Fjala e Zotit e Dielës së 6-të gjatë vitit kishtar 'B'
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Fjala e Zotit e dieles se 6-te gjate vitit kishtar 'B'
Liturgjia e kësaj së diele na flet për forcën e njeriut dhe për dobësinë e Hyjit. Fuqia e njeriut konsiston në besimin e tij në Hyjin, ndërsa dobësia e Hyjit qëndron në mëshirën e tij të pafundme për njeriun. Jezusi shëron një të gërbulur. Fjala e Zotit na tregon udhën e mundësisë për të realizuar në dhe me Krishtin një jetë vërtetë të tillë siç e ka menduar Hyjit, pa mëkat e pa vdekje.
Jezusi, si mjek i vërtetë i trupit e i shpirtit
Nuk mund të kuptohet vepra e Krishtit, as vetë Jezu Krishti, nëse nuk hyhet në zemrën e Tij plot me mëshirë. Pjesa e Ungjillit, tё kёsaj sё diele tё 6-tё gjatё vitit kishtar, nga Marku na flet për Jezusin, i cili i shtyrë nga dhembshuria, shëron një të sëmurë nga gërbula. Ungjilli i kësaj së diele na tregon Jezusin i cili, duke e shëruar të gërbulurin, përkulet mbi mjerimin, mbi sëmundjen e mbi vuajtjen njerëzore. Këtë Jezusi e bën plot përdëllim, respekt dhe falas.
Zoti nuk vjen të mbajë leksione mbi dhimbjen, e as ta zhdukë nga bota vuajtjen e vdekjen, vjen të marrë mbi vete barrën e jetës sonë njerëzore, për ta mbartur deri në fund të fundit, për të na çliruar në mënyrë të plotë e përfundimtare. Kështu Krishti lufton kundër sëmundjeve e vuajtjeve të botës: duke i marrë mbi vete e duke fituar mbi ta, me forcën e mëshirës së Hyjit
Jezusi bën një gjest tronditës
Fakti më tronditës është se Jezusi e prek të gërbulurin, duke e ditur fare mirë se kjo ishte e ndaluar rreptësisht nga ligji i Moisiut. Të prekesh të gërbulurin, do të thoshte të të ngjitej sëmundja e tmerrshme, e jo vetëm në korp, por edhe në shpirt. Do të thoshte të bëheshe i papastër. Po Jezusi jo vetëm që nuk bëhet i papastër, por pastron. Jezusi prek e shëron! Prandaj në këtë shërim tё tё gërbulurit ne admirojmë jo vetëm dhembshurinë dhe guximin e Jezusit, që nuk shqetësohet as nga rreziku i ngjitjes së sëmundjes, as nga ligjet e skribëve, por ajo çka e shqetëson, është njeriu që vuan. E është vuajtja njerëzore, që e shtyn Jezusin ta çlirojë këtë njeri nga mallkimi i gërbulës. Nga ndotja. Nga përjashtimi e izolimi shoqёror.
Sëmundja nuk i cenon marrëdhëniet me Zotin
Ndryshe nga mëkati, sëmundja nuk është shkak ndyrësie. Papastërtia është pasojë e disa ‘sëmundjeve të tjera’, e disa plagëve të tjera tejet të rrezikshme për jetën e korpit dhe të shpirtit. Prej këndej, Fjala e Zotit na fton për ta shëruar zemrën nga plaga e egoizmit, inatit, zemërimit, prepotencës, shfrytëzimit, gjykimit, shpifjes, korrupsionit etj, pra, duhet t’i drejtohemi Krishtit, ashtu si i gërbuluri i Ungjillit tё kёsaj sё diele për t’i thënë Jezusit: “Nëse do, mund të më pastrosh!”.
E nuk është sëmundja fizike, ajo që të largon nga Zoti. Përkundrazi, njeriu i sëmurë mund të jetë shumë më i bashkuar me Zotin. Ndërsa mëkati, ai po, na bën të papastër! Egoizmi, fodullëku, hyrja në botën e mbrapshtive si korrupsioni, vjedhja etj: këto janë sëmundje zemre, nga të cilat është e nevojshme të pastrohemi, duke iu drejtuar Jezusit, me bindjen e të gërbulurit: ‘Ti o Jezus, po të duash, mund të më pastrosh! Mund të më shërosh!’.
