Nëntëshja për paqen me ndërmjetësimin e Robert Schuman Nëntëshja për paqen me ndërmjetësimin e Robert Schuman

"Evropa ka nevojë për një Robert Schuman të ri"

Nga 16 deri më 24 shkurt, nëntë ditë para përvjetorit të pushtimit rus në Ukrainë, që të kujton rikthimin e luftës në Evropë, Imzot Philippe Ballot, kryeipeshkëv i Metz-it dhe administrator apostolik i Strasburgut, i ftoi besimtarët e Alsasës, të Francës dhe Evropës, të luten për paqen në botë me ndërmjetësimin e një figure kyçe shpirtërore të rajonit dhe të kontinentit: të nderuarit Robert Shuman

R.SH. - Vatikan

Tokë strategjike si të gjithë kufijtë, e prekur historikisht nga shkatërrimet e luftës, Kisha e Moselës i fton të gjithë të meditojnë për fjalët që i kushtohen paqes në magjisterin e Papëve: nga Shën Pali VI - tek Françesku si dhe tekstet e tyre kryesore, duke nisur nga Pacem in Terris (Gjoni XXIII), për të vijuar me Caritas in veritate (Benedikti XVI), e me mesazhet për paqe të Françeskut.

 “I njohim zonat e konfliktit, që na sfidojnë dhe na vënë në dyshim: Ukraina, Izraeli, Gaza, Nagorno-Karabaku dhe shumë të tjera! Nëntshja për paqen në botë, me ndërmjetësimin e të nderuarit Robert Schuman, prijës i paqes në Evropë, na inkurajon të bëhemi rojet e vëllazërisë" - pohon dioqeza e Moselës në këtë javë të parë të Kreshmëve, duke theksuar dëshminë e Robert Schuman-it si "artizan besnik i paqes", pasi ushtroi veprimtaritë e tij laike si apostull. Burri i shtetit dëshmoi me veprimtarinë e tij se politika mund të ishte edhe rrugë drejt shenjtërisë.

“Ne lutemi që zëri i Robert Schuman të dëgjohet  sërish në teatrot e luftës sot,” shpjegon Imzot Philippe Ballot, Kryeipeshkëv i Metz-it, duke kujtuar urrejtjen ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, pasuar nga pajtimi i tyre, falë njerëzve si arkitekti i Traktatit të Romës.

Çështja profetike e kufijve

Për të nxitur guximin e luftës për paqe në këtë Evropë të goditur nga lufta në mushkërinë e saj lindore, Imzot Ballo nxit për vëllazërim dhe bashkim, duke pohuar gjithçka bashkon e duke flakur gjithçka ndan.

Robert Schuman, që lindi në Luksemburg, që studioi në Gjermani e punoi në Francë, është burri i kufijve, parë si vende takimesh dhe jo përplasjesh apo rivaliteti. Prandaj, bëhet fjalë për rifillim, me veprime konkrete, siç u bë për krijimin e ECSC, Bashkësisë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut. “Evropa nuk do të ndërtohet menjëherë, as me një ndërtim të përgjithshëm:  do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete duke krijuar fillimisht solidaritetin konkret”- pati pohuar ati themelues, atëherë Ministër i Jashtëm francez, në deklaratën e tij të 9 majit 1950.

 “Kufijtë nuk janë bërë për të ndërtuar mure, as për të varrosur e për të nxitur njërin kundër tjetrit, por për të dialoguar e për të ndërtuar” - nënvizon kryeipeshkvi i qytetit karolingian duke menduar për Tokën e Shenjtë, për Ukrainën dhe Rusinë e, duke u ankuar për  frikën dhe mosbesimin, kujton qëndrimin e të nderuarit Schuman për çdo fyerje të ashpër kundër tij: "Ai shtrëngonte fort një rruzare në xhep, që reagimi të ishte i krishterë, dhe jo thjesht spontan".

E kujtonte vazhdimisht fjalët e Isaisë Profet:

“Shpatat e tyre do t’i kthejnë në plorë, e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë më shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë. Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!”.

22 shkurt 2024, 12:19