Martinelli: Dokumenti mbi Vëllazërinë, çast historik për marrëdhëniet ndërmjet feve
R. SH. - Vatikan
"Ishte ngjarje e jashtëzakonshme, që ndikoi thellësisht mbi Vikariatin tonë Apostolik dhe vendin tonë, duke i dhënë shtytje vendimtare dialogut ndërfetar": Imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore, kujton përvjetorin e pestë të shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nënshkrimin, më 4 shkurt 2019, në Abu Dhabi, e Dokumentit për vëllazërinë njerëzore, paqen botërore dhe bashkëjetesën. "Kujtimi i atyre ditëve - shkruan Martinelli në një letër drejtuar besimtarëve - na i mbush ende zemrat me mirënjohje dhe na zgjon ndjenjën e thellë të përgjegjësisë ndaj Kishës dhe mbarë botës". Vizita e Papës ishte "rast për t’u njohur si pjesë e Kishës së vetme të Krishtit dhe për të përsëritur dëshminë tonë të krishterë, të përulur dhe besnike, në kontekstin e Gadishullit Arabik".
Më kujtohet, veçanërisht, Mesha e kryesuar nga Françesku më 5 shkurt në qytetin sportiv Zayed në Abu Dhabi dhe të gjitha fjalët kumbuese të predikimit: të shkruarat dhe të shqiptuarat. “Ju këtu e njihni melodinë e Ungjillit dhe e jetoni entuziazmin e ritmit të tij. Ju jeni kor që përfshin një sërë kombesh, gjuhësh dhe ritesh; larmi që Shpirti Shenjt e do dhe dëshiron ta harmonizojë gjithnjë e më shumë, për ta bërë simfoni. Kjo polifoni e gëzueshme e fesë është dëshmi që jep gjithçka dhe ndërton Kishën". Sipas famullitarit apostolik të Arabisë së Jugut, kjo polifoni, të cilën besimtarët vendas janë thirrur ta rrezatojnë, është përgjegjësi ndaj gjithë Kishës: “Ta jetosh larminë në unitet është detyra jonë parësore. Jemi Kishë emigrantësh, Kishë "shtegtare". E kështu kemi mundësinë unike për të pasuruar njëri-tjetrin duke ndarë dhuratat, talentin, kulturën dhe traditën tonë. Kisha dhe bota duhet të shohin ndër ne se larmia nuk është problem as pengesë, por pasuri që vjen nga Zoti, për të mirën e të gjithëve”.
Në letër, Imzot Martinelli shpreh mirënjohjen për paraardhësin e tij, Imzot Paul Hinder, dhe guvernatorin e vendit e, veçanërisht Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, kreu i Emirateve të Bashkuara Arabe, "për ftesën e Atit të Shenjtë dhe për të marrë të gjitha masat e një udhëtimi të paharrueshëm, duke lehtësuar nënshkrimin e dokument profetik për vëllazërinë njerëzore”. Ishte "gur kilometrik, i paracaktuar të shënojë të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet feve". Martinelli ftoi për ta rilexuar dhe për ta përvetësuar në udhën e formimit të krishterë: “Në këtë çast dramatik të historisë së njerëzimit, të shënuar nga kaq shumë konflikte, ne ndjejmë përgjegjësinë për ta përhapur frymën e dokumentit të Abu Dhabit tek të gjithë. Besimi ynë i krishterë na jep zemër të dëshmojmë gëzimin e Ungjillit dhe të jemi nxitës të paqes e të drejtësisë ndërmjet gjithë njerëzve vullnetmirë".
Duke i ftuar besimtarët vendas të marrin pjesë në të gjitha nismat e organizuara nga Shtëpia e Familjes Abrahamike (themeluar në Abu Dhabi pas dokumentit), vikari apostolik përfundon duke shprehur "dashurinë e madhe për Atin e Shenjtë dhe mirënjohje për mësimin e tij të çmuar të atësisë", duke e siguruar se do ta mbështetë gjithnjë në lutje.