Çelësi i fjalëve të Kishës: “deep fake”
R.SH. – Vatikan
“Deepfake” apo falsifikim i thellë – fjalë e përdorur, duke filluar nga viti 2017 – është një teknikë për sintetizimin e pamjeve njerëzore duke përdorur Inteligjencën Artificiale, e cila kombinon dhe mbivendos imazhe e video të vërteta me imazhe e video të tjera, përmes një teknike me të cilën vetë aparati i përdorur mëson automatikisht procedurën e mbivendosjes. Kjo teknikë njihet si rrjeti antagonist gjenerativ. Fatkeqësisht, është përdorur shpesh për prodhimin e videove pornografike, duke zëvendësuar fytyrat me atë të aktorëve të njohur botërorë, ose me ato të njerëzve të tjerë, për hakmarrje, por mund të përdoret edhe për të prodhuar lajme të rreme, mashtrime, për akte bullizmi në internet, ose për krime informatike të natyrave të ndryshme. Pikërisht, kjo është arsyeja për të cilën Papa tërheq vëmendjen e kërkon të mbrohen e të formohen përdoruesit e internetit që t’i dallojnë e t’i mënjanojnë këto lloj përmbajtjesh.
Pak histori
Zhvillimi i teknikës së “deepfake” është bërë kryesisht në dy fusha: puna kërkimore në institucionet akademike dhe zhvillimi amatorial në bashkësitë online.
Puna kërkimore akademike lidhur me “deepfakes” është zhvilluar kryesisht në fushën e vizionit kompjuterik, degë e shkencës kompjuterike shpesh e bazuar në Inteligjencën Artificiale, e cila ka të bëjë me përpunimin kompjuterik të imazheve dhe të videove dixhitale. Një nga projektet historike ka qenë "Video Rewrite", i vitit 1997, i cili modifikoi videon ekzistuese të një personi, në mënyrë që të dukej sikur ai po thoshte diçka tjetër.
Projektet akademike bashkëkohore përqendrohen në krijimin e videove më realiste, me teknika më të thjeshta, më të shpejta dhe më të përdorshme nga të gjithë. Projekti "Synthesizing Obama" (Sintetizimi i Obamës), për shembull, publikuar më 2017, modifikon videot e ish-presidentit amerikan Barack Obama, duke e bërë të thotë fjalë të marra nga një pjesë tjetër zanore. Programi "Face2Face", transmetuar në vitin 2016, modifikon videon e fytyrës së një personi, duke e bërë atë të imitojë shprehjet e fytyrës së një personi tjetër në kohë reale.
Pavarësisht nga zhvillimet teknike zyrtare, termi “deepfake” ka lindur në gjirin e internautëve amatorialë. Një përdorues i faqes së internetit Reddit, në vitin 2017, publikoi një sërë videosh pornografike e jo, ku fytyrat ishin ndërruar me ato të aktorëve të njohur. Përdoruesi e quante veten në rrjet pikërisht “deepfakes”, nga ku e mori emrin krejt teknika. Në shkurt 2018, ky përdorues u ndalua të publikonte në Reddit, pas shkandullit botëror që pati publikimi i videove. Shumë nga rrjetet shoqërore në internet u ndërgjegjësuan për problemin, duke ndaluar përdorimin e kësaj teknike, që shfrytëzonte Inteligjencën Artificiale, për videot e ndryshuara qëllimisht, sidomos për videot pornografike. Megjithatë fenomeni vijon edhe sot, duke shkaktuar jo pak shqetësime në etikën e përdorimit të internetit. Në disa vende, si për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, prodhuesit e materialeve “deepfake” mund të hidhen në gjyq për ngacmim e ligjvënënsit po mendojnë ta fusin “deepfake” në kuadrin ligjor të krimeve të veçanta.
Përdorimi i “deepfakes” në politikë
“Deepfake” është përdorur për të nxjerrë në dritë të keqe politikanë të njohur në portale të ndryshme video. Për shembull, fytyra e presidentit argjentinas Mauricio Macri është zëvendësuar me fytyrën e Adolf Hitlerit dhe fytyra e Angela Merkelit me atë të Donald Trumpit. Ka mbetur në histori videoja e prillit 2018, me të cilën regjisori amerikan Jordan Peele dhe afaristi i internetit Jonah Peretti krijuan një “deepfake”, duke përdorur Barack Obamën si sensibilizim për rrezikun e “deepfakes”. Ndërsa, në janar të vitit 2019, rrjeti televiziv Fox transmetoi një “deepfake” të Donald Trump, duke u tallur mer pamjen dhe me ngjyrën e lëkurës së tij.
Abuzimet
Ashtu si Papa Françesku në Mesazhin për Ditën e sivjetme Botërore të Komunikimeve Shoqërore, edhe protagonistë të tjerë të kulturës e kanë ngritur zërin për të denoncuar se manipulimi i imazheve përmes Inteligjencës Artificiale mund të bëhet një fenomen i rrezikshëm masiv. Pavarësisht se ky manipulim ka ndodhur edhe më parë në videot analogjike, në botën dixhitale, programet i realizojnë ndryshimet më shpejt dhe e bëjnë videon e manipuluar të duket si origjinale.
Për shembull, dikush regjistron një person, që ecën e flet normalisht, duke marrë edhe shprehjet e fytyrës. Këto imazhe mund të shpërbëhen në matrica të veçanta, mund të analizohen, të riorganizohen sipas modeleve të njohura standarde të sjelljes njerëzore, në mënyrë që personi të duket sikur thotë dhe bën gjëra, që nuk i ka thënë, ose nuk i ka bërë me të vërtetë. Studiuesi i Inteligjencës Artificiale, Alex Champandard, deklaron se të gjithë duhet ta dinë sa shpejt mund të falsifikohen gjërat në ditët e sotme me këtë teknologji dhe se problemi nuk është teknik, por duhet zgjidhur përmes besueshmërisë së informacionit dhe të gazetarisë. Njerëzimi, paralajmëron ai, mund të bjerë në një epokë, në të cilën nuk është më e mundur të përcaktohet nëse përmbajtja e mediave korrespondon me të vërtetën. Siguria e deritanishme, sipas së cilës “imazhet nuk gënjejnë, duhet të rishikohet katërcipërisht”. E për këtë fton edhe Papa Françesku në Mesazhin e tij.