Don Bonifacio, në shërbim të popullit të Zotit, martir i Foibeve
R. SH. - Vatikan
Foibe! Varreza masive për fshehjen e trupave të viktimave të reprezaljeve ushtarake dhe vrasjeve politike, që të kujtojnë veçanërisht masakrat e kryera nga partizanët jugosllavë në Istria, Dalmaci dhe Venezia Giulia në fazën e fundit të Luftës II Botërore dhe menjëherë pas periudhës së luftës.
Foibe! Emër që ta mbush shtatin me mornica… Që të kujton varre të përbashkëta, ku u gremisën njerëz të matirizuar, gjysmë të gjallë e gjysmë të vdekur e u shuan qindra jetë. Nga ato varre të llahtarshme pas shumë kohe u nxorën grumbuj eshtrash, dëshmitare të tragjedisë së rëndë, që njihet me emrin Foibe.
Kjo histori tragjike nisi me tmerrin e mijëra njerëzve, që u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. Pastaj, me persekutimin dhe diskriminimin mbi baza etnike, politike dhe fetare. Së fundi, me njerëz të huaj në adheun e vet e me tragjedinë e eksodit, që çoi në humbjen e të gjitha të mirave materiale, por edhe të rrënjëve dhe marrëdhënieve njerëzore e shoqërore të krijuara në bashkësitë e origjinës. Kjo ishte tragjedia e foibes, shoqëruar nga eksodi i rreth 350 mijë italianëve nga Istria dhe Dalmacia, në përfundim të Luftës II Botërore e pas masakrave të kryera nga regjimi komunist i Titos.
Në fund të luftës, terror
Foibe! Emër tragjik! Si varret e martirëve. Zgavra të thella karstike tipike për territorin e Istrias, në të cilat, sipas vlerësimeve të ndryshme të historianëve, u copëtuan rreth 10 mijë dhe 20 mijë italianë që - në shumë raste ende të gjallë - u flakën në gropa të panjohura, në periudhën nga 1943 deri në 1947. Ishte një spastrim i mirëfilltë etnik, i kryer nga milicitë jugosllave të Titos nga fundii Luftës II Botërore, për ta tmerruar popullatën vendase, kur Italia humbi tokat në kufirin verilindor (Istria, Fiume dhe Zadar), që kaluan nën kontrollin e Jugosllavisë së sapoformuar komuniste. Frika dhe dhuna shkaktuan eksodin, i cili vazhdoi deri në mesin e viteve 1950. Kur kufomat e flakura ndër gropa ishin kalbur, por pa u harruar për asnjë çast!
10 shkurti, Ditë e Kujtimit
Këto faqe historie të harruara prej kohësh u kthyen në kujtesë kolektive në Itali falë ligjit 92 të 30 marsit 2004, që vendosi Ditën e Kujtimit, e cila festohet çdo 10 shkurt. Ky vendim ishte hap vendimtar drejt kërkimit të së vërtetës dhe pajtimit ndërmjet popullsive që për shekuj jetuan në harmoni në atë pjesë ekstreme të Gadishullit Ballkanik. Në Istria dhe Dalmaci (së pari nën Republikën e Venedikut dhe më pas nën Perandorinë Habsburge) popullsia etnike italiane (që ishte shumicë në brigjet) dhe popullsia etnike sllave (kroatët dhe sllovenët), më të shumta në zonat bujqësore, jetonin pranë e pranë. Ekuilibri dhe bashkëjetesa u prishën me vazhdimësinë e regjimeve të ndryshme dhe të ngjarjeve të përgjakshme të shekullit të njëzetë.
Ravalico, mërgimtar istrian: familja ime iku nga persekutimi
Mario Ravalico, 83 vjeç, mërgimtar, përshkruan për Radio Vatican - Vatican News - si jetohej nën regjimin jugosllav dhe si nisi persekutimi i mirëfilltë antifetar në Istria. “Unë, me gjithë familjen time, e me gjithë gjyshen, ika nga Pirani në Trieste, në vitin 1954. Përfunduam si shumica e të mërguarve në qendrat e grumbullimit të refugjatëve, të ngarkuar me ndjenjën e çrrënjosjes dhe të shqetësimit”. “Në moshën 14-vjeçare - vijon - nuk i kupton çështjet politike, por e kupton shumë mirë se çfarë po ndodh. E kuptova se po humbisja të gjitha zakonet e mia, dëshirat e mia. Shkolla, miqtë, famullia nuk ishin më aty”.
Mario nuk e pati të lehtë të riintegrohej. Çka e ndihmoi pa masë, ishte Veprimi Katolik, të cilin e kishte ndjekur që kur ishte fëmijë në Istria, dhe e gjeti përsëri në qytetin e Trieshtes.
