Settimana sociale, Trieste, Piazza Unità Settimana sociale, Trieste, Piazza Unità

Papa në Trieste për të mbyllur Javën Sociale të Katolikëve në Itali

Papa në Trieste, kryeqytetin julian, të dielën më 7 korrik për të përmbyllur ngjarjen e Konferencës Episkopale italiane (CEI) me një fjalim para pjesëmarrësve dhe me kremtimin e Meshës

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku do të shkojë në korrik në Trieste për të mbyllur Javën e 50-të Sociale të Katolikëve në Itali, takim shumëvjeçar i Konferencës Episkopale të Italisë (CEI) për thellimin dhe rinisjen e mesazhit social të krishterë si dhe për udhëheqjen e veprimtarisë së besimtarëve të kategorive të ndryshme të botës së punës.

Njoftimin e dha Imzot Giuseppe Baturi, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në komunikatën përfundimtare të Këshillit të Përhershëm të Ipeshkvijve italianë, që nisi të hënën dhe përfundoi sot, e enjte, 24 janar. Java Shoqërore e Triestes do të mbahet nga 3 deri më 7 korrik: Papa do të mbërrijë ditën e fundit. “Ati i Shenjtë - shpjegon Imzot Baturi - do të jetë me ne të dielën më 7 korrik, me një mesazh për pjesëmarrësit në manifestimin e Triestes dhe për të kremtuar me ta Meshën Shenjte”.

Java Shoqërore në korrik 2024, në Trieste: demokracia, pjesëmarrja dhe ardhmëria

Ngjarja e Triestes u paraqit në shtator 2022, në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, në Milano, me temën "Në zemër të demokracisë,  të marrim pjesë ndërmjet historisë dhe ardhmërisë". Kryeipeshkvi i Katanies, Imzot Luigi Renna, kryetar i komitetit organizativ të veprimtarisë, nënvizoi me atë rast se emri ishte ndryshuar nga Java Sociale Italiane, në Java Sociale e Katolikëve "në Itali", "në shenjë  të hapjes dhe të njohjes së pranisë në vendin tonë dhe në bashkësitë e krishtera të njerëzve nga shumë vende të botës”. Një udhëtim përgatitor prej 1500 delegatësh, zgjedhur nga dioqezat dhe shoqatat, filloi që në nëntor. E, në një qytet kufitar si Trieste, “multietnik dhe përplot me ndarje politike gjatë historisë”, nënvizon gjithnjë Imzot Renna, “ai do të flasë për pjesëmarrjen në jetën demokratike në 75-vjetorin e Kushtetutës italiane”.

Njerëz të aftë për të vënë edhe jetën në lojë

E ardhmja e Italisë, lexojmë në Dokumentin Përgatitor të Javës, që mund të ndiqet në faqen e internetit www.settimanesociali.it, "kërkon njerëz të aftë për punë e për bashkëpunim me njëri-tjetrin, për t’i përtëritur hapësirat e jetesës, madje edhe ato më të humburat e më të lodhurat, duke forcuar aftësinë për të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe për ta jetuar pushtetin si shërbim që duhet ndarë së bashku”. E dëshirojmë të gjejmë "në zemër të demokracisë" nga 3 deri më 7 korrik 2024, vijon Dokumenti, "pjesëmarrje dhe paqe, punë dhe të drejta, migrime dhe jetë të lirë e dinjitoze, ekologji integrale dhe ekonomi, që e vë në qendër të jetës, 'njeriun dhe natyrën'.

 

24 janar 2024, 17:22