Kërko

Protesta e fermerëve në BE Protesta e fermerëve në BE

Solidaritet i ipeshkvijve për protestat e fermerëve në Bashkimin Evropian

Si COMECE, deklarojnë ipeshkvijtë evropianë, ndiejmë nevojën për të marrë pjesë në debatin publik, në këtë çast delikat. Prelatët mendojnë se e ardhmja e qëndrueshme e sistemit ushqimor mund të arrihet njëkohësisht me të ardhmen e sigurt të fermerëve. Ky objektiv kërkon vendime të duhura politike, përmes dëgjimit dhe dialogut me vetë fermerët, duke ua njohur punën e vështirë, duke ua kuptuar shqetësimet dhe duke i vlerësuar

R.SH. - Vatikan

"Një të ardhme të qëndrueshme për sistemin tonë ushqimor dhe një të ardhme të sigurt dhe të lulëzuar për fermerët": këtë kërkon Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), në deklaratën e tij të fundit mbi gjendjen e punonjësve të bujqësisë, prej ditësh në protestë në Gjermani, Francë, Rumani, Belgjikë e Itali.

“Këto ditë – shkruhet në deklaratë – kemi parë protesta të mëdha fermerësh në gjithë Bashkimin Evropian. Megjithëse disa nga protestat aktuale janë shkaktuar nga shkurtimet e parashikuara të subvencioneve ose nga taksat, pakënaqësia në sektorin e bujqësisë përsa u përket politikave, që trajtojnë ndryshimet klimatike dhe krizat mjedisore është rritur prej kohësh – si, për shembull, në Holandë në periudhën 2022-2023”.

Denoncimi i ipeshkvijve: fermerët kanë të ardhura relativisht të ulëta

Si COMECE, shkruajnë ipeshkvijtë evropianë, ndiejmë nevojën për të marrë pjesë në debatin publik, në këtë çast delikat. Ndërsa mbështesin fuqimisht objektivin për ardhmërinë e qëndrueshme në Bashkimin Evropian, ata shprehin solidaritetin e tyre me fermerët, sidomos me bujqit e vegjël e të mesëm. Sektori i bujqësisë, vërejnë prelatët, luan një rol themelor për furnizimin me ushqim me cilësi të lartë e me çmime të përballueshme, përveçse u jep jetë zonave rurale dhe peizazheve evropiane.

Statistikat tregojnë rënien e vazhdueshme të numrit të fermave të vogla dhe të mesme, shoqëruar me rrezikun e plakjes së popullsisë së fermerëve, të cilët kanë të ardhura relativisht të ulëta në krahasim me orët e gjata të punës, me konkurrencën në treg (përfshirë importet nga jashtë BE-së), me kostot e larta të energjisë, me inflacionin, me pasigurinë në rritje, për shkak të klimës në ndryshim, por edhe për shkak të atyre, që perceptohen si politika rregullatore të tepruara, me pasoja konkrete financiare.

Bujqësia nuk është thjesht punë

Shumë nga fermerët që dalin në rrugë sot, vërejnë ipeshkvijtë e COMECE-së, ndihen të kërcënuar. Dihet se për ta, bujqësia nuk është thjesht punë, është thelbi i identitetit të tyre. Prelatët mendojnë se e ardhmja e qëndrueshme e sistemit ushqimor mund të arrihet njëkohësisht me të ardhmen e sigurt të fermerëve. Ky objektiv kërkon vendime të duhura politike, përmes dëgjimit dhe dialogut me vetë fermerët, duke ua njohur punën e vështirë, duke ua kuptuar shqetësimet dhe duke i vlerësuar.

Dialogu Strategjik ndërmjet BE-së dhe palëve të interesuara

Për këtë arsye, ipeshkvijtë evropianë mirëpresin “Dialogun Strategjik ndërmjet BE-së dhe palëve të interesuara nga i gjithë zinxhiri agroushqimor, që filloi zyrtarisht më 25 janar 2024, siç u njoftua nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”. Ata shpresojnë gjithashtu, që ky apo formate të ngjashme dialogu të shënojnë fillimin e një mënyre të re për të bërë politikë në Evropë. Nga ana tjetër, u bëjnë thirrje politikanëve ta vendosin njeriun në qendër të politikës, “duke garantuar një transparencë më të madhe në proceset vendimmarrëse, duke marrë parasysh pasojat e mundshme për ata që ndikohen prej tyre dhe, së fundi, duke i përfshirë më shumë të gjithë protagonistët”.

Politikat e kohëve të fundit të BE-së

Kërkesat e protestuesve, që kanë dalë në rrugë në kryeqytetet kryesore evropiane, kanë të bëjnë me politikat e kohëve të fundit të BE-së e, sipas të gjitha gjasave, do të jenë tema qendrore në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian. Ndër to, e ashtuquajtura "marrëveshje e gjelbër", importimi i produkteve bujqësore nga vendet ku nuk janë në fuqi rregullore të ngjashme me ato evropiane, kufizimet dhe stimujt për mos kultivimin e tokës, taksat, mungesa e rikualifikimit të figurës së fermerit.

Vetë BE-ja, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), është përgjegjëse për mbi 50% të të ardhurave të fermerëve në kontinent: një politikë e cila, nga pikëpamja tregtare, nuk u ka shërbyer siç duhet interesave të bujqësisë. Mjafton të përmenden marrëveshjet e nënshkruara me të ashtuquajturat katër kombet Mercosur, Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguajin, ose me Ukrainën, për të mos folur për optimizmin e tepruar për tranzicionin ekologjik "me kosto të ulët". Me standardet e reja, kompanive bujqësore u janë kërkuar investime kolosale, në kohë inflacioni dhe krize energjitike, përveç fatkeqësive natyrore gjithnjë e më të shpeshta dhe më të përhapura, për shkak të ndryshimit të klimës.

30 janar 2024, 15:52