Kërko

Të shpërngulurit e Gazës Të shpërngulurit e Gazës

Imzot Shomali kërkon t'u jepet fund luftimeve, për më shumë ndihma në Gazë

Rrethimi i Gazës dhe konflikti, që filloi pas sulmit të Hamasit në Izrael, kanë shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në enklavën palestineze. Edhe të krishterët, të vendosur për të qëndruar në Veri, privuar nga çdo ndihmë, nuk janë të imunizuar prej saj. Ipeshkvi William Shomali kujton kushtet e tyre të jetesës, frikën, panikun dhe urinë që përjetojnë. Gjatë kësaj periudhe krezhmore, feja e tyre bëhet më e fortë

R.SH. – Vatikan

“Ndalimi i luftës është mënyra më e sigurt për të çuar më shumë kamionë me ushqime në Gazë e, kjo është gjëja më e rëndësishme.” Lufta kundër urisë është përparësia kryesore për Vikarin Patriarkal Latin për Jerusalemin dhe Palestinën, kryeipeshkvin William Shomali. Aktualisht, 2.2 milionë palestinezë, shumica dërrmuese e banorëve të Gazës, kërcënohen me "uri masive" në enklavë, sipas Kombeve të Bashkuara. Këtë të diel, qindra civilë të mbetur në veri vendosën të arrijnë në qendër dhe në jug të Gazës, të shtyrë nga uria. Një baba deklaroi për agjencinë franceze AFP se e la shtëpinë për vajzën e tij një vjeç e gjysmë, sepse asaj i bën dëm buka e gatuar me foragjere.

Në qytetin e Gazës, gjendja e të krishterëve, ashtu si ajo e civilëve të tjerë, që kanë mbetur atje, është e keqe. Qindra njerëz, që janë strehuar në famullitë latine dhe ortodokse, mezi mbijetojnë. “Dëgjova sot se një burrë 30/40 vjeç është i lumtur nëse merr një çerek buke në ditë”, njofton imzot Shomali. Por pavarësisht nga mungesa e ushqimit, frika nga e ardhmja dhe humbja e 30 prej tyre në luftime e për arsye të tjera, bashkësia e krishterë është e vendosur të vdesë “në shtëpinë e vet, pranë altarit”, sipas fjalëve të motrës Nabila Saleh, murgeshë e Kongregatës së Rruzares së Jeruzalemit, e cila është ngujuar në kishën e Familjes së Shenjtë, në lagjen Zeitoun të Gazës. Në një intervistë për Radio Vatikanin / Vatican News, imzot Shomali deklaron:

Nga pikëpamja e sigurisë, është më e sigurt të qëndrosh në famulli, sepse të paktën ka një adresë referimi. Kisha merr lajme prej tyre. E, kur kemi mundësi, u dërgojmë diçka. Pra, nga pikëpamja e sigurisë, është më mirë për të krishterët të qëndrojnë në veri, ose nëse largohen nga Gaza, ta bëjnë përmes Rafahut për të shkuar në Egjipt. Disa edhe ia kanë dalë. Dikush arriti të marrë një vizë për në Australi, një ose dy muaj pas fillimit të konfliktit, e kështu, mundi të largohej. Të tjerë, që kishin pasaportë të huaj, jordaneze për shembull, arritën të ikin. Por ata që nuk e kanë këtë mundësi, nuk duan të shkojnë në Jug, sepse në Jug do të jenë anonimë, nuk do të kenë adresë, nuk do të pyesë kush për ta. Gjithashtu, është shumë e vështirë të jetosh vetëm në jug. Nuk ka as tenda të mjaftueshme për të strehuar njerëzit. Duhet të flenë në rrugë. Kështu që është më e sigurt të qëndrojnë në famulli.

Ajo që thotë motër Nabila është e vërtetë. Sa herë izraelitët i kanë urdhëruar të gjithë, pa përjashtim, të evakuojnë nga Veriu? Njerëzit tanë thanë: "Ne do të rrimë këtu, preferojmë të vdesim këtu". E, nuk u larguan. Nga ana jonë, përpiqemi t'i mbrojmë sa më shumë duke ndërmjetësuar, duke i këshilluar të gjithë politikanët, që na vizitojnë. Ka pasur presion në këtë drejtim edhe disa ditë më parë, kur u dhanë urdhra të rinj për shpërngulje, por pyetëm e ushtarët na thanë: "Ende jo, mund të qëndrojnë". Ishte hera e parë që e dëgjuam këtë.

