Kërko

Tentazione di Gesù, il diavolo tenta Cristo nel deserto Tentazione di Gesù, il diavolo tenta Cristo nel deserto

Fjala e Zotit e dielës së 1-të të Krezhmëve ‘B’

Në ketë të diele të parë të Kreshmëve, nisim rrugëtimin shpirtërore që do të na çojë drejt Pashkës së Ngjalljes. E të nisesh drejt Pashkës do të thotë të “ngjitesh” drejt Jerusalemit. Në udhën drejt festës së çlirimit tonë t’i njohim, t’i pranojmë mëkatet tona, t’i kërkojmë Zotit falje e të pajtohemi me të afërmin tanë. Leximet biblike të dielave të krezhmëve, na shoqërojnë pikërisht në zbulimin e fytyrës së Zotit dashuri dhe në zbulimin e pagëzimit tonë në Krishtin Zot e Shpëtimtar.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, e kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së Parë të kohës së Krezhmëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Në të Dielën e Parë të Krezhmëve, Kisha katolike romake na kutjon se koha e Krezhmëve është kohë lutjeje, pendese, agjërimi, kohë veprash bamirësie dhe kthimi në rrugën e Zotit. Agjërimi do të thotë të heqësh dorë nga diçka e të bëhesh i lirë për të mirën. Krezhmët janë si një periudhë e gjatë ushtrimesh shpirtërore, ku njeriu mëson të dëgjojë brenda vetes zërin e Zotit.

Lutje, gjeste pendese dhe vepra dashurie vëllazërore. Kështu, në kohën e Kreshmëve, forcohet lidhja jonë me Zotin. E thekson Kisha duka na kujtuar se Kreshmët, janё kohë e përshtatshme pikёrisht për të pёrforcuar lidhjen tonë personale me Zotin.

Krezhmёt janё jë kohë “agonizmi” shpirtëror për t’u jetuar sëbashku me Jezusin, jo me krenari e mendjemadhësi, por duke përdorur armët e fesë, pra, lutjen, dëgjimin e Fjalës së Zotit dhe pendesën. Në këtë mënyrë mund të arrijmë t’i kremtojmë Pashkët e Krishtit të Gjallë me të vërtetë dhe të jemi gati për të përsëritur premtimet e bëra me Pagëzimin.

Në Ungjillin e kësaj së diele, Marku na tregon se Jezusi, pasi ka marrë pagëzimin nga Gjon Pagëzuesi, largohet nga Jordani dhe udhëhiqet nga Shpirti në shkretëtirë, ku për dyzet ditë, tundohet nga djalli. Tundimet nuk ishin të rastit, por pasojë e vendimit të Jezusit për të ndjekur misionin, që ia kishte besuar Ati i Gjithëpushtetshëm.

Krishti erdhi në botë për të na çliruar nga mëkati e nga joshja e dyshimtë, që na shtyn ta planifikojmë jetën pavarësisht nga Zoti. Jezusi e bëri këtë jo me shpallje plot bujë, por duke luftuar personalisht kundër Tunduesit, kundër Djallin deri në kryq. Ky shembull vlen për të gjithë: bota përmirësohet duke filluar nga vetvetja e duke ndryshuar, me hirin e Zotit, atë që s’shkon në jetën tonë personale.

Jezusi u kundërvë kritereve njerëzore të vetmin kriter të vërtetë: bindjen para vullnetit të Hyjit Atë. Edhe ky është një mësim themelor për ne, nëse do të mbajmë në mendje dhe në zemër Fjalën e Zotit, nëse lejojmë që ajo hyn në jetën tonë, mund të sprapsim çdo lloj mashtrimi të Tunduesit.

