Kërko

Palestinezë të zhvendosur në Rafah Palestinezë të zhvendosur në Rafah

Izraeli dhe Hamasi: Udha e Kryqit e të krishterëve të Gazës. Famullia, nën bomba

Zbrazini menjëherë lagjet Zaitun dhe Turkman të qytetit të Gazë, nëse nuk doni të mbeteni në zemër të luftimeve. Ky, urdhëri që u dha ushtria izraelite civilëve, të cilët vijojnë të banojnë në këto dy zona të qytetit. Motra Nabila Saleh, nga famullia katolike në Zaitun, ku ndodhet, e konfirmoi lajmin për SIR. Dëshmia e saj dhe e famullitarit, Atë Romanelli.

R.SH. - Vatikan

Zbrazini menjëherë lagjet Zaitun dhe Turkman të qytetit të Gazës, nëse nuk dëshironi të mbeteni në mes të luftimeve. Ky, urdhëri i ushtrisë izraelite dhënë civilëve, që vijojnë të jetojnë në këto dy zona të qytetit. Lajmin e konfirmon për SIR-in motra Nabila Saleh, e zhvendosur me 600 besimtarë të tjerë të krishterë në famullinë latine të Familjes së Shenjtë, e cila ndodhet pikërisht në lagjen Zaitun, e vetmja famulli katolike në Rripin e Gazës. "Izraeli vijon ta bombardojë që dje lagjen tonë" - njoftoi  për SIR murgesha e Motrave të Rruzares, që drejtojnë një shkollë me 1250 nxënës në Gaza, sot të shkatërruar nga sulmet ajrore izraelite. "Jemi përsëri nën bomba ndërsa nga Izraeli vijnë mesazhe, që i ftojnë civilët ta zbrazin zonën". Nuk është hera e parë që ushtria izraelite urdhëron popullsinë e qytetit të Gazës të largohet nga zona, as hera e parë që të krishterët vendosin të qëndrojnë. Një nga arsyet që e bën të pamundur zhvendosjen,  është prania e të moshuarve, të sëmurëve dhe invalidëve të mirëpritur në famulli dhe të ndihmuar nga murgeshat e Nënë Terezës. Thua mund të zhvendosemi, pa e rrezikuar sigurinë e tyre?

Në kontaktet e mëparshme të SIR me Gazën, besimtarët e krishterë pohuan gjithnjë se duan të qëndrojnë në famulli: "Nëse duhet të vdesim, duam të vdesim sa më pranë Jezusit, pranë altarit. Nuk largohemi që këtu, kjo është shtëpia jonë dhe këtu do të mbetemi”. Edhe këtë herë “do të rrimë këtu, në famulli, dhe nuk do të lëvizim” - pohon motra Nabila. “Çka na dhemb më shumë se çdo gjë tjetër është se askush nuk po luan nga vendi për ta ndalur këtë luftë, për t'u thënë dy palëve 'mjaft më'. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka guxim. Ndërkohë, këtu civilët po vdesin nga bombat, nga uria, nga njëmijë vështirësi. Çfarë duan tjetër nga njerëzit e varfër?

Udha e Kryqit

 Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Gazës, nga Jeruzalemi, ku u bllokua që nga 7 tetori pikërisht për shkak të luftës dhe nuk mund të kthehet në mesin e besimtarëve të famullisë së tij,  kujton, duke folur për SIR, "Udhën e Kryqit” të të krishterëve të Gazës dhe të popullsisë civile, që jeton atje. Në lidhje të vazhdueshme me zëvendës famullitarin e tij, Atë Youssef Asaad, famullitari shpjegon se "Situata po keqësohet çdo ditë, çdo orë; pas çdo minuti, që kalon, numri i vdekjeve rritet". Numri i sotëm, që nga fillimi i luftës, është të paktën 29195 të vdekur dhe 69170 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit. Edhe në famulli kushtet e jetesës po bëhen gjithnjë më të vështira: “Kohët e fundit - pohon Atë Romanelli – kuzhina funksionon tri ditë në javë me besimtarët që përpiqen të gjejnë ku të munden ushqimin e nevojshëm. Për të gatuar bukën, përdoret miell i pasitur, i vetmi që gjendet në këto kohë”. Kjo, atmosfera që rëndon mbi supet e 600 të krishterëve të shpërngulur e të mbyllur në dhomat e famullisë prej më shumë se 4 muajsh: “janë të lodhur, të trishtuar, zemërthyer. Nuk kanë kurrfarë të ardhmjeje para syve por, pavarësisht nga kjo, bëjnë të pamundurën për kë ka më pak, për familjet që jetojnë pranë famullisë, për turmën e të uriturve! Të premten e kaluar – vijon Atë Romanelli - ata kremtuan ditën e parë të  këtyre kreshmëve: kreshëm lufte. Unë u përpoqa të lidhem me Atë Jusefin për t'u lutur së bashku". “Në çdo stacion jemi lutur për viktimat e kësaj lufte, për paqen, për ata që vuajnë, për ata që kanë humbur gjithçka dhe gjithkënd. Për të gjitha këto mundime, Zoti na dhëntë paqe, drejtësi dhe dinjitet”.

“Në këto Kreshmë - përfundon motra Nabila – jemi gjatë gjithë Udhës së Kryqit pranë Jezusit, i cili ishte i pari që ndau me njerëzit vuajtjet njerëzore. Ne kemi besim tek Ai, që e ka në dorë historinë e i kërkojmë dhuratën e paqes. Lutuni me ne, për ne dhe për Gazën!”.

21 shkurt 2024, 12:18