Kërko

Angelus prayer in St. Peter's Square Angelus prayer in St. Peter's Square

Papa: ta kundrosh Jezusin do të thotë t’i japësh kuptim të ri kohës

Papa: nëse qëndrojmë përballë Krishtit Fëmijë dhe në shoqërinë e fëmijëve, do të mësojmë të mahnitemi dhe do të rinisemi përsëri më të thjeshtë dhe më të mirë, si Tre Mbretërit. Do të jemi në gjendje të kemi edhe perspektiva të reja e krijuese përballë problemeve të botës.

R.SH. / Vatikan

Papa kremtoi sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, lutjen e dytë të  Engjëllit të Zotit të Vitit të Ri 2024, atë të ditës së festës së Dëftimit të Zotit a të Ujit të Bekuar, kur Jezusi iu dëftua të gjithë popujve, të përfaqësuar nga Tre Mbretërit (krh Mt 2, 1-12)

Ta kundrosh Jezusin do të thotë t’i japësh kuptim të ri kohës

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes! – këto, fjalët e para të përshndetjes së Papës, drejtuar turmës së mbledhur  sot në Sheshin e Shën Pjetrit që, ende i stolisur për Festën e madhe të Krishtlindjes, me Shpellën e Betlhemit dhe Bredhin e festës, tundet nga duatrokitjes e brohoritjet festive.

Sot kremtojmë Epifaninë e Zotit - kujtoi sakaq  Papa - domethënë Dëftimin e Tij para gjithë popujve, personifikuar nga Tre Mbretërit (krh. Mt 2:1-12). Janë dijetarë të mençur të cilët, pasi vrojtojnë  dukjen e një ylli, nisen dhe mbërrijnë në Betlehem. Aty e gjejnë Jezusin, “me Marinë, nënën e tij”, përkulen para Tij dhe i dhurojnë “ar, kem e mirrë” (v. 11).

Skena e takimit të jashtëzakonshëm

Papa e ftoi më pas turmën e besimtarëve, që e ndiqte me kërshëri, për t’u ndaluar pak tek kjo skenë, tek ata njerëz të mençur, që njohin praninë e Zotit në një foshnje të thjeshtë: nuk është princ, as fisnik. Është  bir të varfërish. Po ata përulen para Atij dhe e adhurojnë:

“Ylli i çoi atje, përballë një Ferishteje; e ata, në sytë e tij të vegjël e të pafajshëm, shohin dritën e Krijuesit të gjithësisë, kërkimit të të cilit i kanë kushtuar gjithë jetën e tyre. Në ato gjymtyrë të brishta, njohin Zotin e jetës, ndalojnë për ta soditur dhe rinisen si njerëz të rinj”.

Takimi me Krishtin Fëmijë i jep kuptim kohës

Për ta është përvojë vendimtare! E rëndësishme edhe për ne: në Krishtin Fëmijë shohim Zotin e bërë njeri:

“E atëhere ta shikojmë Atë, të mrekullohemi nga përvujtëria e Tij. Ta kundrosh Jezusin, të qëndrosh para Tij, ta adhurosh në Eukarist, nuk do të thotë ta humbasësh kohën, por t’i japësh kuptim të ri; do të thotë të gjesh rrugën e jetës në thjeshtësinë e një heshtjeje që ushqen zemrën. Të qëndrojmë edhe ne para Fëmijës, të ndalemi para Shpellës së Betlhemit”.

Të gjemë kohë për të parë edhe fëmijët e vegjël

E të gjejmë kohë për të parë edhe fëmijët, të vegjlit, që gjithashtu na flasin për Jezusin, me besimin e tyre, me vetvetishmërinë e tyre, me habinë e tyre, me kureshtjen e tyre të shëndetshme, me aftësinë e tyre për të qarë dhe për të qeshur spontanisht e për të ëndërruar:

“Zoti është i tillë: Fëmijë, besimtar, i thjeshtë, dashuronjës i jetës (krh Urtia 11.26), ëndërrimtar: u bë njeri dhe i pëlqen të ndajë me ne misterin e jetës, me lot e gaz”.

Në shoqërinë e Jezusit dhe të fëmijëve

Prej këndej, ftesa e Papës:

“Pra, le të ndalemi, të flasim, të luajmë dhe të qeshim me fëmijët tanë; me durim, siç dinë të bëjnë gjyshërit! Të dëgjojmë çka na thonë dhe çka na thotë Zoti nëpërmjet tyre. Nëse qëndrojmë përballë Krishtit Fëmijë dhe në shoqërinë e fëmijëve, do të mësojmë të mahnitemi dhe do të rinisemi përsëri më të thjeshtë dhe më të mirë, si Tre Mbretërit”.

Do të jemi në gjendje të kemi edhe perspektiva të reja e krijuese - kujtoi në vijim Papa - përballë problemeve të botës.

Pyetje vetes, këto ditë të jashtëzakonshme

Si zakonisht në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa i ftoi besimtarë e jo, ta pyesin veten: në këto ditë a jemi ndalur për ta adhuruar Zotin, a i kemi lënë pak hapësirë ​​Jezusit, në heshtje, duke u lutur përpara skenës së lindjes së Tij? A u kemi kushtuar kohë fëmijëve, duke folur dhe duke luajtur me ta? Dhe, së fundi, a mund t'i shohim problemet e botës me sytë e fëmijëve? Pytje, këto, që presin përgjigje të dala nga zemrat tona, nga feja jonë, me ndihmën e përhershme të Zojës së Bekuar së cilës, në përfundim, Papa iu drejtua, si zakonisht, me lutjen:

“Maria, Nëna e Zotit dhe jona, na e shtoftë dashurinë për Krishtin Fëmijë dhe për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata që vuajnë nga luftërat dhe padrejtësitë”.

06 janar 2024, 16:30