Përndjekja preku edhe Kishën
Mario në atë kohë, pavarësisht nga mosha e tij e re, i kuptoi përmasat e dramës dhe dhimbjes që po jetonte populli i tij. Pas ardhjes së milicëve jugosllavë, terrori pushtoi të gjithë popullsinë italiane e edhe më gjerë. “Pashë - kujton - famullitarin tim duke qarë pas një marrjeje në pyetje nga Ozna, policia sekrete e Titos. Ndërkaq, kur njerëzit filluan të iknin në Itali, babain tim e çuan për rreth 9 muaj në punë të detyruar, ku iu nënshtrua edhe 'riedukimit politik'. Kur u kthye, vendosëm të iknim edhe ne”. Mario i kujton sikur të ishin sot vitet që jetoi nën pushtetin e Jugosllavisë komuniste, deri më 1954. “Praktika fetare u ngujua në jetën private, shumë institucione katolike u mbyllën, katekizmi u ndalua. E u ndalua deri kremtimi i Krishtlindjes, që konsiderohej si çdo ditë tjetër, kur punonim dhe shkonim në shkollë. Familja ime dhe ajo e një studenti tjetër e festuan gjithsesi dhe pse pas mungesës sonë prindërit tanë u thirrën në shkollë për t'u qortuar". E kjo, sepse u vendos një regjim që e urrente fenë. Mërgimtari shpjegon se fillimisht u eliminuan autoritetet civile italiane dhe klasa sunduese vendase, më pas trupat mësimore e, në fund, ranë në kthetrat e policisë politike edhe anëtarët e klerit katolik, mbasi priftërinjtë dhe ipeshkvijtë konsideroheshin si njerëz që punonin për qeveri të huaja, domethënë ishin "armiq të popullit".
Don Bonifaci, shembull besimi dhe guximi
Pikërisht në këto rrethana urrejtjeje dhe diskriminimi u shqua figura e Francesco Giovanni Bonifacio-s, prift i ri i lindur në Piran në vitin 1912, i cili i tërbonte milicitë komuniste, për shkak të ndikimit të fuqishëm mbi të rinjtë. Prifti italian, i vrarë në vitin 1946, u shpall i lum në vitin 2008 nga Benedikti XVI, për martirizimin e tij nga urrejtja kundër besimit. Don Bonifacio ishte kreu i seksionit lokal Piran të Veprimit Katolik. Mario Ravalico e njeh mirë jetën e të Lumit, sepse në vitin 2011 u emërua nga dioqeza e Triestes për të bërë kërkime mbi vdekjen e tij në Kroaci, ku pikërisht në atë vit u miratua një ligj që kërkonte zbulimin e së vërtetës për të gjitha krimet e kryera gjatë periudhës komuniste. Don Bonifacio ishte prift i dioqezës së Koperit, i lindur dhe i rritur në Piran, ashtu si Mario. “Mamaja ime e njihte mirë dhe xhaxhai e kishte shok shkolle - pohon Mario - ishte prift modest, që pëlqehej nga të gjithë. Madje gjatë periudhës fashiste arriti të siguronte një bashkëjetesë aspak të thjeshtë ndërmjet italianëve, kroatëve dhe sllovenëve. Don Francesco ishte një njeri i paqes, punonte për unitetin mes të gjithëve, pavarësisht nacionalizmave dhe ideologjive të kohës”.
Martirizimi i të Lumit Bonifac
Mario vazhdon me historinë e shërbimit meshtarak të Don Bonifacit në Novigrad e më pas, në Istria, ku themeloi seksionin e Veprimit Katolik. Më pas, në vitin 1939, u emërua kapelan në Villa Gardossi, ndërmjet Bujës dhe Grisignana-s, duke u dalluar gjithmonë për aktivitetet e organizuara me të rinjtë, përfshirë edhe sportin. Në këto zona karizma e tij rritej mes të gjithë besimtarëve. Pas luftës, si italian e prift, Don Bonifacio shikohej me sy të shtrembër nga administratorët e rinj politikë jugosllavë, të cilët e kishin shumë bezdi aftësinë e tij për të mbajtur të gjallë fenë në popullin e Zotit dhe, veçanërisht, te fëmijët. Për të gjitha këto arsye, më 11 shtator 1946, katër "roje popullore" e ndaluan në një rrugë fshati. Pasi e morën, e rrahën dhe e therën me thikë. Trupi i tij nuk u gjet kurrë, por mendohet se përfundoi në fund të njërës prej gropave të zonës. “Në dy famullitë ku shërbeu, i dha jetë një bashkësie të përçarë më parë – vazhdon të tregojë Mario – që kujtoi një fragment të bukur të treguar nga postulatori, i cili shkruan se të rinjtë e zonës nuk ndoqën mësimet e partisë, por të Priftit të Piranit”. “Në një pasazh tjetër të positio-vazhdon Ravalico - lexojmë vendimin e drejtuesve të partisë komuniste lokale, të cilët në një mbledhje thanë se duhej goditur bariu, për të shpërndarë grigjën”.
Po grigja nuk u shpërnda! Prandaj mund të themi se kulti i Don Bonifacios është emblemë e pajtimi.