas, Imzot Isidoro del Carmen Mora Ortega, i rrëmbyer pasi u lut për Imzot Rolando José Álvarez Lagos, ipeshkëv i Matagalpës dhe administrator apostolik i dioqezës Estelí, dënuar me 26 vjet burgim pa gjyq, në burg që nga shkurti i vitit të kaluar.
Shqetësim për priftërinjtë e sëmurë
Bashkësia kishtare shqetësohet veçanërisht për meshtarët e rrëmbyer, që kanë probleme shëndetësore, duke përfshirë Atë Ismael Serrano-n, famullitar i Shën Mikelit Kryeengjëll dhe Atë Gerardo Rodrígues, prift i Kishës të Zojës së Papërlyer, të dy nga kryeipeshkvnia e Managuas: janë të sëmurë dhe kanë nevojë për kujdes mjekësor.
Thirrje e OKB-së, drejtuar qeverisë së Nikaraguas
Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Amerikën Qendrore (OACNUDH) nisi një thirrje të re drejtuar qeverisë së Nikaraguas, duke i kërkuar të tregojë urgjentisht se ku po mbahet Imzot Mora, "viktimë e zhdukjes me forcë" që prej 16 ditësh. "Fshehja e këtij informacioni - lexojmë në një postim në X - vë në rrezik jetën e tij”.
Që nga 28 dhjetori i kaluar, OACNUDH dënoi "zhdukjen me forcë të ipeshkvit Isidoro Mora" dhe "valën e re të arrestimeve të besimtarëve", shkelje "e së drejtës për liri fetare e shtyllë e çdo shteti demokratik". Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Nikaragua po largohet "gjithnjë e më shumë" nga sundimi i ligjit dhe "nga liritë themelore" duke persekutuar "udhëheqësit politikë dhe indigjenë, anëtarët e Kishës Katolike, aktivistët dhe gazetarët" me "raste të përsëritura ndalimi arbitrar”.
Papa, më 1 janar, u lut përsëri për Nikaraguan
“Ndjek me shqetësim të thellë atë që po ndodh në Nikaragua, ku ipeshkvijve dhe priftërinjve u është hequr liria. U shpreh atyre, familjeve të tyre dhe gjithë Kishës në vend afërsinë time në lutje. Gjithashtu i ftoj gjithë të pranishmit këtu dhe gjithë Popullin e Zotit në lutje me këmbëngulje, ndërsa shpresoj se do të kërkojmë gjithmonë rrugën e dialogut për të kapërcyer vështirësitë. Të lutemi për Nikaraguan sot”.
Deri më tani, autoritetet e Nikaraguas nuk e kanë konfirmuar dhe as mohuar ndalimin e klerikëve të zhdukur.
Françesku: të kërkohet dialogu
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 1 janarit 2024, Papa Françesku kujtoi vendin e Amerikës Qendrore ku, në vitin 2018, pas episodeve të dhunës kundër kishave dhe meshtarëve, si dhe dëbimeve në vitin 2022 të nuncit dhe rreth 220 rregulltarëve, vijon prej muajsh vala e re e arrestimeve dhe e kufizimeve të manifestimeve fetare.
Pikërisht meshtarëve dhe ipeshkvijve të rrëmbyer, familjeve të tyre dhe "gjithë Kishës së vendit", Papa u siguron "afërsinë në lutje":
“I ftoj të gjithë të pranishmit këtu dhe të gjithë popullin e Zotit për lutje këmbëngulëse, ndërsa shpresoj se gjithmonë do të kërkojmë rrugën e dialogut për t’i kapërcyer vështirësitë. Të lutemi për Nikaraguan sot!”.