Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: “echo-chamber” dhe “machine learning”

Më 24 janar, Papa Françesku bëri të ditur Mesazhin e tij për Ditën e 58-të Botërore të Komunikimit Shoqëror, kushtuar Inteligjencës Artificiale dhe përdorimit të saj. Pikërisht në të, Ati i Shenjtë përdor një sërë fjalësh relativisht të reja, që kanë të bëjnë me përdorimin negativ të Inteligjencës Artificiale, e cila mund të prodhojë lajme të rreme, manipulime e dezinformim. Ndër këto fjalë janë “echo-chamber” dhe “machine learning”, të cilat do t’i shpjegojmë sot

R.SH. – Vatikan

“Echo-chamber”, ose “dhoma e jehonës” apo “dhoma e rezonancës” është vend online, në të cilin idetë dhe opinionet tona përforcohen e konfirmohen. Pikërisht për këtë arsye, shpesh, i frekuentojmë pa e ditur. Ç’do të thotë kjo?

Bashkësi e rrjete shoqërore, ku idetë tona përforcohen

 Kur informohemi në internet nuk lëvizim në “boshllëk”. Veprimet dhe kërkimet tona kushtëzohen nga informacionet dhe opinionet, që kemi për argumentin e caktuar. Pavarësisht se synojmë t’i zgjerojmë njohuritë për atë argument, ka shumë mundësi të gjejmë përmbajtje, që përputhen me idetë tona mbi të. Në këtë kuadër, mund të hyjmë – edhe pa e ditur - në bashkësi a në rrjete shoqërore, ku idetë tona përforcohen, ose, siç thuhet në këtë rast, gjejnë “jehonë”, duke lënë jashtë opinionet, që konsiderohen “të ndryshme”. Pikërisht kjo është baza e krijimit të “dhomave të rezonancës”, ku na çon algoritmi i internetit, që e personalizon përmbajtjen, në mënyrë që të na drejtojë kah ajo bashkësi, që e mendon si ne. Dy janë mekanizmat në bazën e këtij fenomeni: nevoja për konfirmim dhe nevoja për përkatësi. Psikologjikisht, kemi nevojë të gjejmë tek të tjerët konfirmimin e opinioneve tona dhe për rrjedhojë, të ndihemi pjesë e atij grupi, që e mendon si ne.

Siç mund të kuptohet lehtë, “dhomat e rezonancës” mund të kenë pasoja negative, kur i izolojnë grupet nga informacioni i ndryshëm prej atij, që qarkullon brenda tyre. Kështu, njerëzit fillojnë të mendojnë se të gjithë kanë të njëjtat bindje si ata. Kjo i hap rrugën manipulimeve për lloj-lloj qëllimesh, sidomos politike, duke i bërë njerëzit gjithnjë e më integralistë, pasi brenda “dhomave” përjashtohet çdo lloj dialogu me ide të tjera e si rrjedhim, çdo hipotezë kompromisi. Në këtë skenar, përpjekja për të nxjerrë në shesh mashtrimet e lajmet e gënjeshtërta është tejet e vështirë dhe e vë demistifikatorin ballë për ballë me krejt grupin.

Machine learning

Fjala tjetër, që përmend Papa Françesku në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, është “machine learning” apo “makinë, që mëson”. Në thelb, në programimin e një makinerie parashikohet edhe mundësia për të mësuar vetvetiu nga të dhënat, që mbërrijnë në aparat, pa i dhënë makinës ndonjë instruksion të veçantë për këtë. Këto lloj algoritmesh përdoren gjerësisht në mjekësi, në filtrimin e e-maileve, në njohjen e zërit, ose në vizionin artificial, ku është e vështirë të parashikohen programe të zakonshme për kryerjen e detyrave të kërkuara.

Pavarësisht se termi “machine learning” u përdor për herë të parë nga Arthur Samuel në vitin 1959, ideja e makinës, që mëson, duke u bërë më “inteligjente”, i përket matematicienit e filozofit të njohur britanik Alan Turing. Ai shtroi pyetjen “A mund të mendojnë makinat?” Që atëherë e deri më sot, përparimi teknik dhe reflektimi mbi këtë çështje e kanë ndryshuar pyetjen në “A mund të bëjnë makinat atë që ne (qënie inteligjente) mund të bëjmë?” (shih Tom M. Mitchell). Duke e thjeshtuar çështjen, mund të themi se makina e programuar nga njeriu mëson gjëra të reja nëse e përmirëson punën e saj, pasi ka kryer një detyrë të caktuar. A nuk funksionon kështu edhe truri i njeriut?

Zbatimi praktik i “machine learning”

“Machine learning” gjen zbatime në shumë fusha të jetës, si, për shembull, në guidën automatike të makinave, në klasifikimin e strukturave të reja astronomike, në lojrat për kompjuter, në financë, në projektimet e inxhinjerisë, ose të arkitekturës e në shumë të tjera. Natyrisht, hapen edhe një sërë problemesh etike, për të cilat e ngre zërin Papa Françesku. “Makina që mëson”, ka nevojë “të stërvitet” - siç thuhet në zhargonin shkencor – pra, duhet furnizuar me një sërë të dhënash, të cilat ajo i përpunon, duke e përmirësuar realizimin e detyrës, që i është caktuar. Nëse i jepen të dhëna të rreme, ose të ndryshuara qëllimisht, makina – e cila nuk është e pajisur me moralin, që e ka vetëm njeriu – prodhon paragjykime, që mund të jenë tejet të rrezikshme si racizmi apo klasizmi, për shembull. Këto paragjykime, së bashku me jehonën, që mund të marrin në “dhomat e rezonancës” për të cilat folëm më sipër, mund të ndikojnë në shoqëri, në rezultatin e zgjedhjeve, në përhapjen e opinioneve, që edhe kur nuk janë, paraqiten si ide të shumicës së njerëzve. Rreziku më i madh, për të cilin po diskutohet tashmë në gjithë botën, është që makinat – pavarësisht se nuk e kanë në programimin e tyre këtë pushtet – të marrin vendime, duke zëvendësuar njeriun.

08 shkurt 2024, 08:34