Kryeipeshkvi i Buenos Ajresit: Argjentina pret Françeskun, bariun e saj

Realiteti i Argjentinës dhe sfidat e Kishës lokale, udhëtimi i mundshëm i Papës në vendlindjen e tij, figura e Mama Antulas, shenjtores së parë të Argjentinës, trashëgimia dhe rëndësia e saj, në dëshminë e Imzot Jorge Ignacio García Cuerva, kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, dy ditë para kanonizimit të së Lumes María Antonia de San José de Paz y Figueroa

R.SH. – Vatikan

“Mama Antula është një grua laike mendjengritur, e gjallë, e vëmendshme ndaj nevojave të të tjerëve, e cila shpresojmë se do të na bëjë të krishterë të kujdesshëm ndaj nevojave që kanë të tjerët dhe do të na ndihmojë të realizojmë ndërtimin e Kishe në dalje, të Kishe që kërkon personat më nevojtarë, siç na kërkon Papa Françesku”. Imzot Jorge Ignacio García Cuerva, kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, shpjegon rëndësinë e kanonizimit të të Lumes María Antonia de San José de Paz y Figueroa, e njohur më mirë si Mama Antula, e cila do të shenjtërohet këtë të diele më 11 shkurt në Vatikan nga Papa Françesku në kremtimin e Meshës solemne që do të mbahet në orën 9.30 në Bazilikën e Shën Pjetrit

Shpallja e "shenjtjes së parë" të Argjentinës është një dhuratë për vendin që aktualisht po kalon "një moment shumë të vështirë", për shkak të inflacionit dhe varfërisë, shpjegon kryeipeshkvi i Buenos Ajresit. Shenjtja e parë e Argjentinës shpreh edhe shpresat për një udhëtim të mundshëm të Papës, në të ardhmen, në atdheun e tij, siç qe shprehu vetë Ati i Shenjtë në intervista të ndryshme. Vizita e Papës në Argjentinë do të ishte një gëzim i madh për popullin, nënvizon imzot García Cuerva: “Për mua do të thotë takimi i bariut me popullin e vet. Mendoj se ka shumë të etur për ta takuar Papës dhe nga ana tjetër besoj se figura e Françeskut njihet botërisht, ai është një lider botëror.

Edhe ndalja është pjesë e rrugëtimit

Kryeipeshkvi imzot García Cuerva komenton edhe Mesazhin e Papës për Kreshmën e këtij viti: Nëpër shkretëtirë Zoti na udhëzon të ecim drejt lirisë. Mesazhi i Papës për Kreshmë është një tekst me të cilin - nënvizon kryeipeshkvi argjentinas - Françesku na fton të ruajmë gëzimin dhe të mos biem në trishtim, i cili na gërryen shpirtin, duke na penguar të vazhdojmë udhëtimin që na tregon Zoti.

Edhe në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa foli për një trishtim që gjeneron dëshpërim dhe ankth të thellë, vëren bariut i Buenos Ajresit. Dhe komenton: “Unë besoj se ne duhet të jemi mistikë me sy hapur të aftë për të zbuluar praninë e Zotit në thellësitë e realitetit të jetës së përditshme. Papa në mesazhin e tij të Kreshmëve thekson se në këtë rrugëtim në shkretëtirë, nganjëherë duhet të ndalemi dhe, thotë se ndalimi është pjesë e ecjes. Kjo është interesante sepse shpesh ne vazhdimisht bëjmë gjëra, ose qëndrojmë në vend dhe mendojmë se nuk po bëjmë asgjë. Mendoj se ndonjëherë duhet të ndalemi për të reflektuar, për të dëgjuar zërin e Zotit në thellësi të zemrave tona, për të mos e lënë veten të zhytemi nga vorbulla dhe aktivizmi i jetës së përditshme. Kështu që është një ide e mirë që gjatë kohës së Kreshmëve të ndalemi, të mos harrojmë se ndalimi është pjesë e udhës”.

Nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj realitetit të vendit

Imzot García Cuerva më pas i referohet situatës aktuale ekonomike, sociale dhe politike që po përjeton Argjentina, e cila, sipas të dhënave më të fundit nga Indec, tejkalon shkallën e varfërisë prej 40% dhe ka një normë inflacioni prej më shumë se 12%. “Nga njëra anë – komenton prelati – nuk mund të qëndrojmë indiferentë sepse për ne normat e varfërisë nënkuptojnë vëllezër e motra që po kalojnë një kohë shumë të vështirë, tejet të keqe. Argjentina, për fat të keq, ka vite që po e përjeton këtë krizë dhe këto shifra duhet të na lëndojnë thellë, pikërisht, sepse nuk janë numra, por janë fytyra konkrete njerëzish dhe gjithmonë them se lidershipi politik, i biznesit dhe ai fetar, të gjithë kemi njëfarë përgjegjësie, nëse kemi ardhur në këtë situatë”.

Përgjegjësi sipas kryeipeshkvit është edhe ajo të jetësh në gjendje për t'i mbledhë të gjithë në një tryezë për të bërë disa propozime konkrete që do të nxjerrin përfundimisht shumë vëllezër nga kjo situatë e vështirë. “Mendoj se ne argjentinasit meritojmë të ulemi në një tavolinë, të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe ta njohim njëri-tjetrin si vëllezër. Ne kemi pasur përvoja në të cilat të gjithë jemi mobilizuar, si Kampionati Botëror i Futbollit, që na bashkon jashtëzakonisht ne argjentinasit. Është koha pra që ne të lëmë mënjanë këtë ndarje të famshme ideologjike dhe kulturore, të mendojmë për këto fytyra konkrete njerëzish, për këtë 40% të varfërisë dhe të themi: si mund ta çojmë vendin tonë përpara së bashku?”.

Sfidat e Kishës në vendin e Amerikës Latine

Duke iu referuar sfidave me të cilat përballet Kisha në Argjentinë, Imzot Garcia Cuerva thotë se gëzimi i krishterë është përgjigja ndaj realitetit të ashpër dhe kohëve të vështira që po përjeton vendi. Dhe ai shpjegon: "Gëzimi i krishterë nuk është optimizëm budalla. Gëzimi i krishterë ka të bëjë me të ditur se Jezusi na shoqëron, është me të vërtetë të kemi vetëdije se Ai e ka mundur vdekjen përgjithmonë me ringjalljen e tij. Duke ditur që shpesh nga kryqi burojnë gëzimi dhe shpresa kanë lindur dhe që çdo ditë duhet të zgjedhim qëndrimin që duam të kemi ndaj jetës”. Kisha, vazhdon kryeipeshkvi, duhet të ndihmojë popullin argjentinas të mos dorëzohet, të vazhdojë të kapët për shpresën dhe gëzimin. “Nuk ka nevojë për diagnoza të mëtejshme të krizës, njerëzit tashmë e përjetojnë atë thjesht duke shkuar në supermarket, duke tërhequr rrogën e tyre në fund të muajit. Pra, sfida është se si, në realitetin aktual të vështirë shoqëror, mund të dëshmojmë një lajm të mirë, domethënë bindjen se Zoti na shoqëron jetën, se nuk na ka harruar”.

(Nga Renato Martinez, Vatican News)

09 shkurt 2024, 13:40