2023.12.29 Rencontres européennes Taizé Ljubljana 2023.12.29 Rencontres européennes Taizé Ljubljana

Talini, etapa tjetër e "shtegtimit të besimit"

Përfundoi në Lubjanë Takimi i 46-të evropian i Tezesë: sot në mëngjes bashkësia kujtoi ngjarjet tradicionale, që do të jenë në krye të vendit në vitin 2024

R.SH. - Vatikan

Talini, kryeqyteti i Estonisë, do të jetë vendi i takimit të ardhshëm vjetor evropian të të rinjve, organizuar nga Bashkësia ekumenike e Tezesë. Lajmin e dha eprori, vëlla Mateu, në fund të takimit të dyzetegjashtë, që përfundoi dje, në Lubjanë. Po pse për "shtegtimin e besimit mbi Tokë"  u zgjodh si ndalesë e radhës qytetit baltik? E shpjegon bashkësia: "I vendosur ndërmjet Skandinavisë, Shteteve Baltike, Polonisë, Gjermanisë dhe Rusisë, Deti Baltik është udhëkryq për popujt e Evropës Veriore.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shqetësimet qenë veçanërisht të forta. Mbledhja nga vende të ndryshme për t'u lutur, për të reflektuar dhe për të ndërvepruar do të ndihmojë për angazhimin e të rinjve evropianë në rindërtimin e kontinentit si shtëpi të përbashkët, me të ardhme paqësore". Në një vend kryesisht laik, ku tetëdhjetë për qind e të rinjve deklarojnë se nuk janë të lidhur me asnjë fe, "pjesëmarrja në takimin e Talinit do të jetë mundësi e re për ta kërkuar Krishtin e ringjallur dhe për ta dëshmuar”, kujton bashkësia murgare: “Do të rijetojmë unitetin e të gjithë të pagëzuarve në traditat e ndryshme të krishtera. Duke përfaqësuar një pakicë të popullsisë, kishat e ndryshme janë të etura të flasin me një zë dhe të punojnë së bashku për t'u dëgjuar".

Takimi i të rinjve në Lubjanë përfundoi këtyre ditëve me një “mirupafshim”, përshëndetje që shpërtheu nga goja e pesëmijë të rinjve, ardhur nga e gjithë Evropa dhe e bashkësitë mikpritëse. Në mbrëmjen e 31 dhjetorit të kaluar, gjatë reflektimit të tij të fundit të përditshëm, vëlla Mateu u përqendrua tek nevoja për ta ruajtur të patundur besimin, pavarësisht nga ngjarjet dramatike që shohim ditë për ditë. “Kur shikojmë situatat e ndryshme të dhunës në shoqëritë tona, situatat e luftës dhe konfliktit, shumë afër apo edhe larg nesh, kur dëgjojmë britmën e tokës, shpesh ndihemi të humbur”- pohoi eprori i Tezesë – ndonjëherë nuk dimë më se në cilën anë të kthehemi. Madje arrijmë t’i bëjmë vetes pyetjen tragjike:  “Ku është Zoti në gjithë këtë tragjedi?".

Përballë kësaj sfide, vëlla Mateu vijon ta pyesë veten: “A jemi gati të ecim së bashku, me të tjerët? Jezusi u premton gëzim atyre që besojnë tek Ai, edhe pa e parë. Nëpërmjet këtij besimi, gëzimi gufon në zemrën e secilit prej nesh! E, kur ecim së bashku, shpërthen pa frikë e pa zori”. Në reflektimin e tij, më 30 dhjetor, eprori i pati inkurajuar të rinjtë ta shfrytëzojnë sa më shumë çka jetuan në Lubjanë, në jetën e tyre të përditshme muajt e ardhshëm. Më pas, pyetja, për t’u pasqyryar gjatë në meditimet e përditshme:  “Cilat janë përgjegjësitë që jeni thirrur të merrni përsipër në vendet tuaja, në shoqëri dhe në kishë? Nuk janë të lehta. A jemi gati t'i kushtojmë kohë lutjes dhe të kërkojmë shtigje për të krijuar besim dhe mirëkuptim?”.

 Sot në mëngjes bashkësia e Tezesë kujtoi ngjarjet tradicionale, që do të jenë në krye të vendit në vitin 2024, në veçanti takimin e miqësisë të të rinjve myslimanë dhe të krishterë, nga data 7 deri më 12 korrik; javën e dëshmive të besimit ortodoks, nga 4 deri më 11 gusht, si dhe javën e reflektimit për moshat 18-25 vjeç, nga data 25 gusht deri më 1 shtator.

(nga OSSERVATORE ROMANO e martë, 2 janar 2024)

03 janar 2024, 15:20