Kërko

“Maesta-së” së Cimabue i rikthehet shkëlqimi “Maesta-së” së Cimabue i rikthehet shkëlqimi  (ANSA)

Asizi, "Maestà” e Cimabue-s shkëlqen rishtas, pas restaurimit

Punimet u paraqiten sot, 16 shkurt, pesëdhjetë vjet pas ndërhyrjes së fundit. Kujdestari i Kuvendit Shenjt Moroni: "Shkëlqim i ri për një pikturë që nuk është thjesht vepër arti, por edhe e sidomos kujtim i vlerës së lartë simbolike të figurës dhe vlerave të vetë Shën Françeskut"

R. SH - Vatikan

 “Madhështisë së Asizit” i rikthehet shkëlqimi i hershëm. U mbajt sot paradite, 16 shkurt, Konferenca e shtypit për paraqitjen dhe zbulimin e afreskut të Zojës në fron, me Foshnjën, engjëjt dhe Shën Françeskun, vepër e Cimabue, e njohur edhe si Madhështia e Asizit. Përfundoi, kështu, puna restauruese e kryer nga një ekip i Tecnireco, drejtuar nga kryerestauruesi i Bazilikës së Shën Françeskut, prof. Sergio Fusetti, falë kontributit të prodhuesit të makinave Ferrari. Projekti i konservimit filloi në janar 2023, pesëdhjetë vjet pas ndërhyrjes së fundit, e vijoi një vit. E datuar ndërmjet viteve 1285 dhe 1290 - e para e krijuar nga Cimabue brenda Bazilikës - vepra ndodhet në anën e djathtë të transetit verior të Kishës së poshtme të Bazilikës së Shën Françeskut. Afresku është i famshëm jo vetëm për paraqitjen e Virgjërës në fron, por edhe për atë që besohet të jetë një nga portretet më të vjetra dhe më të besueshme të vetë Shën Françeskut, krijuar, sipas traditës, duke u bazuar në përshkrimin e atyre, që e kishte njohur personalisht.

Kujdestari i Kuvendit Shenjt: figurja fitoi shkëlqim të ri

"I shpreh mirënjohjen profesorit Fusetti, ekipit Tecnireco dhe, padyshim Ferrarit - deklaroi Fra Marco Moroni, kujdestar i Manastirit të Shenjtë - për sinergjinë që i dha shkëlqim të ri një pikture, e cila nuk është thjesht "vepër arti, por - para së gjithash, për ne françeskanët dhe për të gjithë besimtarët e shenjtorit - kujtesë me vlerë të lartë simbolike për figurën dhe vlerat e vetë Shën Françeskut”. E gjithë kjo është veçanërisht e rëndësishme ndërsa përgatitemi për 100 - vjetorin e madh françeskan të vitit 2026, në të cilin do të kremtojmë edhe 800-vjetorin e Pashkëve të Shenjtit të Asizit. Portreti i Shën Françeskut, i përfaqësuar në këtë kryevepër nga Cimabue, na kthen domosdoshmërisht te figura e tij historike që vijon të ketë  rëndësi të jashtëzakonshme edhe sot, duke vijuar të jetë burim provokimesh të thella për secilin prej nesh, për Kishën, për mbarë botën”.

Punë për ruajtje

E krijuar me një teknikë të thatë, e cila për rrjedhojë është më pak rezistente në kohë, që nga shekulli i 16-të afresku ka pësuar ndërhyrje të shumta restauruese, pas të cilave ka pasur edhe ndryshime të rëndësishme, si në rastin e fytyrës së Shën Françeskut. Ndërhyrja e fundit nga Instituti Qendror i Restaurimit u bë në vitin 1973. Në projektin e përfunduar së fundmi u kryen hetime të shumta me teknika dhe instrumente të ndryshme joinvazive për të analizuar gjendjen e konservimit të veprës dhe materialeve të përdorura në restaurimet e mëparshme. Prandaj u vendos që të kryheshin punime konservatore në afresk, duke hequr të gjitha restaurimet e mëparshme. Ndërhyrja ndoqi modelin e Institutit Qendror të Restaurimit të vitit 1973 me një prekje më pak invazive, e cila synonte të  nxirte në pah kontributin e artistit dhe të forconte suvanë e strukturës së murit. Projekti i gjerë i mirëmbajtjes Restaurimi i “Madhërisë” së Cimabue është pjesë e projektit më të gjerë të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë së pranishme brenda Bazilikës së Shën Françeskut, që u bë edhe më e nevojshme pas ngjarjeve sizmike të dekadave të fundit dhe rrezikut të tërmeteve të reja të mundshme. Pas kësaj vepre të fundit të sapo paraqitur, tani po fillon restaurimi i Kapelës së Shën Shtjefnit, i afreskuar nga Dono Doni dhe Giacomo Giorgetti.

16 shkurt 2024, 15:16