                                                     Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 9, 8-15

Lexim prej Librit të Zanafillës


Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij: “Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj pas jush, e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju – mbarë, të gjitha gjallesat e tokës. Unë po lidhi besëlidhjen time me ju: nuk do të zhbihet më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton tokën.”
Dhe Hyji tha: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po e bëj ndërmjet meje e juve dhe me çdo gjallesë që është me ju për breznitë e ardhshme. Ylberin tim do ta vë në re dhe do të jetë shenja e besëlidhjes ndërmjet meje dhe tokës. Kur me re ta mbuloj qiellin, në re do të duket ylberi im, do të më kujtohet besëlidhja ime me ju e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë, ujë përmbytjeje më s’do të ketë për të zhbirë mbarë frymorët.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 25

Udhët e Zotit janë e vërteta dhe mëshira


Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.

Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë: të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate, për hir të mirësisë sate, o Zot.

I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.

Leximi i dytë 1 Pjt 3, 18-22

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, Krishti një herë vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Në të edhe shkoi t’u predikojë shpirtrave në burg, që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë – vetëm tetë frymë – shpëtuan me ujë. Ky ujë – shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon – ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por uratë e drejtuar Hyjit, për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi engjëjt, pushtetet dhe fuqitë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli Mk 1, 12-15

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Fill pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin të shkojë në shkreti. Në shkreti qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Homelia e Dielës I tё Krezhmëve 'B' nga dom Dritan Ndoci

Homelia e Dielës I tё Krezhmëve nga dom Dritan Ndoci

JEZUSI NË SHKRETËTIRË RRINTE ME EGËRSIRAT DHE ENGJËJT I SHËRBENIN. (Zan 9, 8-15; Ps 25 (24); 2Pt 3, 18-22; Mk 1, 12-15)

Ungjilli i kësaj të diel të parë të kohës së krezhmëve ka vetëm pak rreshta. Megjithatë brenda tyre, në mënyrë të ngjeshur, tregohet për shumë gjëra.

Ungjilli fillon me fjalët: «Fill pastaj…». Ngjarja që i paraprin pjesës së sotme ungjillore është pikërisht Pagëzimi i Jezusit. «Fill pastaj» ka për qëllim të krijojë lidhjen mes Pagëzimit të Jezusit dhe asaj që do të ndodhte: agjërimit e tundimit. Jezusi shkon në shkretëtirë «fill pas» pagëzimit, sepse, në fakt, çdo mision që Hyji dhuron, mbart me vete edhe shkretëtirën.

E pjesa ungjillore vazhdon duke përdorur një shprehje që nuk mund të kalojë pa ngjallur habi: «…Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin të shkojë në shkreti!» Si është e mundur të flitet për një «shtrëngim» të Jezusit? A nuk janë si Jezusi, Biri i Hyjit, si Shpirti Shenjt Persona të së Shenjtërueshmes Trini e që së bashku me Atin janë një Hyj i vetëm? Mos vallë Ungjilli dëshiron të na paraqesë një Jezus që nuk qenka i gatshëm ta kryejë vullnetin e Atit të vet, por u dashka të jetë «i shtrënguar» nga Shpirti Shenjt?

Qëllimi i kësaj shprehje nuk është të paraqesë ndonjë kundërvënie mes Personave Hyjnorë, por të shfaqë faktin se Jezusi, përveçse Hyj i vërtetë, është edhe njeri i vërtetë. Në lidhje me vuajtjen, njeriu nuk ndihet si në shtëpinë e vet. Njeriu, në fakt, nuk  ka qenë krijuar të vuajë, por të gëzojë jetën. Por, duke qenë se pas mëkatit të njerëzve, njeriu e humbi Parajsën tokësore, atëherë i duhet të përballet edhe me vuajtjen të cilën Hyji nuk e dha si dënim, por si mjet i mistershëm përsosmërie.

Megjithatë, përballja me vuajtjen, nuk është e dëshirueshme asnjëherë nga njeriu. E prandaj, duke qenë se Jezusi ishte njeri i vërtetë, nuk mund të themi se vuajtja për Të ishte diçka e këndshme. Për këtë arsye edhe Ai, si çdo njeri, kishte nevojë për një shtytje të Hirin Hyjnor për t’u “përleshur” me vuajtjen dhe tundimet e kështu ta thellonte intimitetin me Atin e vet.

