Kërko

Cattolici in Burkina Faso Cattolici in Burkina Faso  (SESAME PICTURES)

Burkina Faso, terroristë në Kishë e në Xhami: dhjetëra të vdekur

Bashkësia katolike e Essakane dhe bashkësia myslimane e Natiaboani u sulmuan dje, ndërsa po luteshin, nga njerëz të armatosur, që qëlluan mbi besimtarët

R. SH. - Vatikan

Ditë masakrash e djeshmja: terroristët vunë në grykë të pushkës besimtarë të feve të ndryshme, të pambrojtur, ndërsa po luteshin. Ishte e dielë e përgjakshme ajo, që u jetua dje, 25 shkurt, në Burkina Faso. Lajmit për 15 besimtarët e vrarë në sulmin kundër bashkësisë katolike të fshatit Essakane, qëlluar gjatë kremtimit të Meshës, iu shtua lajmi i mbërritur sot për një tjetër sulm, që ndodhi në Natiaboani, në këtë rast, kundër një xhamie, e që la pas dhjetra viktima të tjera.

Sulmi në Kishë

Ipeshkvi i dioqezës së Dorit, Imzot Laurent Bifuré Dabire dha i pari njoftimin për vrasjen e 15 besimtarëve: 12 vdiqën menjëherë e 3, pas plagosjes, përveç plagosjes së dy të tjerëve. Sipas burimeve të shtypit, sulmi u krye nga njerëz të armatosur brenda Kishës katolike të Essakane. “Në këto rrethana të dhimbshme - shkruan Prelati - ju ftojmë të luteni për pushimin e pasosur të të vdekurve, shërimin e të plagosurve dhe  ngushëllimin e zemrave të pikëlluara”. Pa harruar të luteni “edhe për pendimin e atyre, që vazhdojnë të mbjellin vdekjen dhe të shkretojnë vendin tonë. Përpjekjet tona të pendesës dhe lutjes gjatë kësaj periudhe të Kreshmëve - përfundon Prelati - sjellshin paqe dhe siguri në vendin tonë, Burkina Faso".

Sulmi në Xhami

Edhe sulmi mbi Xhaminë, në lindje të Burkina Fasos, ishte shumë i rëndë. "Njerëz të armatosur - njoftoi një burim sigurie i AFP - sulmuan një Xhami në Natiaboani rreth orës 5 të mëngjesit (me orën lokale) të dielën, duke vrarë disa dhjetëra njerëz". Viktimat - shtoi një banor vendas, "ishin të gjithë myslimanë, kryesisht burra të mbledhur në xhami për t'u falur". Një tjetër burim nga vendi shpjegoi se "terroristët hynë në qytet në orët e hershme të mëngjesit, rrethuan xhaminë dhe qëlluan mbi besimtarët që qenë mbledhur për faljen e parë të ditës. Shumë prej tyre u vranë, ndërsa luteshin. Ndër ta, edhe një prijës i rëndësishëm fetar”.

26 shkurt 2024, 11:15