Kërko

Papa përhihet gjatë meshës së të Mërkurës së Përhime Papa përhihet gjatë meshës së të Mërkurës së Përhime

Çelësi i fjalëve të Kishës: e Mërkura e Përhime, fillimi i Krezhmëve

Jo më larg se dje, Kisha Katolike kremtoi të Mërkurën e Përhime, me të cilën filloi periudhën e Krezhmëve, kohë që na përgatit për kremtimin e Pashkëve të Ringjalljes së Jezu Krishtit. Duke komentuar ritin e përhimjes, në meshën e pasdites së djeshme, Papa Françesku nënvizoi: “Jemi pluhur, jeta jonë është si puhizë, por Zoti - Ai dhe vetëm Ai - nuk e lë të zhduket" Pse Krezhmët fillojnë me këtë rit? Sot, i japim përgjigje pikërisht kësaj pyetjeje

R.SH. – Vatikan

Dihet që me të Mërkurën e Përhime e me ritin e përhimjes fillojnë Krezhmët. Para Koncilit II të Vatikanit, shprehja e meshtarit, që shoqëron ritin e përhimjes, ishte fraza e marrë nga Libri i Zanafillës (3,19): “Kujtohu o njeri se pluhur je e në pluhur do të kthehesh”. Këtu e ka zanafillën përdorimi i hirit-pluhurit, që s’është tjetër veçse hiri i mbetur nga djegia e degëve të ullirit, bekuar të Dielën e Larit të vitit të mëparshëm. Pas Koncilit, u shtua fraza e kreut 1 të Ungjillit sipas Markut (1,15): “Kthehuni dhe besojini Ungjillit”, që shpreh mirë aspektin pozitiv të Krezhmëve, kohë kthimi kah Zoti e kohë lutjesh.

Zanafilla e kremtimit

Kremtimi i së Mërkurës së Përhime lindi për arsye të kremtimit publik të pendesës. Me të vërtetë, ishte riti, që niste rrugëtimin e pendesës së besimtarëve, të cilët do të shfajësoheshin nga mëkatet paraditen e së Enjtes së Madhe. Nga pikëpamja liturgjike, hiri mund të përdoret në të gjitha kremtimet eukaristike të të mërkurave, por, sipas liturgjistëve, është e rëndësishme të caktohet një kremtim komunitar – si të thuash - "i privilegjuar", ku theksohet edhe më shumë përmasa kishtare e rrugës së konvertimit, që po fillon.

Ndërkaq, agjërimi – karakteristik i Krezhmëve, po jo vetëm - është i rëndësishëm për të gjitha fetë: myslimanët e praktikojnë gjatë muajit të Ramazanit e hebrenjtë gjatë Kipurit.

Kuptimi biblik i përhimjes

Teologjia biblike na thotë se përdorimi i hirit ka kuptim të dyfishtë:

Para së gjithash, ai është shenjë e dobësisë dhe e brishtësisë së njeriut. Abrahami, duke iu drejtuar Zotit, thotë: "Ja, unë po marr guxim të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur..." (Zan 18,27). Jobi, duke e pranuar kufizimin e thellë të ekzistencës së tij, me një ndjenjë përuljeje të skajshme, pohon: " Në baltë më përplasi pa farë mëshire e jam bërë krejt blozë e pluhur” (Jb 30,19). Kjo përmasë e pasigurisë së njeriut, e simbolizuar nga hiri, mund të gjendet në shumë pjesë të tjera biblike (Urt 2,3; Sir 10,9; Sir 17,27).

Por hiri është edhe shenja e jashtme e njeriut, që pendohet për veprimet e tij të liga dhe merr vendimin për të bërë një udhëtim përtëritës drejt Zotit. Veçanërisht i njohur është teksti biblik i kthesës së banorëve të Ninives, pas predikimit të Jonës: "Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur” (Jon 3,5-6), pra, në hi. Edhe Judita i fton njerëzit të pendohen që Hyji të ndërhyjë për t'i çliruar: " Çdo burrë izraelit, gra e fëmijë, që banonin në Jerusalem, ranë me fytyrë përdhe para Tempullit, e përhinë kryet me hi dhe i shtrinë grathoret para Tempullit të Zotit” (Jud 4,11).

Hiri pra, është shprehje e brishtësisë së njeriut, i cili bie gjithnjë në mëkat, ka nevojë të pendohet e t’i kërkojë falje Zotit, për t’u kthyer sërish në udhën e përvijuar prej Tij për çdo njeri. Krezhmët janë kohë e përshtatshme për këtë kthesë.

15 shkurt 2024, 15:27