E sa herë gjunjëzohemi para Krishtit në Sakramentin e Pajtimit, sa herë rrëfehemi me zemër të penduar, aq herë Zoti vetë na përsërit: “Po, dua, qofsh pastruar, qofsh falur! Vetëm kështu është e mundur t’i shërojmë edhe plagët tona shpirtërore.
Liturgjia e Fjalës
Leximi parë Lev 13,1-2.45-46
Lexim prej Librit të Levitikut
Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha: “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose të cilido prift prej bijve të tij. I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbarë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrën e mbuluar e të bërtasë: ‘I ndyri! I ndyri!’ Gjatë gjithë kohës sa gerbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë tëbanishtës.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi 32
Shëlbimi yt, o Zot, na mbush me gëzimLum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
Atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.
Leximi dytë 1 Kor 10, 31 – 11, 1
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. Mos jini veç rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit, sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen. Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit. Fjala e Zotit. Falënderojmë HyjinAleluja.
Aleluja.
Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve, thotë Zoti; unë erdha të ftoj mëkatarët. Aleluja.
Ungjilli Mk 1, 40-45
Leximi i Ungjillit sipas Markut
Atëherë Jezusit iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. Jezusi menjëherë e nisi të shkojë por i urdhëroi rreptësishtë: “Shih – i tha – mos i trego askujt, por shko, paraqitu te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu atyre për dëshmi.” Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga Dom Dritan Ndoci:
E DIELA VI GJATË VITIT 'B' : KUJDES NGA “QËLLIMET E MIRA”! Lv 13, 1-2. 45-46; Ps 31 (30); 1 Kor 10, 31 – 11, 1; Mk 1, 40-45
Tundimi me të cilin djalli shpesh përpiqet të fusë shkopin ndër rrota në ungjillizimin e botës, është ta mbushë besimtarin me qëllime në dukje të mira, edhe nëse ata, pastaj, bien ndesh me Fjalën e Zotit.
Pikërisht kështu ndodh edhe në Ungjillin e sotëm: njeriu i shëruar nga Jezusi, nuk i mbahet porosisë së Jezusit, i cili i kërkonte të mos e fliste me askënd çështjen, por atij iu duk krejt e logjikshme që ta përhapte lajmin e shërimit të vet. Mbase qëllimi ishte realisht i patëkeq: «Tek e fundit – mund ta imagjinojmë arsyetimin e të shëruarit – i kthej nderin që më bëri.» Por Jezusit i krijoi jo pak probleme.
Është ky një fenomen që vërtet peshon rrezikshëm mbi kokën e besimtarit. Shpesh herë e vëmë re se jemi plot e përplot me qëllime “të mira”, por që pak nga pak na bëjnë të largohemi prej Zotit. Unë si meshtar e shoh çdo ditë një tundim të tillë, duke qenë se shpesh herë mund të më duket më e rëndësishme të merrem me ndonjë gjë tjetër – që në fakt mund të jetë në dobi të përhapjes së Fjalës së Hyjit – e t’i lë shumë pak kohë atyre gjëra që janë më tipike të meshtarisë. Qëllimi mund të duket i mirë, por rreziku qëndron në faktin se mund të kem filluar të punoj për vreshtin e Hyjit, por pa kontaktin me vetë Hyjin dhe pa përgjegjësinë e asaj që më është besuar.
Duke u kthyer tek Ungjilli i sotëm, mund të shohim se cilat janë pasojat e qëllimit “të mirë” që kishte i shëruari. Rreshtat e fundit na tregojnë se, për këtë arsye, Jezusi nuk mund të hynte më haptas në një qytet. Thotë ungjilltari: «Por ai (i shëruari), posa doli, filloi ta flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet.» I shëruari deshi të përhapte një lajm të dobishëm, por pengoi përhapjen e Lajmit të Mirë.
Për të kuptuar përse Jezusi nuk mund të hynte më haptas në qytete, na duhet të kuptojmë mënyrën se si një hebre e shihte sëmundjen e gërbulës.
