Kërko

Fillojmë udhëtimin e Kreshmëve: “Mëshirë dua, jo sakrifica"

Çfarë përfitimi mund të ketë Krishti nëse tryeza e flijimit është plot me enë ari, ndërsa ai më pas vdes nga uria në mesin e të varfërve? Zoti nuk ka nevojë për enë ari, por për shpirtra të artë. Ai i pranon dhuratat për shtëpinë e tij tokësore, por e vlerëson shumë më tepër ndihmën që i jepet të varfërit, njeriu që vuan, që vdes, varroset e harrohet nga bota e madhe, e pamëshirë”. Askush nuk u dënua ndonjëherë pse nuk bashkëpunoi në zbukurimin e tempullit, por kushdo i shpërfill të varfërit

T’i jetosh Kreshmët me shpresë do të thotë të ndjesh se, në Jezu Krishtin,  je dëshmitar i kohës së re, në të cilën Zoti "i bën të reja të gjitha gjërat " (shih Zbulesa 21,1-6).  Kreshmët janë shtegtim që përfshin gjithë jetën tonë, gjithë veten tonë. Është koha për të kontrolluar shtigjet, që po marrim, për të gjetur rrugën që na çon në shtëpi, për të rizbuluar lidhjen themelore me Zotin, nga e cila varet gjithçka.

Mëshirë dua, jo sakrifica

Në predikimin, që e lexojmë në Ungjill, Jezusi u propozon gjithnjë bashkëbidesuesve dhe dëgjuesve të tij harmoninë në praktikën fetare, një praktikë që përfshin zemrën dhe trupin, lutjen personale dhe kultin e Tempullit, marrëdhënien bijnore me Zotin dhe marrëdhëniet vëllazërore me të tjerët. Edhe predikimi i profetëve i flet popullit të Izraelit për harmoninë ndërmjet jetës dhe kultit:

për duart e lartuara drejt qiellit në lutje, drejt Zotit - dhe duart e hapura për nevojat e të tjerëve;

për ndarjen e bukës me të uriturit, mikpritjen e të mjerëve në shtëpi, strehimit të pastrehëve;

për veshjen e njeriut, që sillet rrugëve lakuriq” (Is 58,7).

Kreshmët, që fillojmë, na ofrojnë edhe përshpirtërinë e  praktikave pendestare, tipike për këtë kohë të fortë liturgjike e shpirtërore. Thirrja e Jezusit drejtuar dëgjuesve të tij - "Më pëlqen mëshira e jo flia" (Mt 9,13) – tregon se Zotit do mëshirë dhe falje, dashuri të lirë dhe mikpritëse, në vend të praktikës së ngurtë fetare, pa shpirt e pa dashuri për të afërmin!

E mëshira është dashuria e Jezusit për ty, falja, që të shëron çdo ditë dhe të bën të denjë të ulesh në tryezën e tij, siç ndodhi me mëkatarët e publikanët që i takoi dhe i nderoi (krh. Mt 9,11). Mëshira me të cilën Jezusi të mbuloi, bëhet mëshirë me të cilën do të mbulosh dhe do të nderosh të afërmin tënd me praktikën kreshmore të veprave të bamirësisë, ngjinesës dhe lëmoshës. Kjo mëshirë ndaj korpit të Krishtit, domethënë fqinjit tuaj, është mëshira që i jep vërtetësi dhe vlerë flijimeve, të cilat ia ofroni Zotit me lutjen dhe praktikën tuaj fetare.

Dëshiron ta nderosh Korpin e Krishtit?

Dëgjoi këto fjalë të Shën Gjon Gojartit: «A dëshiron ta nderosh korpin e Krishtit? Mos e ndero këtu, në Kishë, me pëlhura mëndafshi, ndërsa varfanjaku përjashta dridhet nga të ftohtit, pa rroba në shtat, e pa mëshirën tënde”. Çfarë përfitimi mund të ketë Krishti nëse tryeza e flijimit është plot me enë ari, ndërsa ai më pas vdes nga uria në mes të turmës të të varfërve?

Zoti nuk ka nevojë për enë ari, por për shpirtra të artë. Ai i pranon dhuratat për shtëpinë e tij tokësore, por e vlerëson shumë më tepër ndihmën që i jepet të varfërit, njeriu që vuan, që vdes, varroset e harrohet nga bota e madhe, e pamëshirë”. Askush nuk u dënua ndonjëherë pse nuk bashkëpunoi në zbukurimin e tempullit, por kushdo i shpërfill të varfërit e ka nisur tashmë rrugën e ferrit, të zjarrit të pashuar, të  pranisë së demonëve. Prandaj, ndërsa e stolisni altarin e kultit, mos ia mbyllni zemrën vëllait tuaj të vuajtur. Ky është tempulli i gjallë, më i çmuari!

 

14 shkurt 2024, 10:23