Papa Françesku në rrëfyestore Papa Françesku në rrëfyestore

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtorët na shpjegojnë pse duhet të rrëfehemi

Nga Don Bosko te Padre Pio e te Leopoldo Mandiç ka shumë dëshmi mbi rëndësinë e kërkimit të faljes prej Zotit. Papa Françesku: Sakramenti i Pajtimit duhet të jetë takim festiv, jo torturë

R.SH. - Vatikan

 Me thirrjen e tyre për lutje dhe pendesë, Krezhmët janë kohë e privilegjuar liturgjike e shpirtërore për t’u përgatitur e për të marrë Sakramentin e Pajtimit me Zotin. Në numrin 1457, Katekizmi i Kishës katolike thotë, se "sipas urdhërimeve të Kishës, çdo besimtar që ka arritur moshën e maturisë, duhet të rrëfejë besnikërisht mëkatet e tij të rënda, të paktën një herë në vit". “Borxhi i Pashkëve”, thotë populli, pasi pikërisht koha e Krezhmëve dhe e Pashkëve, përveç asaj të Ardhjes, është kohë e privilegjuar për këtë.

Rrëfimi a pajtimi e  shembulli i shenjtorëve

I rëndësishëm, edhe shembulli i shenjtorëve, shumë prej të cilëve ishin apostuj të vërtetë të rrëfimit. Për shembull, rëndësia e rrëfimit të mirë e të shpeshtë ishte një nga mësimet kryesore të Don Gjon Boskos për fëmijët. “Para së gjithash – thoshte shenjtori i të rinjve – ju këshilloj të bëni gjithçka mundeni për të mos rënë në mëkat: por, nëse fatkeqësisht, ju ndodh, mos e lini kurrë djallin t'ju bindë të heshtni për këtë në rrëfim. Kini parasysh se rrëfyesi ka marrë nga Zoti pushtetin për t'ju falur çdo lloj mëkati, sado të shumënumërt të jenë". Prandaj, nuk duhet pasur turp, pasi rrëfyesi "është si një atë, që dëshiron me gjithë shpirt të bëjë për ju më të mirën e mundshme dhe përpiqet të largojë çdo të keqe prej jush". Për veten, Don Bosko thoshte: «Mbaj mend që më përgatiti nëna për rrëfimin e parë. Ajo më shoqëroi në kishë, u rrëfye e para, më rekomandoi te rrëfyesi e pastaj, më ndihmoi ta falenderoja Hyjin. Vazhdoi të më ndihmonte derisa u bind se isha në gjendje të bëja vetë një rrëfim të denjë”.

Pendesa
Pendesa

 Sakramenti i pendesës ishte pa dyshim themelor për Shën Leopoldo Mandiç (1866-1942), frat kapuçin me origjinë kroate, që vdiq në Padova, ku kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës, duke i kushtuar orë të gjata rrëfimit të të penduarve. Atyre, që e akuzonin se i falte shumë lehtë mëkatet, u thoshte: "Nëse Hyji do të më qortonte se jam shumë bujar, mund t'i thosha: Zot i bekuar, ti ma ke dhënë këtë shembull të keq, duke vdekur në kryq për shpirtrat, i prekur nga mëshira hyjnore”. Shën Leopoldo Mandiç thoshte gjithnjë se të penduarit, që i afrohen rrëfyestores, duhen trajtuar me butësi. Për këtë, tregonte një episod: «Kur isha fëmijë 8 vjeç, bëra një faj që nuk më dukej serioz dhe e konsideroj ende sot kështu. Motra më qortoi dhe më pas më çoi te famullitari që të më ndëshkonte e të më korrigjonte. Unë ia rrëfeva fajin famullitarit dhe ai, pasi më qortoi ashpër, më vuri në gjunjë në mes të kishës. Isha shumë i trishtuar dhe thashë me vete: pse ta trajtosh një fëmijë kaq ashpër për një faj të vogël? Kur të rritem dua të bëhem frat, të bëhem rrëfyes dhe të kem shumë butësi e mëshirë për mëkatarët!”

Papa Françesku rrëfen një të ri
Papa Françesku rrëfen një të ri

Atë Piu nga Pietrelcina, i cili kalonte më se 15 orë në ditë duke dëgjuar pendestarët, i ftonte të gjithë për t’u rrëfyer shpesh. Lidhur me këtë, "Il Settimanale di Padre Pio" (E përjavshmja e Atë Piut) tregon dëshminë e Pietro Cugino-s, bir shpirtëror i fratit të shenjtë me varrët e Krishtit në trup. “Donte që unë të rrëfehesha çdo tetë ditë. Nëse nganjëherë nuk i shkoja, vinte të më kërkonte. Një ditë më gjeti në kuzhinë, ndërsa po ndihmoja fratin kuzhinier. Më thirri dhe, duke më marrë për dore, më çoi në një cep të vogël të korridorit të kuvendit, ku më rrëfeu. Në një rast tjetër, i nënvizova se nuk kisha shumë për të thënë e ai m’u përgjigj: ‘A e ke parë ndonjëherë gruan shtëpiake, që ka një mobilje të bukur? Ajo ia pastron pluhurin çdo mëngjes, sepse gjithmonë vëren pak pluhur mbi të. Kështu duhet të bëjmë edhe me shpirtin, ku gjithmonë grumbullohen papërsosmëri".

Rrëfimi
Rrëfimi

Lista e shenjtorëve, që na ftojnë të rrëfehemi si duhet, është e gjatë. Po ashtu, edhe ajo e Papëve. Gjon Pali II dhe Benedikti XVI i kushtuan faqe të rëndësishme sakramentit të faljes. E Papa Françesku, i cili i kushtoi një vit jubilar mëshirës, ​​në homelinë e 17 marsit 2023, gjatë nismës "24 orë për Zotin", pati thënë: "Ky duhet të jetë sakramenti i Pajtimit: takim festiv, që shëron zemrën dhe lë paqen brenda saj; jo gjykatë njerëzore nga e cila të kemi frikë, por përqafim hyjnor që ngushëllon. Një nga gjërat më të bukura për mënyrën se si Hyji na mirëpret është përqafimi i butë që na jep.

Lexojmë në Ungjill se kur djali plangprishës kthehet në shtëpi (shih Luka 15,20-22) dhe fillon bisedën, babai nuk e lë të flasë, e përqafon dhe ai nuk arrin të nxjerrë nga goja asnjë fjalë. Përqafimi i mëshirshëm… E këtu, u drejtohem vëllezërve të mi rrëfyes: ju lutem, vëllezër, falni gjithçka, falni gjithmonë, pa e vënë shumë gishtin në ndërgjegjen e tjetërkujt; lërini njerëzit të thonë ç’kanë për të thënë e pranojini ata si Jezusi, duke i përkëdhelur me sy, duke i kuptuar në heshtje. Ju lutem, sakramenti i Rrëfimit nuk është torturë, por paqe. Falni gjithçka, ashtu si Zoti do t'ju falë gjithçka edhe juve. Gjithçka, gjithçka, gjithçka".

29 shkurt 2024, 09:28