Ata qëndrojnë, por në çfarë gjendjeje shpirtërore? Krezhmët filluan më 14 shkurt. A keni mundur t'i kontaktoni që atëherë?

Krezhmët filluan më 14 shkurt, me të Mërkurën e Përhime. Morëm fotografi për meshën e kremtuar në famullinë latine. Shohim që njerëzit kanë fytyrën e së Mërkurës së Përhime, fytyrë të tensionuar, të trishtuar, jo shumë optimiste. Kjo ndodh që prej pesë muajsh. Nuk janë më po ata njerëz të një viti më parë, që atëherë ishin mjaft optimistë, të lumtur, të buzëqeshur. Në fillim të luftës, të dyja famullitë e krishtera përdorën ushqimin e dyqaneve ende të hapura. U dërgohej para dhe mund të blinin në këto depo të veriut. Blihej oriz, sheqer, miell e gatuhej çdo ditë. Tani, arrijnë ta bëjnë tri herë në javë, ndonjëherë dy herë… ose, ndonjëherë, vetëm një herë në javë. Nganjëherë, njerëzit shkojnë në shtëpitë e tyre, nëse nuk janë shkatërruar, për të kërkuar pak oriz, pak miell që u ka mbetur. Pra, ne "mbijetojmë". Por çdo ditë, situata bëhet më e vështirë, sepse nuk ekzistojnë më depo ushqimore e dyqane. Në veri, ka uri të vërtetë. Kam dëgjuar sot se një burrë 30/40 vjeç është i lumtur nëse merr një çerek buke në ditë, e cila nuk mjafton as për mëngjes. Duhet ta falënderojë Zotin që ka një të katërtën e bukës. Ka një mungesë të jashtëzakonshme ushqimi. Ai nuk mjafton as për të pasur forcë dhe imunitet kundër sëmundjeve. Në famullinë ortodokse, për shembull, ka njerëz të sëmurë me hepatit. Nuk kanë ujë të mjaftueshëm për t'u larë, madje as për të pirë. Për të mos folur për çmimet. Mielli kushton sot 10 herë më shumë se më parë. Kemi nevojë për më se 500 kamionë me ndihma në ditë, por vijnë vetëm 100 apo 200 kamionë për 2 milionë njerëz të uritur. Rruga kryesore, që lidh Veriun me Jugun, është bombarduar disa herë, duke e bërë shumë të rrezikshme dhe madje të pamundur çuarjen e kamionëve në Veri.

Sipas jush, çfarë mendoni se duhet bërë, cila është përparësia sot?

Sot, përparësi është përfundimi i luftës, armëpushimi, shkëmbimi i pengjeve dhe i të burgosurve. Për të bërë që të arrijë ndihma. Vërtet, mënyra më e sigurt për të sjellë një numër më të madh kamionësh me ushqime është ndalimi i luftës. Duhet bërë presion mbi qeverinë e Benjamin Netanyahu-t për ta ndalur konfliktin. Shumë izraelitë, më shumë nga sa mund të mendojmë, duan që lufta të përfundojë. Ushtarët e dërguar në Gazë kanë prindër, familje. Prindërit e ushtarëve kanë frikë për bijtë e tyre. Për këtë luftë janë shpenzuar më se 100 miliardë shekelë (monedha e Izraelit, 1 shekel = 0,25 euro). Edhe reputacioni i Izraelit është cënuar në mbarë botën. Pra, fundi i luftës nuk është kërkesë vetëm palestineze apo evropiane, por edhe e gjysmës së shoqërisë izraelite. Kushdo ka sadopak ndikim, le ta ushtrojë atë për ta ndalur këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur, që të hyjnë më shumë ndihma humanitare në Gazë. Kjo është kërkesa jonë.

27 shkurt 2024, 14:10