Kërko

COMECE: Inteligjenca Artificiale duhet të mbrojë të drejtat dhe vlerat themelore

Ipeshkvijtë e vendeve të Bashkimit Evropian mbështesin punën e BE-së për vendosjen e ligjeve në përdorimin e Inteligjencës Artificiale, duke parashikuar ndikimin e saj tek qytetarët dhe konsumatorët. Në deklaratën e tyre theksohet nevoja e përmasës etike dhe e përgjegjësisë. Bashkësisë ndërkombëtare i kërkohet një traktat për këtë sektor në zgjerim të vazhdueshëm

R.SH. – Vatikan

Sistemet e Inteligjencës Artificiale duhet të konceptohen, projektohen dhe zbatohen në mënyrë që t'u shërbejnë njerëzve dhe të mbrojnë ambientin e tyre, në një perspektivë etike, që shqetësohet jo vetëm për zhvillimin ekonomik e teknologjik, por edhe për të drejtat dhe vlerat themelore të qytetarëve. Kjo nënvizohet nga komisioni etik i ipeshkvijve të vendeve të Bashkimit Evropian, organ i Comece-së, në një deklaratë, që mbështet institucionet evropiane në përpjekjen për të miratuar tekstin e të ashtuquajturit "AI ACT" mbi Inteligjencën Artificiale. Aktualisht, ky akt rregullator është miratuar përkohësisht nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës.

Drejt revolucionit të katërt industrial

Ipeshkvijtë e Evropës nënvizojnë se jemi dëshmitarë të një përshpejtimi të paprecedentë në këtë sektor, një "hap gjigant" drejt një revolucioni të katërt industrial, në të cilin kufijtë ndërmjet njerëzve dhe makinerive, ndërmjet së natyrshmes dhe artificiales, ndërmjet botës fizike e asaj virtuale po mjegullohen gjithnjë e më shumë. Shëndeti, arsimi, puna, ekonomia, industria dhe transporti po rinovohen me shpejtësi, por kjo shoqërohet pashmangshmërisht me pyetje etike.

Asnjë Inteligjencë Artificiale në formë njerëzore

Për këtë arsye, nënvizohet në deklaratë, Inteligjenca Artificiale nuk duhet të ketë formë njerëzore, edhe sepse autonomia, vetëdija, zgjedhja, liria dhe përgjegjësia duhet gjithnjë të dallohen nga veprimtaria e një “makine inteligjente”. Mbi të gjitha, përgjegjësia duhet të jetë gjithmonë e qartë dhe t'i atribuohet njeriut, sipas parimit të kujdesit. Comece përmend dhe përkrah direktivën për transparencën e Inteligjencës Artificiale, propozuar nga Komisioni Evropian, e cila synon mbrojtjen e konsumatorit dhe sqarimin e pronësisë intelektuale të Inteligjencës Artificiale dhe të produkteve, që rrjedhin prej saj.

Nevoja për një traktat ndërkombëtar

Për më tepër, siç bën thirrje Papa Françesku, ipeshkvijtë i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare të miratojë një traktat ndërkombëtar "ligjërisht të detyrueshëm" për normëzimin e Inteligjencës Artificiale. “Përveç përgjegjësisë së shteteve sovrane – lexohet në deklaratë – organizatat ndërkombëtare duhet të luajnë rol vendimtar në arritjen e marrëveshjeve shumëpalëshe”, duke inkurajuar praktikat më të mira, duke stimuluar qasje të reja dhe kreative dhe duke inkurajuar nisma individuale, ose komunitare. Gjithashtu, sipas ipeshkvijve, duhet të inkurajohet dhe të intensifikohet dialogu me sektorin privat, që merret me Inteligjencën Artificiale.

05 shkurt 2024, 16:34