Kërko

Port-au-Prince Port-au-Prince

Haiti, shtatë klerikë të rrëmbyer

Rrëmbimet e përfaqësuesve të Kishës vazhdojnë në vendin e Karaibeve. Gjashtë Vëllezër të Zemrës së Krishtit u kapën nga grupet e armatosura duke shkuar në një shkollë, ndërsa një prift tjetër u mor pasi kremtoi meshën në Port-au-Prince. Imzot Dumas, i plagosur nga një shpërthim të dielën e kaluar, iu nënshtrua një operacioni

R.SH. - Vatikan

Gjashtë Vëllezër të Zemrës së Krishtit u rrëmbyen sot në mëngjes, 23 shkurt 2024, ndërsa udhëtonin për në misionin École Jean XXIII (Shkolla Gjoni XXIII) në Haiti. “Lutemi për çlirimin e tyre dhe për fundin e kësaj murtajeje pasigurie”, shkruajnë në një deklaratë besimtarët dhe besimtaret vendase, të cilët nënvizojnë se shkolla është e vetmja që ende funksionon në zonën me rrezik të lartë, në qendër të kryeqytetit Port-au-Prince. U rrëmbye edhe një prift që sapo kishte kremtuar meshën në kapelën e Zojës së Fatimes, në lagjen Bicentenaire të kryeqytetit.

Imzot Dumas iu nënshtrua një operacioni

Ndërkohë, Imzot Pierre-André Dumas, ipeshkëv i Anse-à-Veau dhe Miragoâne, iu nënshtrua dy operacioneve, pasi u plagos të dielën e kaluar nga një shpërthim në shtëpinë që po vizitonte në Port-Au-Prince. Prelati - sipas burimeve vendase - është më mirë, ka filluar të hajë dhe do të transferohet sot ose nesër në një spital në Miami.

Pasiguria dhe paqëndrueshmëria vazhdojnë

Situata në vendin e Karaibeve mbetet shumë e rëndë, pasojë kjo e pasigurisë shkaktuar nga paqëndrueshmëria e fortë e politikës dhe e policisë, e cila nuk është në gjendje të ndeshet me bandat e armatosura që po tërbohen veçanërisht në kryeqytet. Priftërinjtë dhe rregulltarët janë shpesh objektiva të rrëmbimeve nga grupet kriminale, të joshur nga besimi se Kisha haitiane është e pasur dhe mund të paguajë shpërblime. Episodi i fundit serioz daton rreth një muaj më parë kur gjashtë murgesha u rrëmbyen nga autobusi me të cilin udhëtonin. Me atë rast, në Engjëllin e 21 janarit, Papa Françesku drejtoi lutje "për harmoni shoqërore" në Haiti dhe ftesë të gjithëve "për t'i dhënë fund dhunës që i shkakton kaq shumë vuajtje asaj popullsie të dashur".

24 shkurt 2024, 13:59