Kërko

2023.12.31 Vespri e Te Deum 2023.12.31 Vespri e Te Deum

Të meditojmë me Ungjillin, në ditën e parë të Vitit të Ri

Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim, / që pranon qetësisht / urinë e etjen, sëmundjet e shfrytëzimin / e sa e sa njerëzve, që gjithsesi, bartin / gjurmën e pashlyeshme të fytyrës Tënde? Ti nuk u përgjigjesh pyetjeve të mia, / por më vë pak pika ilaçi në sy / që të shoh çka i shpëton / vështrimit të pavëmendshëm të shumicës

R.SH. - Vatikan

Në ditën e parë të Vitit të Ri, me 1 janar, në të cilën Kisha Katolike romake kremton solemnitetin e Nënës së Zotit, fillon edhe Viti i Ri. Pjesa ungjillore na tregon një episod nga jeta e një familjeje hebraike të varfër, që s’gjeti vend në bujtinë, por u detyrua të strehohej në mesin e kashtës së grazhdit. E pra, fëmija është Zoti e gruaja, që e lindi, është Virgjëra Shenjte. Vetëm barinjtë, të ndihmuar nga një mesazh qiellor, i njohin dhe u thurin lavde. Urojmë që në këtë Vit të Ri t’i njohim edhe ne e t’ia besojmë udhën, që do të bëjmë përgjatë 2023-shit, Birit të Zotit të gjallë. Të ndjekim Ungjillin sipas Lukës, në kreun e tij të dytë (16-21)…

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës.

Të lutemi së bashku

Nisi sot një vit i ri

e unë, si shumë të tjerë, prita,

plot besim e shpresë,

atë mesnatë, në kapërcyell

të kësaj kohe të re.

 

Një vit i ri nisi sot

e, kur u zgjova, sot në mëngjes,

e ndjeva peshën e frikës,

të ankthit e të shqetësimit,

që bëjnë çmos ta mbysin shpresën.

 

Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim,

zemërshqyer nga urrejtja

shkatërruar nga armiqësitë

korruptuar nga egoizmi?

Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim,

përshkuar nga kaq iluzione,

magjepsur nga kimera,

dehur nga horizonte të çuditshme.

Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim,

që pranon qetësisht

urinë e etjen, sëmundjet e shfrytëzimin

e sa e sa njerëzve, që gjithsesi, bartin

gjurmën e pashlyeshme të fytyrës Tënde?

 

Ti nuk u përgjigjesh pyetjeve të mia,

por më vë pak pika ilaçi në sy

që të shoh çka i shpëton

vështrimit të pavëmendshëm të shumicës.

 

Më bën të takoj shumë fytyra njerëzish të mirë,

që bëjnë ç’është e mundur

për të jetuar varfërinë e të mjerëve,

për t’u dhënë dinjitet të braktisurve,

për të ngushëlluar të vuajturit,

për t’i dhënë një dorë vëllazërisht, atij që gabon.

E kështu, me këto fytyra, Ti më jep dritën e gjallë,

që ma shndrit udhën e Vitit të Ri e ma pakëson frikën.

01 janar 2024, 10:49