Kërko

Chiara Amirante, themeluese e Nuovi Horizonti Chiara Amirante, themeluese e Nuovi Horizonti

“Horizonte të Reja”, Chiara Amirante largohet nga kryesia, për arsye shëndetësore

Kryetarja e shoqatës së njohur nga Selia e Shenjtë, përfshirë në fusha të ndryshme solidariteti, përmes qendrave, bashkësive e nismave shoqërore, komunikon, me një mesazh të publikuar në portalin e realitetit, që themeloi ajo vetë, se i ka dorëzuar dorëheqjen Papës, për shkak se kushtet e saj fizike nuk i përballojnë më "angazhimet gjithnjë e më të ngutshme e të shumta", që u takojnë përgjegjësve "të kësaj vepre të gjerë e të ndërlikuar”

R.SH. – Vatikan

Chiara Amirante lë kryesinë e bashkësisë “Nuovi Orizzonti” (Horizonte të Reja), e impenjuar në solidaritetin me të gjithë ata, që kanë vështirësi shoqërore, sidomos me fëmijët e rrugës dhe me të rinjtë. Me një mesazh të publikuar më 20 shkurt në portalin e realitetit, që themeloi ajo vetë, kërkon lutje për veten dhe familjen e shoqatës. “Duke dëgjuar mendimin, që më shprehën mjekët – shkruan ajo – m’u desh të pranoj se gjendja ime shëndetësore nuk i përballon më angazhimet gjithnjë e më të ngutshme dhe të shumta, që lidhen me rolin e kryetarit të kësaj vepre kaq të gjerë dhe të ndërlikuar”. Chiara ishte rikonfirmuar në krye të “Nuovi Orizzonti”, organizatë e njohur nga Selia e Shenjtë, më 6 janar, me zgjedhjet e kryesisë për pesë vitet e ardhshme, por, pas "problemeve të mëtejshme me shëndetin dhe pas keqësimit të simptomave", ajo shpjegon se nuk ka më mundësi ta kryejë detyrën. Prandaj, më 11 shkurt, dha dorëheqjen në duart e Papës Françesku dhe të Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën.

Administrimi i përkohshëm i veprimtarisë

Udhëheqja e veprimtarive do t'u besohet përgjegjësve të rinj zgjedhur në janarin e këtij viti, shpjegon Chiara, "ndërsa pret të kuptojë se si do të veprohet, bashkë me Dikasterin për Laikët, Familjen e Jetën, sepse sipas Statutit të Përgjithshëm në fuqi, me dorëheqjen e presidentit, bien të gjitha postet” dhe nevojitet një zgjedhje e re për drejtuesit. “Unë jam gjithmonë aty, por në një mënyrë tjetër – përfundon Amirante. – Nuk kemi pse të shqetësohemi, sepse kjo Vepër është e Zotit dhe Ai do të vazhdojë ta udhëheqë në ujërat e stuhishme të kësaj kohe”.

21 shkurt 2024, 14:13