Si pasojë, mund ta marrim me mend se edhe ne të pagëzuarve na duhet të përjetojmë, herët a vonë, përvojën e mundimshme të shkretëtirës. E shkretëtira mund të marrë fytyra të ndryshme në jetën tonë: mund të jetë një fatkeqësi familjare, një sëmundje në trupin tonë apo tek ata që i kemi për zemër, përballimi i egoizmit të ndokujt që mund të na urrejë edhe pa i pasë bërë asgjë, rreziku i humbjes së vendit të punës, ngaqë na duhet ta dëshmojmë fenë tonë, etj.

Shkretëtira në jetën e besimtarit mund të marrë edhe formën e ndonjë errësire shpirtërore. Thuhet për Nënë Terezën se, ndërkohë që askujt nuk ia merrte mendja, ajo brenda vetes po përjetonte prej 50 vitesh një errësirë të fortë. Kjo lloj errësire nuk është thjesht dyshimi rreth besimit në Hyjin, por bëhet fjalë për një mënyrë të mistershme për t’iu bashkuar mundimeve të Jezusit të Kryqëzuar, kur besimtari e do Hyjin pavarësisht ngushëllimeve që Ai mund t’i dërgojë. Megjithatë, kjo mungesë ngushëllimesh, është një përvojë shumë e mundimshme.

Ka, pra, shumë lloje shkretëtirash. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, në shkretëtirat e jetës sonë afrohet edhe rebeli i madh, djalli, për të na nxitur të rebelohemi edhe ne ndaj Hyjit. Kështu ndodh edhe me Jezusin.

Në Ungjillin e sotëm nuk na thuhet se të çfarë lloji ishin tundimet që djalli i bëri Jezusit. Kjo mbase ngaqë Shën Marku ka për qëllim vetëm të vërë theksin te fakti se çdo i pagëzuar duhet të përgatitet të përballet me këtë armik të Hyjit dhe të njerëzve. Shën Pali, në një letër të tijën, thotë: «Nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por […] kundër shpirtrave të këqij të hapësirës qiellore.» (Ef 6, 12), pra kundër djallit.

Në kohët moderne, tundimi që djalli po përpiqet të përhapë, është një tundim shumë dinak: mohimi i ekzistencës së vet. Duke e mohuar ekzistencën e djallit, shumë njerëz përpiqen t’i japin një shpjegim vetëm njerëzor shumë të këqijave që bëhen.

Por nuk është ashtu, sepse djalli arrin ta prekë fantazinë tonë dhe botën tonë të brendshme, duke bërë çmosin që të na largojë nga Hyji. Madje ka raste kur arrin ta prekë njeriun edhe fizikisht, siç ka ndodhur në jetën e disa shenjtërve.

Atij që beson, ky armik i vjetër, në fakt, nuk mund t’i bëjë asgjë, nëse e ka ngulur shikimin e vet në Hyjin, por gjithsesi duhet të kihet një farë vigjilence ndaj kurtheve që ai herë pas here kurdis.

Por, a mund të na kalojë pa u vënë re diçka tjetër në Ungjillin e sotëm? Aty thuhet se Jezusi «rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin». Kjo pjesë mund të na sjellë ndër mend disa tekste të Besëlidhjes së vjetër.

I pari është tek libri i Zanafillës ku thuhet se  Hyji i afroi pranë njeriut të gjitha kafshët dhe shpendët me qëllim që njeriu t’u vinte emrat (krh. Zan 1, 19-20). Por rënia në mëkat solli shumë përçarje: njeriu pësoi përçarje në marrëdhënien e tij me Hyjin, me veten e vet, me njerëzit e tjerë dhe me krijesat në përgjithësi. Kështu e kuptojmë se, fakti që Jezusi rri së bashku me egërsirat, do të thotë se në personin e Jezusit nuk kishte pushtet efekti përçarës i mëkatit, duke qenë se në Të nuk kishte mëkat.