Pikësëpari duhet ta dijmë se gërbula, deri në fillimet e shekullit të kaluar, ishte sëmundje e pashërueshme dhe bënte kërdinë në shumë popuj. Ishte sëmundje tejet e dhimbshme, sidomos për mënyrën se si ajo e konsumonte trupin e njeriut. Lëkura fillonte të kalbej e, kalbësia, fillonte të hynte gjithnjë e më shumë në trup. Gjithçka ndodhte shumë ngadalë, gjë e cila e përkeqësonte situatën, sepse dhimbja zgjatej në kohë.
Për më tepër ishte edhe sëmundje ngjitëse. Masa shumë të rrepta merreshin ndaj atyre njerëz që i kapte dhe dëboheshin për në zona të pabanuara. Për së gjalli, pra, ndaheshin dhimbshëm edhe nga familjarët e tyre.
Por, fatkeqësia e vërtetë, vinte edhe nga mëndësia e hebrenjve, të cilët e shihnin këtë sëmundje si dënim të Zotit, për të ndëshkuar kushedi çfarë mëkatesh të bëra nga i sëmuri apo nga familjarët e tij.
E prandaj në leximin e parë, të marrë nga libri i Levitikut, na tregohet se çfarë rregulloreje i duhej të ndiqte ai që kaplohej nga kjo sëmundje: «I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbarë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: ‘I ndyri! I ndyri!’»
Edhe nga ana e jashtme i gërbuluri duhet të dallohej se ishte i padëshirueshëm e të pështirë. Madje kishin edhe detyrimin që në këmbë të mbanin një zile, për ta kuptuar gjithkush nga larg praninë e tyre. Nesë nuk zbatoheshin këto rregullore, pasojat mund të ishin deri edhe dënimi me vdekje.
Por vini re diçka: te pjesa e Levitikut që cituam, nuk thuhet se i gërbuluri duhej të bërtiste duke thënë «i sëmuri», por «i ndyri». Kjo ngaqë gërbula ishte diçka që kishte të bënte me papastërtinë përballë Ligjit, pra me papastërtinë e shpirtit. Prandaj edhe ai që e prekte një të gërbulur, jo vetëm se rrezikonte të sëmurej edhe ai vetë, por bëhej i papastër edhe shpirtërisht, duke qenë se kishte prekur dikë që është mëkatar, përderisa Zoti, sipas kësaj mendësie, e kishte ndëshkuar.
Për këtë arsye edhe gjesti i Jezusit që «e prek» të sëmurin, është në qendër të Ungjillit të sotëm dhe është plot me domethënie. Tregon mbi të gjitha se Jezusi nuk e sheh atë njeri si të mallkuar, por ka dhembshuri për të. Jezusi dëshiron t’i shkojë në ndihmë njeriut që vuan. Me një gjest të vetëm, Jezusi hell poshtë gjithë ato mendësi të gabuara në lidhje me këtë sëmundje.
Jezusi, pastaj, e porosit të shëruarin që të paraqitet tek priftërinjtë, sikurse parashikonte Ligji i Moisiut në kësi rastesh. Nëse priftërinjtë do të konstatonin se shërimi kishte ndodhur, vetëm atëherë i shëruari mund të pranohej në bashkësinë e besimtarëve.
Por, ndërkohë, Jezusi e kupton se do të ishte shumë e vështirë që ajo mrekulli të pranohej e të kuptohej si duhej. Njerëzit me siguri do të mendonin se edhe Jezusi duhet të jetë kapur nga kjo sëmundje, përderisa kishte prekur një të gërbulur. Prandaj Jezusi e porosit qartë të shëruarin që të mos i tregonte askujt se si u shërua.
Por mjerisht, e pamë, i shëruari, për qëllime “të mira”, nuk ia dëgjoi porosinë. Për këtë arsye Jezusit iu desh të rrinte ai vetë jashtë qytetit: «S’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara.» Krejt jeta e Jezusit, në fakt, kishte një mision të tillë: të merrte mbi vete dënimin që duhej të binte mbi njeriun, mision i cili do të arrinte kulmin të Premten e Madhe.
Të ruhemi, pra, nga ideja se mjafton të kesh qëllime të mira në jetë. Nuk është e vërtetë ajo që thoshte filozofi italian i shekullit XVI, Makiaveli, se «qëllimi justifikon mjetet», por duhen edhe mjetet e përshtatshme, duhen edhe veprimet e mira.
