Festa e Zojës së Lurdës: pasqyrim i dhembshurisë së Zotit
R.SH. / Vatikan
Në Festën e Zojës së Lurdë të kërkojmë buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme. Mesazhi i Zojës së Lurdës është ftesa për pendesë e për shëlbim. Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve. E ky mesazh vjen përsëri ende sot nga Shpella e Zojës së Lurdë, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen në udhën e jetës dhe të shpresojnë në Hyjin. Nga Lurda Maria Virgjër vijon t’u dëftojë njerëzve shenjën e Kryqit të Krishtit, sintezë feje, që na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë. Zoja e Bekuar i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe të gjithë ata që vuajnë në shpirt e në trup, t’i sjellin sytë drejt Krishtit mbi Kryq , për të gjetur aty burimin e jetës e të shëlbimit.
Mesazhi i Zojës së Lurdë, mund t’i japë një hov të ri fesë e mund t’i përforcojë më tej besimtarët, për ta kumtuar me guxim gjithnjë më të madh misterin e Krishtit me gjeste e vepra dashurie e vëllazërimi. Maria zgjodhi Bernardetën për të transmetuar mesazhin e saj të kthimit në rrugën e Zotit, të lutjes, të pendesës. Maria na zbulon, edhe në Lurdë, bukurinë e shndërruar, figurën e njerëzimit të ri, ajo shpreh sjelljen e lirisë sonë të plotë para planit e vullnetit të Zotit, bazuar mbi njohjen e plotë të dinjitetit të vet. Ky privilegj u përket të gjithëve, sepse zbulon dinjitetin e njerëzve të dënuar nga mëkati, por të shpëtuar në shpresën e Hirit të Zotit, gjë që ndihmon në përballimin e jetës së përditshme.
Maria Virgjër në Lurdë na kujton rolin qendror që ka lutja në jetën e të krishterëve e na kërkon të mos e humbasin guximin përballë vështirësive. Kisha në këtë festë na nxit të marrin shembull nga Maria përballë Kumtimit të Engjëllit të Zotit, e na fton, t’u përgjigjemi thirrjeve të Zotit, sepse Ai mund të na i plotësojë dëshirat më të thella të zemrave tona. Kisha na kujton gjithë lumturinë, që ndjen njeriu, kur e dhuron plotësisht jetën e vet në shërbim të Hyjit dhe të njerëzve.
Maria na fton të jetojmë si ajo, plot me shpresë të pamposhtur në Zotin e duke mos ua vënë veshin atyre, që pretendojnë se ne jemi të burgosurit e fatit. E para Marisë, na përkujton Kisha, njeriu nuk duhet të ngurron të shfaqet me të gjithë ligështinë e tij, të bëjë pyetje, të paraqesë dyshimet dhe dëshirat më të fshehta. Dashuria për Marinë çarmatos çdo formë të mburrjes e, falë Asaj, zbulojmë se feja e krishterë nuk është barrë e rëndë, udhë drejt jetës së vërtetë, drejt lumturisë së përjetshme në Hyjin e me Hyjin.
Festa e Zojës së Lurdë na kujton edhe një herë se lutja dhe kthimi i zemrave drejt Zotit janë rruga për ta përtërirë jetën dhe botën. Shenjtorja e Zojës së bekuar në Lurdë është si dritë në errësirë, në ecjen tonë nëpër terr drejt Hyjit e Maria na hapi një portë drejt jetës së përtejme, drejt jetës së përjetshme, që na pret e na josh. Virgjëra Mari është inkurajim i popullit të besimtarëve që, krenarë e të fortë në fe, t’i jetojnë vendosmërisht mësimet e Krishtit e të Kishës së tij.