Në leximin e parë sot na është paraqitur një tjetër tekst që përshkruan harmoninë e rivendosur të Hyjit me krijimin pas përmbytjes në kohën e Noehit: «Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj pas jush e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju e me mbarë gjallesat e tokës.»

Mëkati i njeriut kishte bërë që, në përmbytjen e gjithmbarshme me ujë, të pësonin edhe krijesat e tjera. Ndërsa tani, falë mëshirës së Hyjit, por përfitojnë edhe të gjitha krijesat e tjera.

Në Jezusin do të na tregohet më së miri kjo mëshirë e Hyjit në vdekjen e ngjalljen e Tij. Duket sikur ky qëndrim i Jezusit tani me egërsirat, është duke treguar në mënyrën e vet, se ka ardhur koha e mëshirës së Hyjit për njeriun.

Por jo më pak i rëndësishëm është edhe një tjetër tekst biblik. Në librin e Isaisë profet thuhet se ditën kur Zoti do të krijojë «qiejt e rinj e tokën e re», ajo që ne e quajmë ndryshe edhe fundi i kohëve, paqa do të arrijë deri aty sa që «ujk e qengj bashkë do të kullosin, luani do të hajë kashtë si gjedhi; kurse gjarpri do të hajë pluhur. S’do të bëjnë dëm as nuk do të vrasin mbi mbarë Malin tim të shenjtë.» Janë imazhe që duan të shprehin se, Parajsa tokësore që u humb në fillimin e kohëve, do të rifitohet sërish në fund të kohëve. Fakti se Jezusi rri në harmoni me egërsirat dhe se engjëjt i shërbejnë, është shëmbëllesë e krijimit të ri që do të vijë, por që ka filluar qysh me Mishërimin e Tij. Harmonia mes qiellit (engjëjt) dhe tokës (egërsirat) ka filluar në Jezusin.

Por kjo ka edhe një domethënie tjetër edhe më të rëndësishme: çdo i pagëzuar, edhe pse e di se në këtë jetë është ende në kohën e provës e të tundimeve, duhet ta dijë se mbart në vetvete që tani shenjat e fitores së Krishtit, fitore e cila do të arrijë plotësinë e saj në fundin e kohëve, atëherë kur efektet përçarëse të mëkatit do të marrin fund.

Prandaj Jezusi në fillimet e predikimeve të veta thotë: «Koha u plotësua.» Do të thotë se u plotësua koha kur efektet përçarëse të mëkatit po mposhten dhe njeriut po i rikthehet harmonia e humbur në fillim. Kjo realizohet në Jezusin, i cili është vetë Lajmi i Mirë (Ungjilli).

Ajo që kërkon Hyji, është që të zgjedhim brenda nesh largimin nga mëkati. Për këtë arsye nevojitet kthimi. Prandaj Jezusi thotë: «Kthehuni dhe besoni Ungjillit!»

Të kthehemi, pra, kah Lajmi i Mirë që është vetë Jezusi, edhe pse e dimë se, si të pagëzuar, na presin provat e shkretëtirave të ndryshme dhe të tundimeve të djallit dinak.

Por të mos ligështohemi për këtë: ne qysh tani mbartim në vetvete shenjat e fitores. E, cila është kjo shenjë? Është pagëzimi që kemi marrë, siç na e kujton sot edhe Shën Pjetri në letrën e tij: «Pagëzimi që sot ju shpëton ju.» Nëpërmjet pagëzimit jetën tonë e kemi zhytur (fjala «pagëzim» do të thotë pikërisht «zhytje») në jetën e Jezu Krishtit, i cili fitoi mbi mëkatin e mbi vdekjen.

Dom Dritan Ndoci

17 shkurt 2024, 10:17