Janë të shumta rastet kur, në jetën tonë si të krishterë, përballemi me gjëra që na duken si të palogjikshme. Këto raste përballohen vetëm duke u lëshuar në në duart e Hyjit. Shpesh duhet t’i braktisim arsyetimet tona, për t’iu bindur Fjalës së Hyjit. Të bindemi e pikë. Përndryshe, po pretenduam gjithnjë t’i kuptojmë, nuk do t’i bindemi kurrë.
Kush llogarit tepër në gjërat shpirtërore, ka për të bërë vetëm hapa prapa. Jo se nuk u dashka përdorur arsyeja, por nuk duhet të trajtohet as si idhull. «Sa i vogël do të ishe ti, o Zot, nëse mendja ime do të të kuptonte krejt!» – thoshte plot përvujtëri po në shekullin XVI Shën Françesku i Salesit, Mësues i Kishës.
Të ruhemi nga ideja se mjafton qëllimi i mirë, sepse kjo është edhe arsyeja për të cilën jo rrallë kryhen mëkate mortare. Mjafton të mendojmë për qëllimet “e mira” për të cilat shpesh herë kryhet mëkati i abortit. Përballë Fjalës së Zotit që thotë «mos vra» duhet të ndalemi e të mos përpiqemi ta mbushim kokën me qëllime të tjera të mira. Një proverb thotë: «Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira.» Pse të mos i dorëzohemi Fjalës së Hyjit edhe në ato rrethana të cilat mund të na duken të pakapërcyeshme?
Po ta idhujtarizojmë vazhdimisht mendimin tonë vetjak, mund të arrijmë madje deri tek ideja se e mira që mendoj unë, është edhe e mira e tjetrit.
Një përrallë thotë se, një herë, një majmun që gjendej në degët e një peme, pa poshtë në lumë një peshk. U hodh me të shpejtë nga pema, futi dorën në ujë dhe e kapi. Kur e nxori nga uji i tha: «Të shpëtova se gati po mbyteshe.» A ishte kjo e mira e peshkut?
Në leximin e dytë Shën Pali i fton Korintasit që të jenë e mira e vërtetë e tjetrit. E thotë këtë në kontekstin e besimit: «Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. Mos jini, veç, rast shkandulli!» Fjala «shkandull» vjen nga greqishtja dhe do të thotë pikërisht «pengesë». Shën Pali i lutet të krishterëve që të bëjnë gjithçka për ta ndihmuar tjetrin të rritet në fe. E thamë edhe në fillim se djalli, pikërisht duke përdorur “qëllimet e mira”, përpiqet të fusë shkopin ndër rrota në procesin e ungjillëzimit. Shën Pali e di mirë këtë gjë e prandaj u përgjërohet Korintasve që të mos i jenë askujt rast «pengese» për të takuar Krishtin në jetën e vet. U lutet që të lënë mënjanë të gjitha qëllimet e mira që mund të kenë në jetë, nëse e shohin se ato krijojnë përçarje e pengesa.
Megjithatë, nga ana tjetër, ne duhet ta besojmë ngultas se asgjë nuk mund ta ndalë krejtësisht veprimin e Hirit të Hyjit në historinë e njerëzimit. Është e vërtetë se Ungjilli na flet për këtë «pengesë» që pakujdesia e njërit provokoi në veprimtarinë publike të Jezusit, por nuk duhet të lëmë pa vënë re se kjo histori përfundon me fjalë pozitive: «Jezusi qëndronte në vende të pabanuara e njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.» Hiri i Hyjit është gjithnjë më i fortë se të gjitha «pengesat» që djalli apo egoizmi ynë njerëzor mund të shpikë.
Kjo bindje ka qenë dhe është gjithnjë siguria më e madhe e Kishës. Në këtë botë ku ne, me qëllime nga më të ndryshmet, herë të mira e herë të këqija, bëjmë gabime, Zoti gjithnjë përpiqet të ndreqë, të falë e të mësojë. E thoshte shumë bukur këtë të vërtetë edhe një ipeshkëv e teolog francez i shekullit XVII, Jacques-Benigne Bossuet, në një shprehje që pastaj do të bëhej e famshme në mbarë botën: «Hyji shkruan drejt edhe mbi rreshtat e shtrembër të njerëzve.»
Dom Dritan Ndoci