Kërko

Vende në konflikt: Ukraina Vende në konflikt: Ukraina

Krerët fetarë të vendeve në luftë: të respektohet shenjtëria e jetës dhe e vendeve të kultit

Thirrja përfshihet në deklaratën përfundimtare të Tryezës së Rrumbullakët të Paqes, e cila mblodhi së bashku budistët, të krishterët, hinduistët, myslimanët dhe hebrenjtë në Tokio, me nismën e “Religions for Peace”. “Të lutemi dhe të ofrojmë solidaritet për ata, që vuajnë nën barrën e luftërave dhe të dhunës. Të punojmë për të promovuar të mirën e përbashkët"

R.SH. – Vatikan

Krerët e pesë feve të ndryshme (budizëm, krishterim, hinduizëm, islam dhe hebraizëm) nga 15 vende në luftë e konflikt, së bashku, rreth një tryeze, për të reflektuar mbi rolin e tyre si njerëz të fesë në promovimin e paqes. Javën e kaluar, në Tokio të Japonisë u mblodh Tryeza e dytë e Rrumbullakët e Paqes, organizuar nga shoqata “Religions for Peace” (Fetë për Paqe) së bashku me Aleancën e Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara, promovuar nga OKB-ja. Katër ditë diskutimi, në praninë e dëshmitarëve të rëndësishëm si ish-mitropoliti ortodoks i Kalcedonisë Emmnauel Adamakis, myslimani Abdallah Bin Bayyah, kreu i shoqatës izraelite Rabbis për të Drejtat e Njeriut Avi Dabush, ish-peshkopi luteran i Tokës Shenjte Mounib Yunan.

Themelet e paqes kërcënohen në çdo rajon të botës

 “Jemi thellësisht të shqetësuar për vuajtjet e paimagjinueshme, që po përjetojnë njerëzit në zonat e konfliktit anembanë botës, si në Haiti, Lindje të Mesme, Mianmar dhe Ukrainë – shkruajnë udhëheqësit fetarë në deklaratën përfundimtare, në fund të takimit. Themelet e paqes dhe të sigurisë kërcënohen në çdo rajon të botës, ndërsa më të rrezikuarit - gratë, fëmijët dhe popullsia civile - ndodhen në mes të zjarrit dhe vuajnë jashtëzakonisht nga dhuna e rëndë, shpërngulja dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Impenjimet e frymëzuara nga mësimet hyjnore të çdo feje

Të frymëzuar nga mësimet hyjnore të çdo feje, pjesëmarrësit ripohuan së bashku disa parime themelore, të cilat sot janë minuar thellësisht në luftërat e ndryshme. Ata theksuan se shenjtëria e jetës dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbështeten dhe të mbrohen në çdo kohë; nënvizuan përgjegjësinë e përbashkët të krerëve të fesë për të nxitur paqen pozitive, duke promovuar dhembshurinë dhe mirëkuptimin në mesin e njerëzimit; dolën me idenë se ndihma humanitare për popullsitë e prekura nga konflikti duhet të depolitizohet dhe të bazohet në rivendosjen e paqes, sigurisë, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Përgjegjësia kolektive për të përdorur mjete paqësore

"Së bashku - shkruajnë ata më tej - bëjmë thirrje për ndërprerjen e të gjitha luftërave, të konflikteve dhe të përdorimit të dhunës dhe armëve (përfshirë armët bërthamore, konvencionale, kibernetike dhe bombat e improvizuara), duke u bazuar në përgjegjësinë tonë kolektive për të zgjidhur mosmarrëveshjet me mjete paqësore, që mbështesin dhe mbrojnë shenjtërinë e jetës dhe dinjitetin njerëzor, edhe për më të pambrojturit”. Më tej, kërkohet “ruajtja dhe mbrojtja e shenjtërisë së vendeve të kultit, të vendeve të shenjta për çdo fe dhe hyrja e lirë dhe e sigurt në to, si në kohë lufte dhe konflikti, ashtu edhe në kohë paqeje dhe harmonie”.

Ndihmë humanitare për bashkësitë e shkatërruara nga lufta

 Së fundi, krerët fetarë të pranishëm u zotuan të mobilizojnë bashkësitë e tyre për t’u "dhënë ndihmë humanitare komuniteteve të shkatërruara nga lufta, përfshirë më të rrezikuarat, si edhe për të promovuar bashkëpunimin ndërfetar për të mirën e të gjithëve dhe për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët". Ata kërkuan një “paqe pozitive”, për t’u arritur “përmes proceseve afatgjata për shërimin e plagëve dhe pajtimin e njerëzve, duke shmangur përsëritjen dhe vazhdimin e luftërave e të dhunës”.

Lutje dhe impenjim ndërfetar

 “Ne, krerët fetarë – përfundon deklarata e Tryezës së Rrumbullakët të Paqes në Tokio – ofrojmë lutje të zjarrta dhe solidaritetin tonë të palëkundur për ata, që vuajnë peshën kryesore të luftërave dhe të dhunës së vazhdueshme. Ripohojmë impenjimin për të vazhduar të lutemi dhe të punojmë në mënyrë shumë-fetare për një kulturë paqeje, e cila e çon përpara të mirën e përbashkët, bazuar në respektin për shenjtërinë e jetës dhe dinjitetin njerëzor".

26 shkurt 2024, 13:22