Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: ushtrimet shpirtërore

Krezhmët janë koha për të kuptuar bukurinë e madhështinë e besëlidhjes ndërmjet Zotit e njeriut, për të lënë pas rrugën e gabuar e për ta kthyer zemrën, duke dëgjuar zërin e Krishtit, që shpall ardhjen e Mbretërisë së Hyjit. Ushtrimet shpirtërore mund të jenë pjesë e këtij kthimi. Ato përbëhen nga një sërë praktikash shpirtërore, që na ndihmojnë në rrugën drejt shenjtërimit të jetës

R.SH. - Vatikan

Jemi në javën e ushtrimeve shpirtërore të Papës e Kuries Romake,  të cilat do të përfundojnë nesër. Por çfarë janë ushtrimet shpirtërore dhe përse shërbejnë ato? Kësaj pyetjeje do të mundohemi t’i përgjigjemi sot. “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besojini Ungjillit!” (Mk 1,15) Zoti ka ardhur në botë, pasi tashmë është afruar koha e revolucionit të dashurisë. Zëri i Krishtit shpall paqen përfundimtare ndërmjet Qiellit e Tokës, po atë paqe, që njerëzit ia kanë kërkuar Hyjit në shekuj, po atë që Zoti na e ka dhuruar shpesh, por po aq shpesh ne e kemi tradhtuar, duke e prishur.

Krezhmët janë koha për të kuptuar bukurinë e madhështinë e kësaj besëlidhjeje ndërmjet Zotit e njeriut, për të lënë pas rrugën e gabuar e për ta kthyer zemrën, duke dëgjuar zërin e Krishtit, që shpall ardhjen e Mbretërisë së Hyjit. Ushtrimet shpirtërore mund të jenë pjesë e këtij kthimi. Ato përbëhen nga një sërë praktikash shpirtërore që na ndihmojnë në rrugën drejt shenjtërimit të jetës. Në veçanti, ushtrimet janë një periudhë e shkurtër meditimi dhe largimi nga bota për të verifikuar sa e si e kemi ndjekur Krishtin deri në atë moment.

Ushtrimet shpirtërore, të kuptuara si meditim, reflektim, shtegtim, agjërim e vepra mëshire, janë karakteristike për botën murgare, ku pa dyshim spikasin, ato që njihen si “ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës”, themeluesit të Urdhrit të Jezuitëve. Në to, shenjti propozon një skemë me katër etapa apo javë: aktivitete shpirtërore, nën udhëheqjen diskrete të një mësuesi, që na ndihmojnë të kërkojmë identitetin dhe vlerat tona personale, të analizojmë vetveten e të gjejmë mënyrën më të mirë për të ndjekur Krishtin, si edhe të kuptojmë e të pranojmë planin, që Zoti ka për secilin prej nesh.

E rëndësishme është “metoda injaciane”, karakteristikat kryesore të së cilës janë: ecja hap pas hapi, aftësia për t’iu përshtatur kërkesave të veçanta të secilit, bashkëpunimi aktiv, izolimi dhe largimi i mendjes nga gjërat e kësaj bote, qëllimi përfundimtar, që ka të bëjë me kuptimin e pranimin e planit të Zotit për secilin.

Që nga viti 1700, ushtrimet shpirtërore janë të detyrueshme për krejt klerin, së paku një javë në vit, e nga individuale bëhen në grupe.

Ka qenë Papa Pali VI, që në frymën e Koncilit II të Vatikanit, nxiti azhurnimin e tyre, duke sjellë elemente të reja si mesha e lutja e përbashkët, leximi e meditimi i Fjalës së Zotit, shkëmbimi i ideve, ditë vetmie e heshtjeje, përvoja bamirëse, punë prodhuese, reflektim mbi ndryshueshmërinë e komplementaritetin e karizmave.

Për sa të ndërlikuara të duken në pamje të parë, ushtrimet shpirtërore, në të cilat mund të marrë pjesë çdo i krishterë, na bëjnë të mbyllemi për një kohë të shkurtër në qelën tonë të brendshme, që është shpirti; na shtyjnë të braktisim autonominë e gënjeshtërt, që mendojmë se kemi e, t’ia besojmë veten Zotit; na ndihmojnë të gjejmë imazhin e vërtetë të Hyjit brenda nesh, që ka qenë aty edhe më parë, por që nuk e kemi pasur shumë parasysh, të zënë siç jemi, me punët e përditshme.

Kështu zbulojmë se vërtet Zoti është me ne gjithmonë, ndoshta nuk miraton gjithçka bëjmë, por ka një zemër shumë më të madhe se e jona, sepse “bën që të lindë dielli mbi të mirë e të këqinj” e na jep karburantin e duhur për të vënë sërish në lëvizje, me hov të ri, motorin e jetës.

22 shkurt 2024, 09:47